Gazeta Si - Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i cili ndodhet në burg i arrestuar pak muaj më parë për inceneratorin e Elbasanit, dyshohet të jetë i përfshirë edhe në inceneratorin e Fierit.
Nga hetimet e fundit të SPAK, thuhet se kompania që ka fituar koncesionin e Fierit, “Integrated Technology Waste Treatment Energy”, dhe kompania tjetër që ka zbatuar punimet për ndërtimin e inceneratorin e Fierit, “Integrated Technology Services”, kanë qarkulluar fatura fiktive tatimore për punime, që sipas SPAK, në të vërtetë nuk janë kryer.
“Shoqëria ‘Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., ka deklaruar në librin e blerjes, faturat tatimore të shitjeve nga disa shoqëri të tjera në total në vlerën e përfituar në mënyrë të paligjshme, në shumën 146,083,071 Lekë”, thekson SPAK.
Kjo shumë parash, pra 1.4 miliardë lekë të vjetra, siç del nga hetimet e SPAK, i është dhënë ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka për të favorizuar kompaninë.
Pikërisht për këtë, SPAK ka sekuestruar disa pasuri të tjera të Lefter Kokës me vlerë 1.2 mln euro.
Ish ministrit i janë sekuestruar 4 prona të paluajtshme dhe një llogari prej më shumë se 146 mln lekë të përfituara nga koncesionari i Fierit. Gjithashtu u vendos sekuestro preventive dhe për shoqëritë koncesionare.
“Gjatë hetimeve kanë rezultuar të dhëna që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shuma monetare 146,083,071 lekë që i është faturuar shoqërisë “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier” sh.p.k., dhe që është paguar më pas nga kjo shoqëri, përbëjnë përfitime materiale të parregullta që i janë dhënë shtetasit Lefter Koka, në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., në zhvillimin e procedurës së dhënies së koncesionit dhe në lidhjen e kontratës së konçensionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë”, - vijon njoftimi.
SPAK shton se Klodian Zoto, në cilësinë e aksionerit tek shoqëria “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, si dhe shtetasi Arenc Myrtezani, në cilësinë e administratorit të shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.
Prokuroria Anti-Korrupsion, nënvizon se Lefter Koka, në cilësinë e ish-Ministrit të Mjedisit, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëria e koncesionit “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., përfitime të parregullta monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë koncesionare, duke përdorur disa shoqëri të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij dhe prej personave familjarë të tij.
“Marrja e përfitimeve është realizuar nëpërmjet skemës fiktive të kryerjes së punimeve dhe të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit”, deklaron SPAK.
Po ashtu, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka akuzohet se ka përfituar edhe 3.7 mln euro për inceneratorin e Elbasanit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.