Policia e Shtetit ka reaguar pas akuzave të Sekretarit të Përgjithshëm të bashkisë së Vaut të Dejës, Mark Zhurit ndaj shefit të komisariatit të kësaj zone, Bardhyl Saliu se ai ka lejuar kultivimin e kanabisit në këmbim të parave.
Në njoftimin e shpërndarë, policia bën me dije se pas denoncimit të bërë, u ngritën disa grupe pune në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore për të verifikuar në terren pretendimet e Mark Zhurit por nuk është konstatuar asnjë bimë narkotike.
“Mark Zhuri i ka vijuar akuzat e tij edhe në rrjetet sociale, me postime dhe komente për të shkarkuar nga detyra shefin e Komisaritatit të Policisë Vau i Dejës, me pretendimin se është i korruptuar dhe i lidhur me veprimtarinë kriminale të kultivimit të kanabisit.
Gjithashtu policia bën me dije se Bardhyl Saliu në datën 9 shtator 2022 ka bërë një kallëzim në Prokurorinë e Shkodrës lidhur me komentet dhe thirrjet e Mark Zhurit në rrjetet sociale për ta shkarkuar atë nga detyra e shefit të Komisariatit të Vaut të Dejës”, thuhet në njoftimin e policisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




