Nga Liridon Mulaj- Zhvillimet teknologjike të viteve të fundit kanë ndryshuar perceptimin dhe qasjen e njeriut ndaj shumë ritualeve dhe traditave kolektive , të cilat deri dje konsideroheshin thelbësore. Një ndër to është edhe libri, i cili në njëfarë mënyre ndihet i kërcënuar nga prania e teknologjisë, veçanërisht e internetit dhe e kohës së shumtë që njerëzit humbasin aty.
Libri, i kërcënuar fillimisht nga radioja, më pas nga kinemaja e më vonë nga shpikja e televizionit, ia kishte dalë të rezistonte me sukses këtyre ndryshimeve të mëdha në zhvillimin e njerëzimit. Por, mesa duket, interneti dhe teknologjia po i rrezikojnë seriozisht rolin e tij të pacënueshëm deri më sot.
Rënia drastike e numrit të lexuesve në mbarë botën është tregues i qartë se interneti dhe rrjetet sociale kanë ndikuar ndjeshëm në zbehjen e rolit të librit.
Të pyetur nga GazetaSi.al si pjesë e këtij debati, katër botues shqiptarë : Bujar Hudhri (Onufri), Irena Toci (Toena), Elda Velaj (Mediaprint) dhe Frano Kulli (Botimet Fishta) , kanë qasjet e tyre krejtësisht origjinale mbi efektin e teknologjisë mbi librin: disa më pesimistë, e disa të tjerë më optimistë se libri do të mbijetojë, qoftë edhe si aksesor.

Frano Kulli, një nga botuesit më të vjetër shqiptarë, shprehet se teknologjia e ka zbehur vërtet interesin për librin, por situata nuk duhet parë dramatike, pasi ajo mund të jetë edhe një ndihmesë për librin.
“Teknologjia sigurisht që është kthyer në një problem për librin. Si botues me një histori tashmë tridhjetëvjeçare, e shoh këtë rënie e cila është evidente. Por ne nuk duhet të synojmë, dhe nuk kemi synuar kurrë, një lexues masiv , diçka që është e pakuptimtë. Nuk mund të jenë të gjithë lexues. Ne do të vazhdojmë të punojmë me librin edhe pse, për hir të së vërtetës, është bërë më e vështirë”, – thotë Kulli.
Sipas tij, teknologjia ka ndihmuar gjithashtu industrinë e botimit, duke lehtësuar procesin e shtypjes dhe të libërlidhjes.
Në të njëjtën linjë qëndron edhe botuesja Irena Toçi, e cila e sheh thuajse dramatik ndikimin e rrjeteve sociale dhe të internetit në fushën e botimeve.
“Rrjetet sociale kanë ndikuar jashtë mase në rënien e numrit të lexuesve dhe ne, si shtëpi botuese, e kemi ndjerë këtë rënie. Lexuesit nuk janë më si më parë të interesuar dhe kjo vjen kryesisht nga ndikimi i rrjeteve sociale. Edhe pse përpiqemi të jemi prezentë aty me sugjerime dhe prezantime librash, është e pamundur të luftojmë efektin e tyre. Megjithatë, unë jam besimplote se kjo është një gjendje e përkohshme, e cila do të kalojë dhe njerëzit do t’i rikthehen librit”, – thotë Toçi.

Ndërkaq, Elda Vela nga Mediaprint vë theksin te përshtatja e shtëpive botuese me kohët moderne. Ajo nënvizon se librat mund të komunikohen më shpejt dhe më lehtë përmes rrjeteve sociale.
“Rrjetet sociale janë një ndihmesë për ta prezantuar librin më mirë dhe më shpejt tek lexuesi. Sigurisht, ne duhet të përshtatemi me kohët duke gjetur format e duhura. Si shtëpi botuese, ne shpenzojmë shumë në marketingun e librit”, – shprehet Vela.
Referuar panaireve të shumta të librit që po mbahen sidomos gjatë vitit të fundit, Vela theksoi se këto organizime ndihmojnë shumë librin të afrohet me lexuesin kudo që ndodhet. Por sipas saj, në këtë “betejë” duhet të ketë bashkëpunim mes shumë faktorëve.
“Shtëpitë botuese, pa lexues dhe pa faktorë të tjerë, e kanë të pamundur ta shpërndajnë librin. Ne kemi nevojë për mësues të cilët lexojnë dhe kanë vullnetin për t’ua ngjizur dashurinë për librin nxënësve. Gjithashtu, prindërit duhet të lexojnë në mënyrë që leximi të bëhet ritual familjar. Vetëm kështu libri mund të jetë pjesë e jetës sonë të përditshme”, – përfundon Vela për GazetaSi.al

Ndërkohë, Bujar Hudhri, një nga botuesit më të vjetër dhe më seriozë shqiptarë, e sheh situatën me më shumë optimizëm, duke pranuar se libri mund të jetë i vlefshëm edhe thjesht si aksesor.
“Kohët e fundit pashë një intervistë të një vajze që e cilësoi librin si aksesor. Rrjeti iu kundërvu me histerizëm, por unë mendoj se edhe kur paraqitet si aksesor, libri ka vlerën e tij. Një foto në plazh me një libër, që e shohin qindra mijëra njerëz, është diçka e bukur që mund të zgjojë dëshirën për lexim. Edhe nëse libri blihet dhe vendoset në shtëpi thjesht si zbukurim, mjafton të jetë aty , sepse herët a vonë dikush do ta hapë dhe do ta lexojë. Prandaj unë e shoh pozitive çdo qasje ndaj librit”, – thekson Hudhri.
Ai shton se shpesh ekzagjerohet mungesa e lexuesve, ndërkohë që leximi është një akt intim dhe i pamatshëm në statistika.
“Shpesh dëgjoj të thonë se nuk lexohet dhe nuk ka lexues. Libri është një objekt që kalon dorë më dorë, prandaj është e pamundur të kemi të dhëna të sakta mbi të. Nga ana tjetër, askush nuk e bën problem mungesën e spektatorëve në teatër, ku karriget bosh shihen qartë. Pse, atëherë, ta anatemojmë vetëm librin? Në Shqipëri lexohet dhe ka lexues, pavarësisht gjithçkaje”, – përmbyll Hudhri.

Një tjetër problem për botuesit shqiptarë mbetet adaptimi i librave në formën e E-book-ut apo në platforma të tjera leximi online. Sipas tyre, kjo lidhet me faktin se në Shqipëri e drejta e autorit ende nuk zbatohet siç duhet, ndaj mungon besimi për të aplikuar këto forma për shkak të frikës nga pirateria.
Megjithatë, përtej gjithë “rrezikut” që i kanoset librit nga interneti dhe rrjetet sociale, optimizmi mbetet i pranishëm. Ndoshta ia vlen të kujtojmë fjalët e shkrimtarit dhe filozofit Umberto Eco, i cili shkruante: “Mos kujtoni se do të shpëtoni nga librat” – si e vetmja formë që i mbijeton çdo inovacioni, sado i fuqishëm dhe masiv të jetë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



