Nga Gazeta Si - Letërsia shqipe apo ajo e rajonit, përkatësisht serbe, cila është më e arrirë? Përgjigjen për këtë e ka Ben Andoni, i cili me të dhëna historike tregon në Podcastin "T'pa Thana" me Liridon Mulaj se letërsia serbe ka ecur me hapa të mëdhenj dhe shkrimtarët kanë menduar për dekada më pas.
“Ka pasur një moment të jashtëzakonshëm kulturologjik në Beograd dhe kjo lidhet me një godinë që quhet “Francezi i shtatë”. Është një godinë me arkitekturën neoklasike që një nga të pasurit e Beogradit ia la Lidhjes së Shkrimtarëve dhe akoma Lidhja e Shkrimtarëve është në të njëjtën godinë”, shpjegon Andoni, i cili shton se asokohe, shkrimtarët filluan të ishin të hapur për të gjitha rrymat dhe të ftojnë të gjithë artistët që shkonin në Beograd në atë kohë.
“Jepnin workshop-e dhe bënin biseda. Mbi të gjitha, shkrimtarët në Beograd filluan të përkthejnë të gjithë autorët kryesorë të botës dhe kjo pjesë e kulturës ndikoi breza me radhë dhe në vitet ‘80 një pjesë e shkrimtarëve filluan të mendonin për shekullin e 21, jo më për shekullin 20”, shpjegon Andoni, duke treguar se ndryshe nga ata, ne vazhdojmë të jemi të bllokuar nga një pjesë e të ashtuquajturës elita.
“Shkrimtarët shikojnë çdo moment që vlerat e tyre nuk shikohen për arsyen e vetme sepse njerëzit nuk kuptojnë vlerat e vërteta. Ndërfutja e kulturave të ndryshme dhe arritja që kulturën e tyre ta fusin në enë komunikuese, të komunikojnë me botën, ka qenë avantazhi i tyre”.
Një ndër të vetmit përkthyer që bën përkthime nga serbishtja, Andoni tregon fillimet e tij me gjuhën serbe.
Ai thotë se në lagjen e tij, i vetmi kanal që mund të shihje ishte kanali sllav 1, më vonë u shtua dhe kanali i dytë. Ndërkohë, më pas, teknikët sajuan një aparat të vogël dhe nëpërmjet këtij aparati arrije të futeshe tek kanalet serbe.
“Nga këto kanale u formova kulturalisht pasi për herë të parë ne pamë artistët e vërtetë. Në kohë të caktuar kishte maratonë filmash dhe jepeshin filmat më të njohur të botës. Një pjesë të emancipimit tim kulturor e kam nga televizionet sllave. Titrimi i tyre nga anglishtja në serbisht ishte ndihma më e madhe për mua”, thotë Andoni i cili ‘thirrjen’ përfundimtare për të përkthyer serbisht e mori nga disa shokë të tij të cilët ishin në shkollën e sigurimit dhe i sillnin librat që mësonin dhe, për herë të parë, ky ka qenë ‘takimi’ me librat serb.
Puna në Institutin Hidro-Meteorologjik e nxiti të studionte shkencat ekzakte pasi donte që pjesën e studimeve historike ta përfshinte në një rrafsh ekonomik.
“Nëse keni parë me kujdes, në të gjitha perceptimet historike që bëjmë, neve na mungon logjika ekonomike, si për shembull, në shifrat që përmendim. Dimensioni ekonomik është një nga disiplinat për të cilat vuan shumë vendi ynë”, përmend Andoni.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.