Rend dhe Ligj

Lejoi punësimin e Muçi Shaljanit në shkelje të ligjit, pezullohet drejtori në AMP

Nga Gazeta Si- Prokuroria e Tiranës ka kërkuar pezullimin nga detyra të Gëzim Salës, drejtor i Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse në Agjencinë për Mbikëqyrjen Policore, pasi akuzohet se ka lejuar në shkelje të ligjit punësimin e agjentit Muçi Shaljani, i cili mbeti viktimë në atentatin e Rinasit në 11 nëntor 2025.

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, u vendos caktimi i masës së sigurisë ‘Ndalim i daljes jashtë shtetit’ dhe ‘Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik’ ndaj Salës, nën hetim për “shpërdorim detyre”.

Hetimet nisën pas kallëzimit të kryer nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, mbi punësimin në kundërshtim me ligjin pranë kësaj agjencie të Shaljanit, i cili humbi jetën në rrethrrotullimin e Rinasit, i qëlluar me armë zjarri së bashku me Gilmando Danin.

Nga hetimet, rezultoi se Shaljani ishte punësuar prej afro 2 muajsh si punonjës i AMP-së në funksion ndihmëspecialist në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale.

Prokuroria provoi se dokumenti që iu gjet ishte i falsifikuar, pasi nuk rezultonte që AMP ta ketë pajisur me dokument.

Shaljani kërkoi të punësohej në AMP më 09.09.2025 dhe pranimi i tij më 15.09.2025, nëpërmjet një urdhri, rezulton haptazi në kundërshtim me ligjin.

Sipas hetimeve, dyshohet se procedura e ndjekur për rekrutimin e Shaljanit nuk është ligjore dhe se ai në këtë proces ka nënshkruar miratimin vetëm për anën formale të akteve dhe jo në përmbajtje.

Ndërkohë që ai ka kërkuar që ky urdhër të bëhej shpejt me motivacionin “pranohet me kontratë të përkohshme dhe për nevoja emergjente”.

Shaljani u pagua me rrogë të rregullt nga data 16.09.2025 deri ne date 11.11.2025 (data e ngjarjes në rrethrotullimin e Rinasit), pa u paraqitur asnjëherë në punë, apo zhvilluar ndonjë detyrë.

Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani alias Sheqeri, sapo ishin kthyer nga Barcelona kur ndaj tyre u bë atentat në rrethrrotullimin pranë aeroportit të Rinasit.

Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, humbi jetën menjëherë, ndërsa Shaljani mbeti fillimisht i plagosur, por ndërroi jetë disa ditë më vonë në spital.

Pak ditë më parë, SPAK mori në dorë dosjen e atentatit të dyfishtë, pasi Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencën, duke argumentuar se vrasja është kryer nga një grup i strukturuar kriminal.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë