Dy vjet para se të largohej nga shtëpia, im atë i tha sime ëme se isha shumë e shëmtuar. Kështu e nis rrëfimin e ri shkrimtarja enigmatike Elena Ferrante, e cila ndonëse vetë pa zgjedhur të mos e shfaqë fytyrën në qendër të romanit “Jeta e gënjeshtërt e të rriturve” vendos pikërisht në qendër një fytyrë, e cila ndërsa kalon nga adoleshenca në pjekuri bëhet më e shëmtuar dhe më e ashpër. Ashtu si edhe vetë jeta e të rriturve…
Elena Ferrante e zhyt bisturinë e saj mes hipokrizive të borgjezisë moderne, nxjerr në pah mashtrimin dhe vetëmashtrimin që përdorin njerëzit për të përligjur veprimet e veta. Xhovana, protagonistja, kërkon pasqyrimin e saj në dy faqe të një qyteti që e kanë frikë dhe e urrejnë njëra-tjetrën: Napoli i sipërm, i veshur me një maskë elegance dhe Napoli i poshtëm, vendi i vulgaritetit dhe lapërdhive. Ajo kapërcen sa nga njëra anë e qytetit në tjetrën, në kërkim të së vërtetës, por asnjëra anë nuk duket t’i japë përgjigje apo shpëtim. Në kërkimin e saj të dëshpëruar, Xhovana do të zbulojë jetën e dyfishtë të prindërve të saj, mashtrimet dhe gënjeshtrat e tyre, të cilat do ta hedhin vajzën në qorrsokakë të tjerë.
Edhe ky roman i Ferrantes vjen në shqip nga botimet “Pegi”, të cilat kanë sjellë për lexuesin edhe vepra të tjera të romancieres misterioze italiane, me përkthimin e Agim Doksanit.
“Doja të tregoja për zhbërjen e një arsimi shumë laik, të një cilësie të lartë, në një vajzë shumë të ndjeshme. Pavarësisht nga zbulimi, prindërit e Xhovanës vazhdojnë të festojnë ritet e tyre, për të mbajtur fort identitetin e tyre kulturor. Ata alarmohen vetëm sepse vajza e tyre kërcënon të harxhojë trashëgiminë jomateriale që i kanë kaluar asaj dhe të cilën, dëshirojnë të vazhdojnë t’i kalojnë. Prandaj, në synimet e mia, është Xhovana, që përmbledh në vetvete shpërbërjen e një bote. Por një roman shkon atje ku lexuesit e shtyjnë atë. Sipas përvojës sime, nuk është asgjë më shumë se një histori e paqartë që në një moment të caktuar vendos ta tregoj për ta sqaruar atë para së gjithash për veten time”, do të shprehej shkrimtarja në një intervistë dhënë mediave italiane, vitin e kaluar ku libri sapo qe botuar.

Kundër kësaj elite të brishtë moralisht, por shumë të pashme, qëndron një Napoli i tmerrshëm në instinktet e tij të ulëta, i mishëruar nga shëmtia shtazarake e teto Viktorias. Dhe pikërisht në këto lagje të varfra të zonës industriale Xhovana tërheq energji jetësore për t’u rritur, për t’u pjekur dhe për të parë “botën e madhe dhe të tmerrshme” pa perde. Një kontrast plot nuanca – e mira dhe e keqja bashkëjetojnë në të gjithë personazhet, në botën e sipërme dhe në botën poshtë, vulgariteti dhe finesa zbehen mes vete…
“Gjithçka në libër rikthehet në vështrimin e Xhovanës, e burgosur në atë të prindërve. A janë vërtet të bukur? A janë vërtet të rafinuar? Dhe a është vërtet tezja kaq e shëmtuar? Dhe a po bëhet vërtet ajo si tezja? Çfarë populli është ky, çfarë elite? Tek Xhovana, e trysnuar nga humbja e sigurive, në qëllimin tim duhej të shkërmoqja si idenë e një klase të arsimuar që vetë-cakton aq dukshëm sa edhe arbitrarisht detyrën e parashikimit, kuptimit, udhëzimit; është ideja e një populli, e një klase, e një teme thelbësisht të mirë që pret të marrë ide, programe, organizime, udhëzime. Xhovana anon në boshllëk, nuk u jep më asnjë meritë atyre që përshkruajnë mënyrën e duhur për të jetuar, menduar, lexuar, shkruar. Ajo joshet vetëm nga e papritura, e cila rrëzon çdo konstruksion brenda pak sekondash”, thotë Ferrante.
Për të përballuar jetën dhe përditshmërinë, njerëzit gënjejnë, mbi të gjitha gënjejnë veten. Në çastet kur faji dhe turpi i kanosen ndërgjegjes, kur këto ndjenja tronditin bindjet tona më të thellë për imazhin që kemi për veten, gënjeshtrat apo “përrallat e bukura” duket se na vijnë në ndihmë për të na mbrojtur nga përballja me realitetin.
Në këtë libër përsëritet forma narrative e romaneve të mëparshme. Lexuesi përballet me një histori të shkruar në vetën e parë nga protagonisti. Ferrante e sheh të padobishëm personin e tretë, duke parapëlqyer unin, por siç thotë ajo duke ndërtuar rresht për rresht mosbesueshmërinë absolute. “Ose, si në këtë tekst, duke sugjeruar këtu dhe atje hipotezën që uni që shkruan nuk përkon domosdo me unin për të cilin po lexojmë. Ai, ajo, unë janë pjesë e një trillimi të artikuluar në mënyrë strategjike për të marrë efekte të së vërtetës. Kur strategjia funksionon, rezultati është një gënjeshtër, e vërteta e së cilës na ndihmon të lëvizim në turmën kaotike të realitetit”, thotë Ferrante.
Struktura e thellë e psikikës së personazheve është e njëjta: dashuria mbetet në qendër të jetës së këtyre vajzave më shumë se ç’duhet; dashuria ngatërrohet me seksin; dëshira më shumë sesa i verbon personazhet, u rrëmben aftësinë e gjykimit dhe e vë këtë në shërbim të saj, shkruan kritika e Neë York Times.
Për “Il Fatto Quotidiano”, pastërtia e adoleshencës spërkatet vazhdimisht me gjak, spermë, intimitet të tradhtuar, papërshtatshmëri shoqërore dhe kulturore, një “dhembje e trazuar pa shëlbim” që, faqe pas faqeje, gërmon gropën që do ta ndihmojë Xhovanën të rritet.
Në romanin e ri të Ferrantes nuk mungojnë skenat seksuale brutale, megjithëse autorja pohon të kundërtën.
“Kur them momente të një transporti të madh emocional, përpiqem të sugjeroj kënaqësi pa përdorur detaje fizike. Për pjesën tjetër unë shkruaj dhe rishkruaj derisa seksi të pushojë së qenë brutal – unë e urrej seksin brutal – dhe bëhet ose tragjik, ose qesharak , ose të dyja njëherësh”, do ta argumentonte shkrimtarja.
Ferrante është autore e shumë romaneve të suksesshme, tashmë e njohur në gjithë botën. Shumë prej librave të saj kanë shërbyer si bazë për vepra të mira kinematografike. Botime Pegi ka sjellë prej saj sagën e njohur napolitane me vëllimet: “Mikesha gjeniale” (2016), “Mbiemri i ri” (2017), “Histori arratie dhe qëndrese” (2017) dhe “Historia e vajzës së humbur” (2018), vëllim me të cilin Elena Ferrante ishte finaliste në Man Booker International Prize, 2016.

Në vjeshtën e vitit 2018 u transmetua në Itali, në Rai 1 dhe TIMVISION, si dhe në Shtetet e Bashkuara në HBO, sezoni i parë i serialit të bazuar në romanin “Mikesha gjeniale”, me regji të Saverio Costanzo-s. Ky roman i ri mendohet të jetë baza e skenarit për një serial të Netflix.
Romani propozon s tema të trajtuara mbi të gjitha në librat e saj të mëparshëm.
“Në çdo libër që botoj, ndjehem sikur kam bërë diçka ndryshe, përndryshe nuk do ta botoja…Nuk po them që nuk do të doja të tregoja histori të tilla, por unë kam kufijtë e mi dhe kam mësuar t’i pranoj ato. Ky libër, po, e ndiej të ri në raport me të mëparshmit. Por ajo që është e re, për mua, sot është një mur që shembet, një gotë e thyer, një derë që përplaset”, rrëfente autorja.
***
Gjithçka ka mbetur e ngrirë. Kurse unë kam rrëshqitur dhe vazhdoj të rrëshqas edhe tani, brenda këtyre rreshtave që mëtojnë të më japin një histori, kur në fakt nuk janë asgjë, asgjë imja, asgjë që të ketë filluar vërtet apo që të jetë përmbushur përnjëmend: thjesht një lëmsh i ngatërruar që kurrkush, as kush po shkruan në këtë çast, s’e di në përmban fillin e duhur të një rrëfimi apo është veçse një dhembje e gafrruar, pa shpëtim.
***
Rinia e trazuar, lidhjet familjare të rreme dhe mbytëse, dashuria, e vërteta lakuriqe, tradhtia, dhe jo vetëm ajo bashkëshortore, miqësitë e sëmura, krizat e identitetit përbëjnë brumin mbi të cilin Ferrante sfidon mitin e familjes së lumtur dhe na shoqëron në këtë udhëtim të vështirë rritjeje. “Jeta e gënjeshtërt e të rriturve” ka të bëjë para së gjithash me adoleshencën – një periudhë kur mashtrimi dhe vetëmashtrimi janë në shkallën e tyre më të lartë dhe, të rritesh, do të thotë t’i nxjerrësh të palarat në shesh vetes dhe të tjerëve. Por jo vetëm kaq. Personazhet e Elena Ferrante-s jetojnë me emocione të jashtëzakonshme, pasione përpirëse dhe, sado ata bëjnë çmos të fshehin gënjeshtra të dhimbshme, jeta u nxjerr në pah të vërteta tronditëse.
“Më duket vetja e shëmtuar, e ligë, por prapë kërkoj të më falin dashuri”, thotë Xhovana, por a është vërtet kështu? Në cilën pasqyrë duhet të shihet për të gjetur dhe për të shpëtuar veten?
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




