Ka ndodhur

Lezhë / 48-vjeçari kapet me armë zjarri dhe dy mina me telekomandë, policia: Do përdoreshin për ngjarje kriminale

Nga Gazeta Si- Një 48-vjeçar nga Pogradeci është arrestuar në Lezhë, pasi u kap teksa transportonte me makinë armë zjarri dhe dy mina me telekomandë, të cilat sipas policisë do përdoreshin për ngjarje kriminale.

Mësohet se në pranga ka rënë shtetasi A. Z., i cili akuzohet për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Gjatë operacionit, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Shënkollit”, Lezhë, shërbimet e Policisë ndaluan për kontroll automjetin taksi ku udhëtonte si pasagjer shtetasi  A. Z. Nga kontrolli fizik i këtij shtetasi, Policia  i gjeti 1 armë zjarri pistoletë me fishekë, dy mina me telekomandë, dhe municion luftarak.

“Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen e plotë të qëllimit të udhëtimit të 48  vjeçarit i armatosur me armë zjarri dhe mina, si dhe për identifikimin e kapjen e shtetasit/ve që do të bashkëpunonte në Lezhë, për të kryer ngjarje kriminale”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë