Deputeti i ri i Kuvendit, Lefter Maliqi apeloi nga Kryesia e Kuvendit palët politike të ulen një orë e më parë me presidentin Meta për të zgjidhur krizën politike.
Maliqi e paralelizoi situatën në vendin tonë me një shprehje të shkrimtarit Viktor Hygo “Kur qeverisin maskarenjtë, fitojnë horrat”, duke nënkuptuar në këtë mënyrë se korrupsioni është masiv.
Ai tha se duhet urgjent një zgjidhje për të mirën e popullit shqiptar dhe sipas tij, në zgjidhjen e krizës duhet të ndërhyjë edhe faktori ndërkombëtar.
“Qeveria edhe në paketën e fundit ‘Antishpifje’ kërkon të kapë edhe median e lirë dhe kjo paketë është e njëjtë me paketën e Vladimir Putin disa muaj më parë. Situata është alarmante, vendi është në krizë të madhe politike dhe ekonomike, emigrimi është masiv. Unë jam këtu për t’i bërë thirrje klasës politike, por edhe faktorit ndërkombëtar, që të ulen në diskutime bashkë me presidentin për ta çuar vendin në zgjedhje të ndershme e të lira. Gjithë institucionet janë të kapura”, është shprehur ndër të tjera deputeti Maliqi.
Gjatë fjalës së tij, Maliqi ka shigjetuar edhe ministren e Drejtësisë, që sipas tij nuk drejton dot si duhet këto dikastere.
“Edhe shkarkimi i Drejtorit të përgjithshëm të Tatimeve ka të bëjë me mosmbajtjen e premtimit, u shantazhua që administrata të shkojë në votime, por nuk shkoi. Po kapen të gjitha institucionet, po shkojmë drejt diktaturës. Të gjithë e dimë se bandat kriminale kanë kapur shtetin, kemi një ministre Drejtësie, që jep konferenca shtypi, por nuk drejton dot këto dikastere. Doli e tha se shkarkon zv.drejtorin për mushkonjat, por ai vazhdon të jetë në detyrë. Kemi shkelje flagrante në burgje, ku drejtori nuk pyet as ministren. Çdo gjë aty funksionon në bazë të lidhjeve nepotike. Ndërsa emërimet realizohen nga bandat kriminale”, u shpreh ndër të tjera Maliqi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




