Komunitet

Lejet e qëndrimit, ndryshojnë rregullat për të huajt në Shqipëri

Qeveria ndryshon rregullat për lejet e qëndrimit të huajve në Republikën e Shqipërisë. Në një vendim më të fundit të marrë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, janë miratuar kriteret shtesë për qëndrimin e të huajve që jetojnë edhe punojnë Shqipëri, duke ndryshuar  VKM-në “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave e të dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë”.

Për çdo hyrje nga shtetasit e huaj përveç dokumenteve si Ftesa e garantit/ftuesit në Shqipëri; Bileta/rezervimi për kthimin; Dëshmia për akomodimin e mbështetur në prova; nëse hyn në Shqipëri për motive punësimi do t’i duhet paraqesin  si garanci shumën në vlerën 5000 lekë për ditë qëndrimi për të rriturin dhe 2500 lekë për të miturin për të përballuar qëndrimin në vendin tonë.

Aplikimi për leje qëndrimi për herë të parë, sipas VKM-së, depozitohet personalisht, ndërsa për ripërtëritjen e lejes së qëndrimit mund të depozitohet personalisht, ose nëpërmjet një personi të autorizuar,  në rast se aplikuesi është i mitur, autorizimi mund të bëhet nga njëri prind, me kusht që i huaji të ndodhet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë në momentin e aplikimit, sipas afateve të përcaktuara në pikën 1, të nenit 38, të ligjit “Për të huajt”: a) brenda 30 ditëve pas hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë; b) deri në 60 ditë përpara përfundimit të afatit të lejes ekzistuese të qëndrimit për ripërtëritjen e saj; c) përtej afatit të përcaktuar në shkronjën “b”, të kësaj pike, për ripërtëritjen e lejes së qëndrimit në rrethana të jashtëzakonshme, pas vlerësimit të tyre nga autoriteti vendor për kufirin dhe migracionin.

Të huajve të pajisur me leje qëndrimi të përkohshme, që qëndrojnë jashtë territorit për një periudhë më shumë së 6 muaj pa ndërprerje, pa arsye të bazuar në dokumente dhe pa njoftuar autoritetin vendor për migracionin, u ndalohet hyrja me këtë leje qëndrimi. Për ata shtetas që punojnë në institucione që punojnë në organizata dhe shoqata jofitimprurëse, bamirëse, humanitare, fondacione dhe shoqata fetare, në bazë të parashikimeve në marrëveshje ndërkombëtare dypalëshe të lidhura me shtetin shqiptar për përjashtimin nga taksat, është falas vetëm tarifa e shërbimit të pajisjes me leje qëndrimi, ndërsa vlera e dokumentit biometrik leje qëndrimi do të përballohet nga vetë personi.

Një kriter i ri i vendosur është pasja e burimeve të qëndrueshme financiare për të përballuar koston e jetesës që përkon të paktën me standardin minimal të jetesës në vendin tonë. Kjo duhet të realizohet me anë të një vërtetimi të një depozite bankare të bankave të nivelit të dytë në Shqipërisë.  Depozita bankare duhet të jetë jo më pak se 300 000 lekë për person për një vit kalendarik, ndërsa të ardhura mujore, jo më pak se 24 000 lekë për person.

Leja e qëndrimit kur jepet për herë të parë nuk mund të jetë më shumë se 3 muaj nga data e përfundimit të vlefshmërisë së lejes së punës. Ripërtëritja e lejes së qëndrimit refuzohet nëse i huaji ka munguar në territor për një periudhë totale mbi 6 muaj brenda një viti kalendarik dhe atij nuk i është miratuar paraprakisht nga autoriteti vendor për kufirin dhe migracionin kërkesa ku ka motivuar mungesën në territor për këtë periudhë. Leja maksimale është për një vit. Ndërsa si rregull shtesë është shtuar dhe paraqitja e dokumentit të kontratës së qirasë së banesës ku do të jetojnë.

Në Shqipëri sipas të dhënave të INSAT ka një rritje të numrit të shtetasve të huaj që vijnë për qëllime biznesi apo profesionale. Nga janar-gusht të këtij viti sipas të dhëna vetëm për këtë kategori kanë hyrë në Shqipëri 54,778, një rritje prej 20% në krahasim me vitin e kaluar. Ndërkohë që numri i punonjësve të huaj ka pasur një rritje të shtetasve nga Kina apo dhe nga Turqia, të cilët punojnë në vendin tonë.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë