Libra

Lezha shpall Konkursin Letrar Mbarëkombëtar ‘At Gjergj Fishta’ 2025

Nga Gazeta “SI”– Bashkia Lezhë ka shpallur hapjen e edicionit të radhës të Konkursit Letrar Mbarëkombëtar “At Gjergj Fishta”, i cili do të zhvillohet më 23 tetor 2025. Ky konkurs synon të nderojë figurën e At Gjergj Fishtës dhe të promovojë krijimtarinë më të mirë letrare në hapësirën mbarëkombëtare.

Në këtë edicion, autorët do të konkurrojnë në tre gjini: poezi, prozë dhe përkthime letrare. Veprat pjesëmarrëse duhet të jenë botime të periudhës tetor 2024 – shtator 2025.

Juria e këtij viti përbëhet nga emra të njohur të letrave shqipe si shkrimtari, poeti dhe përkthyesi Rudolf Marku, poetja dhe studiuesja Erenestina Gjergji Halili si dhe shkrimtari, studiuesi dhe politikani Bajram Kosumi.

Çmimet do të ndahen për secilën gjini, megjithatë organizatorët theksojnë se në mungesë të veprave që plotësojnë kriteret estetike dhe formale të një letërsie me dinjitet të lartë, nuk do të shpallet fitues. Në përputhje me trashëgiminë e Fishtës, përparësi do t’u jepet veprave që lidhen me intonacionet e letërsisë klasike dhe realiste, si dhe me format moderniste e formaliste.

Edicioni i këtij viti ndryshe nga edicionet e tjera do të mbahet në memorialin e Gjergj Fishtës në fshatin Fishtë të Lezhës dhe do të jetë një festë e bukur dedikuar një emri të madh të letrave shqipe siç është Gjergj Fishta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë