Menaxhim

‘Librazhd-Prrenjas’, kreu i ARRSH: Do ndërtohet rrugë alternative, por s’kemi afat!

Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar Ami Kozeli, përmes një konference për mediat tha se shkaqet kryesore të dëmtimit të urës te “Arrat e Gurrës” kanë qenë reshjet intensive të shiut, si dhe erozioni lumor dhe saturimi i tokës.

Kozeli tha se kanë marrë vendim për të ndërtuar një rrugë alternative.

“Nga analiza e kryer rezulton se shkaku kryesor i kësaj situate mbetet ndikimi i reshjeve intensive dhe të shtrira në kohë të gjatë, erozioni lumor, si dhe saturimi masiv i tokës, gjë që ka çuar në një rrëshqitje masive aktive dhe pamundësi për ndërhyrje të menjëhershme”, tha Kozeli, duke shtuar se do ndërtohet një rruge alternative përgjatë hekurudhës në shtratin e lumit Shkumbin deri në stabilizimin e plotë të rrëshqitjes. 

Gjithashtu, ai tha se do prishet ura ekzistuese, tashmë jashtë funksionit.

Gjithashtu është vendosur sistemimi dhe disiplinimi i të gjithë ujërave sipërfaqësore në të gjithë zonën e planit të rrëshqitjes si dhe devijimi i rrjedhës së lumit që aktualisht godet trupën e hekurudhës.

Kreu i ARRSH-së, tha se nuk ka një afat kohor kur do të jetë gati.

“Ky aks i ri është me gjatësi minimumi 1.3 kilometra dhe nuk mund të themi një afat kohor. Lidhur me inertet, e mohoj që fenomeni të ketë ndodhur për shkak të marrjes së inerteve”, tha ai

Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, se shembja e rrugës Librazhd-Prrenjas nuk ka asnjë lidhje me ndërtimin e rrugës Korridori VIII, që kalon aty pranë.

“Lidhur me mbingopjen nga uji këtë u’a konfirmoi edhe drejtori i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, por ky nuk është një fenomen i konstatuar nga ARRSH, por nga të gjitha institucionet përkatëse. Lidhur me masat e ndikimit lumor, nëse unë arrij t’i përcaktojë në përqindje, nuk besoj se është askush në gjendje që t’i përcaktojë në përqindje. Ai thjeshtë konstatohet si fenomen dhe adresohet për të bërë të mundur masat mbrojtëse. Rruga e re nuk ka një lidhje të drejtpërdrejtë, ose nuk ka asnjë fakt shkencor që ta lidhë rrugën e re. Por unë them që një komponent shumë i rëndësishëm i rrugës së re të Korridorit VIII është edhe mbrojtja lumore e lumit Shkumbin, që ju e gjeni të realizuar dhe të përfunduar në akset fillestare në Fushë-Labinot. Ky është një nga komponentët më të rëndësishëm, pasi është identifikuar një problem i tillë në këtë aks rrugor, që është edhe ujëmbajtës“, tha mes të tjerash Kozeli.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë