Libra

‘Librat e Tik-Tokut dhe Instagramit po e orientojnë keq lexuesin shqiptar’

Në një bisedë për Gazetasi.al tre librarë të tre prej librarive në Tiranë, rreshtojnë arsyet se pse libri shqip nuk shitet...

Nga Gazeta “Si”– Libri shqip nuk është në ditën e tij më të mirë. Në një treg të mbushur me letërsi të përkthyer, letërsia shqipe shpesh mbetet anash duke nisur që nga lexuesi i cili është skeptik e deri te libraritë të cilat thonë se libri shqip nuk është më i preferuari mes lexuesve.

Madje shpesh ka libra dhe autorë të cilët nuk pranohen në librari.

Ndoshta, duke qenë se libri mbetet në fund të fundit një objekt i cili ka një çmim shitjeje, dhe sjell përfitime, edhe libraritë preferojnë që në  raftet e tyre të ekspozohen libra me autorë të huaj, duke shpresuar sapak se nëpërmjet librit mund të fitohet.

Në një bisedë për Gazetasi.al tre librarë prej librarive më të mëdha në Tiranë rreshtojnë arsyet se pse libri shqip nuk shitet, që tek mungesa e interesit sidomos për poezinë e deri tek orientimi i gabuar që u bëhet lexuesve nëpërmjet librave të Tik-Tokut.

Sinan Lila: Mungesa e kritikës sjell dhe mosvëmendje të lexuesit ndaj librit shqip

Menaxheri i librarisë Adrion, Sinan Lila , thotë për Gazetasi.al se edhe pse stendat e dedikuara nuk mungojnë, lexuesi është i prirur drejt letërsisë së huaj.

“Në krahasim me letërsinë e huaj, tregu i librit shqip është i ulët. Fokusi i lexuesit është tek letërsia e përkthyer dhe tek ideja e letërsisë së mirë ndoshta. Ne kemi stenda të konsiderueshme dedikuar librit shqip, qoftë letërsisë bashkëkohore, qoftë edhe asaj të rilindjes ose librave studimorë”

Ai ia vë fajin mos promovimit të letërsisë shqipe nga mediat dhe kritika, si arsyet kryesore pse lexuesi nuk lexon shqip.  

Librari Adrion

“Një arsye se pse librat shqip nuk kanë shitje është fakti se në televizione, mediume apo programet shkollore, nuk promovohen sa duhet autorët shqiptarë. Të gjithë këto elementë duke i bashkuar edhe mungesën e kritikës letrare, e çojnë librin shqip në këtë pikë ku kërkesat janë të pakta. Pra ekziston ajo ndjesia se nëse merr një autor shqiptar ti nuk je duke shijuar një libër të mirë. Ne si librari Adrion jemi treguar të hapur për bashkëpunime me autorë shqiptar por gjithmonë duke përzgjedhur librin mbi disa kritere, nëse është një libër i mirë dhe që tregu e kërkon deri në një farë mase”

Lila thotë se rrjetet sociale ndikojnë në promovim dhe shitje edhe pse ka një kategori e cila thuajse nuk shitet fare, poezia.

“Ka një kategori të cilën ne e kemi neglizhuar e cila është kategoria e poezisë që ka shumë shumë pak interes. Promovimi i librit në mënyra të ndryshme, në media, në takime lexues apo edhe në rrjete sociale ka shumë rëndësi. Ka autorë shqiptar që janë bërë bestseller vetëm nga promovimi që i bëjnë librave të tyre në rrjetet sociale”

Arta Zeneli:  Librat e Tik-Tokut dhe Instagramit po e orientojnë keq lexuesin

Arta Zeneli e Librari Art’s thotë për Gazetasi.al se në librarinë e saj i dedikohet hapësirë dhe kohë letërsisë shqipe, madje edhe sugjerohet, por sipas saj, janë rrjetet sociale që i orientojnë gabim lexuesit, sidomos ata të rinj.

“Nuk mund të them se autorët shqiptarë nuk janë të preferuar në librarinë time. Tek ne zënë një vend të konsiderueshëm edhe në hapësirë por edhe në referencat që ne japim tek lexuesit për autorët shqiptarë. Nuk dua t’i ndaj se kush është më i lexuari dhe më i shituri edhe pse influenca bën punën e saj, e drejtë ose e gabuar ku në fakt shpesh herë është orientim i gabuar. Rrjetet sociale Tik-Tok dhe Instagram shpesh herë e orientojnë gabim lexuesin. Janë disa libra që nuk ia vlejnë të lexohen, me gjëra false të cilat edhe shiten sepse ndikohen nga rrjetet sociale dhe më vjen keq për këtë. Por e rëndësishme është të jenë të gjithë titujt në librari” thotë Zeneli.

Art’s Librari

Ajo i adreson problematikat e librit shqip ndaj institucioneve por dhe botuesve.

“Sipas meje fajin pse nuk lexohen autorët shqiptarë nuk e kanë lexuesit por ata që drejtojnë politikat e librit në Shqipëri. Nuk ka rregulla dhe as politika orientimi çka e bëjnë tregtinë e librit shpesh të përafërt me një pazar fruta perimesh. Plus që ka dhe mangësi dhe mos seriozitet edhe nga shtëpitë botuese të cilat së pari nuk ofrojnë asnjë ulje në çmim të librit dhe së dyti ata nxitojnë të botojnë autorë dhe shkrimtarë të huaj, shpesh të përkthyer keq” thotë Arta Zeneli.

Nekije Shahinasi: Në Librari Onufri 80 përqind e lexuesve zgjedhin autorë shqiptarë

Përpos kërkesave të ulëta në treg për librin shqip, ka një librari në të cilën ky rregull përmbyset. Në Librari Onufri preferohet libri shqip dhe kjo jo pa arsye. Si një degë e shtëpisë botuese Onufri, e cila prej tridhjetë vitesh i jep prioritet letërsisë shqipe, edhe në librari s’kishte si të ndodhte ndryshe. Këtë na e konfirmon libraria Neki Shahinasi e cila për Gazetasi.al thotë se libraria është e tëra thuajse në funksion të letërsisë shqipe.

“Në librarinë tonë, raporti mes kërkesës për libra në gjuhën shqipe dhe atyre në gjuhë të huaj është rreth 80 me 20 në favor të shqipes. Kjo lidhet, sigurisht, edhe me mënyrën se si janë ndarë hapësirat në librari, ku librat në shqip kanë një prezencë më të madhe fizike. Por përtej kësaj, ka një tendencë të vërtetë ndaj gjuhës shqipe”

Ajo shton se ka edhe të huaj të cilët interesohen për libra shqip edhe pse nuk i kuptojnë.

“Interesante është që edhe vizitorët e huaj dhe turistët shpesh tërhiqen pikërisht nga librat në shqip. Ndoshta është dëshira për të marrë me vete një copëz të kulturës vendase, ndoshta thjesht kurioziteti. Por nuk është e rrallë që të huajt të blejnë libra shqip, edhe pa e zotëruar gjuhën në mënyrë të rrjedhshme”

Por sipas Shahinasit, shkrimtarët që preferohen janë kryesisht ata të cilët arrijnë të komunikojnë dhe të lidhen me lexuesin, duke dalë nga statura e shkrimtarit tradicional.

“Sa i përket autorëve shqiptarë, duket se suksesi i tyre nuk varet vetëm nga emri, por nga mënyra se si ndërtojnë lidhjen me lexuesin. Tematika që zgjedhin, stili letrar dhe prezenca në rrjete apo në media kanë ndikimin e tyre. Autorët që arrijnë të komunikojnë përtej kufijve të zakonshëm të letërsisë ‘tradicionale’ janë ata që gjejnë më shumë hapësirë dhe interes te lexuesi. Shpesh është marketingu dhe zëri unik që bën diferencën, jo vetëm emri apo background-i letrar” thotë Shahinasi.

Librari Onufri

Mungesa e kritikës së mirëfilltë, apo mos vëmendja e medias ndaj autorëve shqiptarë janë disa nga arsyet mbase që letërsia shqipe nuk preferohet nëpër librari. Historia e gjatë e komunizimit dhe po ashtu letërsia e indoktrinuar e  soc-realizmit e “ndotën” besueshmërinë e saj. Por pas viteve nëntëdhjetë, letërsia shqipe gjalloi me emra dinjitozë të cilët u përpoqen të kapërcejnë me hapa të mëdhenj nga letërsia vanitoze dhe e indoktrinuar në një letërsi moderne me tema aktuale. Edhe pse subjektet mbi komunizmin dhe pasojave të tij, mbetën për shumë vite tema kryesore e romaneve shqiptare.

Por sot mes trendit të rrjeteve sociale dhe vetëpromovimit te autorëve duke u shndërruar shpesh edhe në  menaxherë të vetes, libri shqip ende përballet me problematika të cilat për hir të së vërtetës ndikohen së pari nga cilësia e dobët e një pjese të letërsisë shqipe dhe së dyti nga vëmendja e pakët që i jepet librit shqip nga mediumet por edhe nga ato të cilat e kanë detyrë, insititucionet. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë