Nga Gazeta ‘Si’- Në zyrën e Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, qëndron prej kohësh, por ende i patrajtuar Kodi i ri Penal. Ai është hartuar nga një grup ekspertësh të së drejtës penale, ndër më të njohurit në vend, i drejtuar nga Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi.
Drafti i Kodit të Penal është një propozim voluminoz që rikoncepton të drejtën penale në Shqipëri, por çfarë tërheq vëmendjen është një propozim shumë i guximshëm – legalizimi i prostitucionit dhe i shtëpive publike.
Ndryshimet në ligj
Aktualisht, si personi që e ushtron prostitucionin, edhe personi që paguan për të dënohen nga Kodi Penal. Në nenin 113 thuhet se “Ushtrimi i prostitucionit dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Dhënia e shpërblimit për përfitim personal të prostitucionit dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”.
Me të njëtën frymë ndëshkuese, por shumë më të fortë në masën e burgimit, dënohet edhe çdokush që kthen mjedise të ndryshme në funksion të prostitucionit. Në nenin 115 të Kodit Penal thuhet se “Mbajtja, shfrytëzimi, financimi, dhënia me qira e lokaleve për ushtrim të prostitucionit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.”
Por gati 30 vite pas miratimit të këtyre përcaktimeve, hartuesit e draftit të ri të Kodit Penal, kanë menduar se është koha që gjithçka që lidhet me prostitucionin, me përjashtim të shfrytëzimit të tij, të dekriminalizohet.
Njerëzit të jenë të lirë të ofrojnë shërbime seksuale me para, të jenë të lirë ta blejnë këtë shërbim, si dhe të dinë se ku ta marrin këtë shërbim, që, në çdo gjuhë dhe vend të botës njihet si profesioni më i vjetër. Gazetasi.al sjell për herë të parë formulimin autentik që gjendet në draftin e Kodit të ri Penal.
Në nenin 853, propozuesit janë treguar të kujdesshëm që në 3 paragrafët e parë ta mbajnë të kriminalizuar veprën e prostitucionit, por në të njëjtin nen, propozojnë përkohshmërinë e tij, deri kur qeveria të ketë gati ligjin për dekriminalizimin e veprës dhe të rregullimit të ushtrimit të aktivitetit të prostitucionit në shtëpi publike.
Neni 853
Prostitucioni
1. Ushtrimi i prostitucionit, kur nuk janë rastet e parashikuara në paragrafin e tretë të nenit 144, paragrafi 3 të këtij Kodi, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë.
2. Dhënia e shpërblimit për përfitim personal të prostitucionit, dënohet me gjobë ose me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
3. Gjykata, kur gjendet përpara veprës penale të parashikuar nga paragrafi i parë i këtij neni dhe, kur ekzistojnë më shumë se dy rrethana lehtësuese dhe asnjë rrethanë rënduese, mund të mjaftohet me caktimin ndaj personit që ushtron prostitucion vetëm të dënimit plotësues të parashikuar nga neni 89 i Kodit Penal, duke e urdhëruar atë të marrë pjesë në seanca psikologjike, terapeutike dhe edukimi.
4. Kjo dispozitë zbatohet deri në kohën e dekriminalizimit me ligj të kësaj vepre penale dhe rregullimit të ushtrimit të kësaj veprimtarie në elemente të tilla, si: subjektet që lejohen ta ushtrojnë atë, vendet e ushtrimit, regjistrimit të tyre, masave të karakterit parandalues dhe mjekësor të detyruara për t’u zbatuar, elemente të tjera të karakterit ekonomik, kufizimet e përgjithshme rreth elementeve të veçanta etj., kushte që bëjnë të mundur kontrollin dhe administrimin e plotë të fenomenit.
Gati për debat?
Në Shqipëri nuk ka statitiska të sakta për gratë apo burrat që ushtrojnë prostitucion, që, në raportet e përvitshme të organeve ligjzbatuese përmblidhen tek krimet kundër moralit dhe dinjitetit. Ajo që dihet me siguri për fenomenin janë tre të dhëna që dalin nga njoftimet zyrtare: së pari, se gjatë tre dekadave të fundit, Shqipëria ka patur një numër të lartë grash dhe vajzash të trafikuara me forcë jashtë vendit për qëllime prostitucioni.
Së dyti, se Shqipëria po konsiderohet si vend joshës për prostitutat e huaja. Së treti, se, vitet e fundit, qendrat e masazheve dhe spa-ve janë shndërruar në qendra të ushtrimit të paligjshëm të prostitucionit. Dikur, shkrimtari Ismail Kadare ka treguar se bërthama e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” lidhet me hapjen e një shtëpie publike në Gjirokastër në kohën e Luftës së Dytë Botërore.
Një ngjarje që ai thotë se i kishte trazuar fëmijërinë dhe që, ndoshta pa të, siç shprehet Kadare, nuk do ta kishim fare këtë roman. 8 dekada më vonë, bashkëjetesa në një shoqëri me prostituta apo shtëpi publike, nuk është një fenomen i panjohur për shqiptarët e shpërndarë kudo në botë.
Por a janë gati shqiptarët që të pranojnë në vendin e tyre shtëpitë me dritat e kuqe si një biznes i zakonshëm? Po partitë politike a janë gati ta bëjnë një debat të tillë në një shoqëri, ku diskutimi për moralin dhe ndershmërinë apo të kundërtën e tyre është një nga sportet e preferuara? Një diksutim përpara 11 majit, do t’i bëntë këto zgjedhje ndër më interesantet në histori.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.