Art dhe Kulture

Letërsia e Ballkanit brenda një klubi xhazi

Shkrimtari Arian Leka në mbrëmjen homazh për shkrimtaren kroate Daša Drndić

Suadela Balliu -Daša Drndić nuk kishte shkelur kurrë në Shqipëri, e megjithatë atmosfera  jashtë dhe brenda hotel “Dajti” –ku familja Tedeschi i kalon disa net përpara se të kalojnë sërish një tjetër kufi –vijnë  të përshkruara me hollësi aq të gjalla si të një njeriu që ka jetuar e vëzhguar gjatë qytetin.

Kur mbërriti me të vërtetë në Tiranë, me një avion që do e sillte nga Kroacia, mendimi i parë ishte të gjurmonte të shkuarën, atë familje hebraike që pena e saj e kishte vendosur pikërisht në këtë vend.  Çka  gjeti ishte një godinë fantazmë.

“Shkova të shoh Hotel “Dajti”. Kisha një vegim të hotelit të pasur të periudhës së Italisë fashiste…”, kujtoj se më  tha  ndërsa e intervistoja dy vjet të shkuar, ndërsa në sfond dëgjoj të lexohet  një reportazh,  nxjerrë prej shënimeve “Me Shqipërinë në xhep” , të cilat i shkroi pas përvojës një mujore si banore e Tiranës.

Komunikimet me duar kur gjuha nuk bënte punë , vështirësitë për të gjetur adresat në rrugët ku mungojnë tabelat, mirësinë e vendasve të gatshëm për të ndihmuar, takimet e bisedat me shkrimtarë e përkthyes, me të mbijetuar të regjimit komunist, por edhe përshkrimet e zonës së Pazarit të Ri, që dhjetorin e vitit 2015 u shndërrua në lagjen e saj.“Ndoshta do të jetë për herë tjetër”, thoshte ndërsa shprehte dëshirën për të parë nga afër edhe Sarandën, Vlorën, varrezat hebraike, të përshkruara gjithaq në romanin e saj...

Përkthyesi Ben Andoni

Nuk mundi. Të paktën fizikisht, pasi më 6 qershor të këtij viti do të ndahej nga kjo botë, në moshën 72 –vjeçare, por në  klubin e xhazit “Hemingway”, qëndron mbi piano, brenda librit “Fëmijët e Dashurisë dhe Urrejtjes”, sjellë në shqip nga përkthyesi Ben Andoni dhe botimet “Poeteka”.

"Fëmijët e Dashurisë dhe Urrejtjes", Daša Drndić

Një mbrëmje homazh për shkrimtaren  kroate, e cilësoi shkrimtari Arian Leka, mik dhe mikpritës i saj në Rezidencën e Shkrimtarit “Tirana in Between” –një projekt që mirëpret çdo muaj shkrimtarë e përkthyes nga Ballkani e një pjesë e Europës Perëndimore.

Sapo ka mbaruar së lexuari Ben Andoni  një prej tregimeve ku shkrimtarja përshkruan  ditën që e kishte lënë të takohej me Maks Velon në shtëpinë e tij, mision i pamundur të orientohej për të gjetur adresën e saktë dhe portën e shtëpisë, ndërsa Velo ndan me dashamirësit e letërsisë që janë mbledhur për rastin disa prej  mbresave dhe bisedave të këmbyera me shkrimtaren.

“Shkruaji Maks të gjitha këto!” – do e inkurajonte ajo sa herë ai do të ndante disa prej kujtimeve të burgut. Kur ishte në Tiranë u takua me ata që i mbijetuan tmerrit komunist. Në biseda të gjata me Maks Velon apo Fatos Lubonjën ka kuptuar se ç’ndodhte në burgjet e komunizmit. Pikërisht një prej këtyre burgjeve, atë më famëkeqin e Burrelit, Drndić e ka përfshirë në një tjetër roman të saj “Belladonna”, ku disa pjesë ia kushton sërish  Shqipërisë dhe jetës  gjatë sundimit të Enver Hoxhës në burgjet e Burrelit, ku disa personazhe janë emra të njohur të skenës publike.

(...Në burg, Massimo Ketz u takua me Fatos Lubonjën, i dënuar me 25 vjet burg nga të cilat 17 syresh të kryera në Burrel, romanin e të cilit shkruar në kutitë e cigareve, nuk arriti ta lexojë; njohu Pjetër Arbnorin të burgosur për 28 vjet, dëgjoi tregimet horror, ka parë trupa të rrahur, nofulla t’pa dhëmbë. Kohë të vështira, kohë e mendjeve të inatosura, rregulli të pafund ouroborosi).

Maks Velo duke ndarë kujtime nga bisedat me shkrimtaren kroate. 

Ndoshta bisedat me shkrimtaren do shërbenin si një lloj nxitjeje që Velo të  përfundonte së shkruari përmbledhjen me tregime “Përkthyesi”, frymëzuar nga ngjarje dhe njerëz që njohu gjatë kohës kur vuante dënimin në burgun e Spaçit.

Poetja Maqedonase, Lidija Dimkovska

Lidija Dimkovska , poetja nga Maqedonia, ndan kujtimet personale me Daša Drndić. U njohën në Vjenë në një prej rezidencave të shkrimtarëve, fati e desh që të takoheshin  edhe njëherë në ngjarjet letrare në Berlin, do të shiheshin edhe në Shkup, pastaj në Rijeka-qytetin ku banonte ajo.

“Vitin e kaluar nuk munda  të shkoj, sepse  kisha dhembje të fortë në gju, por këtë vit them se do të shkoj sepse kam vetëm kancer”, do i thoshte poetes maqedonase ndërsa bisedonin rreth Festivalit të Letërsisë , i cili organizohet çdo vit në Split të Kroacisë.

Pas të gjitha takimeve, fati e desh që ta ritakonte Dasa-n sërish. Kësaj here në Tiranë, ndërsa jeton në të njëjtin apartament ku jetoi ajo dy vjet më parë. Për Dimkovskan, Drnic nuk ishte një shkrimtare e madhe e Ballkanit, por një peshë e rëndë e letërsisë europiane, duke lënë pas një testament, librin e saj “Fëmijët e Dashurisë dhe Urrejtjes”, titulluar në origjinal “Sonnenschein” dhe përkthyer në më shumë se pesëmbëdhjetë gjuhë.

Historia e nëntë mijë hebrenjve që vuajtën në kampet e përqendrimit apo humbën jetët në kampet naziste të shfarosjes gjatë Luftës së Dytë Botërore. Një roman dokumentar, i errët, goditës, i cili nuk mund ta lërë as lexuesin më indiferent të njëjtë pas katërqind faqesh, ku rrëfimet e tmerreve vijnë të gjalla pas dëshmive në vetë të parë të të mbijetuarve prej ferrit nazist. Në katërqind faqe, njëqind syresh janë emra. Të nëntëmijë viktima, hebrenj italianë, të vrarë apo dëbuar nga nazistët, shumica në kampet e vdekjes.

Romani nis me Haya Tedeschi-n, një grua 83-vjeçare me origjinë hebraike, e cila pret në shtëpinë e saj në Gorizia, qytet në kufirin mes Italisë dhe Sllovenisë, në veriperëndim të Triestes, kthimin e të birit që e lindi nga marrëdhënia me një oficer të SS-ve, e që 62 vjet më parë ia rrëmbyen si pjesë e projektit “Lebensborn”. Është pikërisht kjo histori e fortë, jo vetëm e protagonistes, Hayas, të cilën shkrimtarja e solli me trillin e saj edhe në Shqipëri , por e mijërave si ajo fëmijët të cilave u rrëmbyen për të realizuar projektin e një ‘race’ të re, që e bëri shtëpinë botuese shqiptare ta titullonte, me pëlqimin e shkrimtares, “Fëmijët e Dashurisë dhe Urrejtjes. Libri përmbledh  kronikat tronditëse të pushtimit nazist në Italinë e Veriut.

Silvana Leka duke lexuar poezitë e autores maqedonase

...Mbrëmja në klubin xhaz ka ndërruar lehtë regjistër, ndërsa Silvana Leka  përkthyese  dhe drejtorja e botimeve “Poeteka” lexon disa poezi të  Dimkovska-s.Në vargje rrëfehet për të tjera dëbime, luftëra të reja, të shekullit që  jetojmë

Në orën 7 e 40

pastruesi me fshesë i përshkon

parmakët e pahisë

përpara ambasadës siriane.

Lexohet në shqip poezia “Mëngjes sirian” përkthyer nga Daim Miftari, ndërsa si në një kreshendo imazhi poetik bëhet aq i gjallë ndërsa pamjet e tmerrit bëhen grafike.

Pastruesi me thonj pastron njollë pas njolle.

Por gjaku i Sirisë është ngjizur,

çdo pikë e re pikon përbrenda, jo jashtë plagës.

“Si mundet në ora 8 të jetë ende natë”,

Dimkovska është autore e  gjashtë librave  me poezi dhe tre romaneve , të përkthyer në më shumë se 20 gjuhë.

nuk e dinë se ironia mund të jetë gjithmonë

më e madhe se jeta,

dhe se ato, refugjatë nga Siria,

kontrabandisti i hodhi nga kamioni

pikërisht pas ambasadës siriane,

si në natyrë të vdekur gjenden

para pastruesit që e di se bota do t’i shkelë

Janë pesë poezi të  zgjedhura nga autorja që lexohen në të dy gjuhët, atë maqedonase dhe shqipe. Pas mëngjeseve tragjikë të refugjatëve sirianë, efekte anësore të një lufte gjeopolitike që rrafshon jetë njerëzish dhe qytetërime për t‘i kthyer në sheshbetejë, të gjitha këto në emër të lirisë, të demokracisë, vijnë azilantët – refugjatë të tjerë me status të veçantë, por jo të mirëpritur.

Qendra më e madhe për azilantë gjendet nën tokë.

Ata janë vetëvrasësit, që kanë emigruar në atë botë,

të paparanueshëm, të shtypur të munduar prej botës këtu.

Poezia e Dimkovska-s  është dëshmi që i rrëzon të gjithë ato stereotipa të ngritur se vargjet nuk kanë peshën e duhur për të adresuar çështje kaq të forta. Ajo ia del. Dëgjuesi, në fund të mbrëmjes i merr me vete si thika që ngulen në tru, ata mijëra sirianë  dhe  kandrra të panumërta, të mëdha, të mesme të vogla, që  kanë mbuluar kalldërmin, ku dergjen dëshira për jetë tash të këputura...

Pas tre javësh si banore në  Rezidencën letrare "POETEKA - Tirana in Between", pjesë e Programit "Reading Balkans", mbështetur nga Creative Europe dhe Traduki, Dimkovska do të largohet, për të vazhduar angazhimin e saj në letërsi, me disa mbresa më shumë nga Shqipëria, ashtu si mikesha e saj Daša Drndić, e cila iku me “Shqipërinë në xhep” dhe një dëshirë të madhe për të shkruar një tjetër libër për këtë vend.

Miriam Neziri duke lexuar pjesë nga reportazhet e Drndic

Kur familja Tedeschi udhëtoi drejt Vlorës, më 1938-ën numëroheshin rreth 600 hebrenj në këtë qytet. Është koha kur në Tiranë Enver Hoxha mbyll dyqanin e tij të quajtur “Flora”– aty ku shiten pije alkoolike dhe joalkoolikë, panine dhe duhan. ...Është koha kur Mustafa Merlika Kruja, i sapoemëruari kryeministër i Shqipërisë -beniamin i Musolinit -urdhëron arrestimin, persekutimin dhe vrasjen e atyre që kundërshtojnë regjimin. Koha kur arrestohet Koçi Xoxe dhe dënohet nga italianët me varje, koha kur vritet lideri i lëvizjes rinore Qemal Stafa. Është koha kur Enver Hoxha fotografohet gjithnjë e më shpesh, duke zbuluar dy dhëmbët e tij të florinjta…Përpara largimit drejt qytetit të lindjes, Gorizia, familja Tedeschi kalon disa net në hotel Dajti- simboli i shkëlqimit të epokës fashiste në Shqipëri…

“Doja të vija përpara ’91 –shit, edhe më vonë por patëm një luftë tjetër…Shpresoj që të mos j të herë e fundit që vij në Tiranë”, do të thoshte thuajse tre vjet të shkuar Drndić. Dhe vërtet nuk qe. Një mbrëmje e tillë e vërteton për të kushedisatën herë se shkrimtari nuk vdes dhe se një njeri mund të jetë i pranishëm edhe pa qenë aty fizikisht.

Ajo që nisi si një homazh për një penë që për fat të keq nuk do të shkruajë më, u kthye në një kremtim të letërsisë ballkanase. Një klub i vogël xhazi që strehon një letërsi vendesh të vegjël, por jo letërsi të vogla. “Duhet shkruar t’i kujtuar tmerret. Për të mos harruar” – do të thoshte më 2015 –ën Daša Drndić, ndërsa bota kujtonte shtatëdhjetë vjetorin e Luftës së Dytë Botërore.Duhet lexuar për të mos harruar tmerret, të shkuarën, dhimbjet, padrejtësitë, marrëzitë e pushteteve dhe duhet lexuar për të njohur; për të njohur fqinjët, për të mos paragjykuar...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë