Rend dhe Ligj

Lejonin baste sportive, masë sigurie për 6 punonjës policie

Gazeta Si – Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka zhvilluar një operacion në Elbasan, ku prokurroria ka caktuar masa sigurie ndaj 7 personave, të cilët lejonin dhe organizonin bastet sportive online. Gjashtë prej tyre rezultojnë të jenë punonjës policie në qarqe të ndryshme.

Për dy prej tyre, është caktuar “arrest shtëpie”, ndërsa për 4 të tjerë është caktuar masa e ndalimit të daljes jashtë vendit dhe “detyrim paraqitje”.

Sipas vendimit të gjykatës, masa e sigurimit personal “Arrest në shtëpi” është caktuar për nënkomisarin R.T., specialist për krimet në Stacionin e Policisë Manëz, inspektorin E.K., ndihmës specialist/kontrollor në Stacionin e Policisë Kufitare Morinë, si dhe për shtetasin I.T., banues në Tiranë.

Ndërkohë, për katër punonjës të tjerë të policisë është vendosur masa “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Këta janë komisari D.S., shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Devoll, nënkomisari A.M. dhe inspektori G.B. në Policinë Kufitare Morinë, si dhe inspektori E.D., trupë shërbimi operacional në njësinë speciale RENEA.

Hetimet kanë zbuluar se të dyshuarit, duke shfrytëzuar funksionet e tyre, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar dhe favorizuar ushtrimin e lojërave të fatit dhe basteve sportive të palejuara.

Ata akuzohen për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë së lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Shpërdorim i detyrës”.

Gjatë veprimeve proceduriale janë sekuestruar 7 telefona celularë, që dyshohet se janë përdorur për aktivitetin kriminal


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë