Ngjarje

Letrat e Princeshës Diana shiten për 113.000 dollarë në ankand

Pasi ishin fshehur në një dollap për më shumë se dy dekada, një koleksion letrash të shkruara nga Princesha Diana dolën në ankand javën e kaluar dhe u shitën për 82,000£(rreth 113,000 dollarë). Të shkruara midis viteve 1990 dhe 1997, letrat ishin për mikun e familjes Roger Bramble. Familja Bramble thotë se letrat tregojnë një anë tjetër të princeshës, veçanërisht tani që “The Crown” i Netflix ka dramatizuar problemet që ajo kishte me burrin e saj, Princin Charles dhe anëtarët e tjerë të familjes mbretërore.

Sipas revistës Marie Claire, letrat prekin disa probleme, të tilla si “divorci i Dianës nga Princi Charles, lufta e saj me shëndetin mendor dhe gjithë përfshirja e mediave”. Sidoqoftë, siç përmend familja Bramble, letrat gjithashtu tregojnë një anë më të qetë të personalitetit të Dianës.

Në një letër, e cila mban datën 19 tetor 1995, Diana i referohet Mbretëreshës Elizabeth II si “Shefi”. Kjo letër u shit për rreth 12.000 dollarë.

“Unë shpresoj që ardhja juaj në Westminster Abbey të jetë para Shefit (Mbretëreshës) dhe nëse jo, pres që të ketë një justifikim”, shkruhet në atë letër.

Mimi Connell, menaxherja e shtëpisë së ankandit thotë se ofertat erdhën nga të dy anët e Oqeanit Atlantik.

“Njerëzit thjesht e duan Dianën dhe mund të mësojnë më shumë për karakterin dhe personalitetin e saj duke lexuar këto letra”, tha Connell.

Paratë e mbledhura nga ankandi do të ndahen midis katër organizatave bamirëse me të cilat Diana ka punuar.

Burimi: Marie Claire. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë