Drejtësia

Lefter Koka kërkon sërish lirinë, avokati: Në gjyq do dëgjoni gjëra që s’i keni dëgjuar!

Gazeta Si - Tre ditë pasi GJKKO ka refuzuar ta lirojë për inceneratorin e Fierit, Lefter Koka kërkon në gjykatë zbutje të masës së sigurisë me “arrest shtëpie” për inceneratorin e Elbasanit.

Avokati i tij deklaroi se kërkesa për zbutje të masës së sigurisë, është bërë për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore në të cilën ndodhet Koka.

Këtë të hënë ishte seanca e nëntë e disa proceseve të çelura për të rivlerësuar ligjshmërinë e masave të sigurisë personale ndaj tij në lidhje me impiantin e përpunimit të mbetjeve në Elbasan.

Avokati tha se në këto kushte do të kërkohet që çështja të shkojë në gjyq në themel.

Ai ftoi median të jetë pranishme në këtë proces, që tha se do të jetë me dyer të hapura e ku sipas avokatit, “do dëgjoni fakte të zotit Koka që nuk i keni dëgjuar ndonjëherë. Do të jetë me interes për të gjithë”.

Avokati i Lefter Kokës, duke folur për mediat

“Ai është në kushte të rënduara shëndetësore. Gjendja e tij nuk mund të vazhdojë në paraburgim, por gjykata mori edhe rolin e mjekut dhe ekspertëve dhe vendosi të rrëzonte kërkesën. Kemi 9 seanca për një vendimmarrje. Seanca e radhës është në 7 nëntor. Në këto kushte, do të kërkojmë që çështja të shkojë në gjyq në themel. I vetmi person që u ndalua në shtëpinë e tij, e priti me qetësi hetimin, por janë më shumë se 10 muaj, në ato kushte ai sot do të ishte i lirë{, - tha ai.

Seanca e ardhshme është në datën 7 nëntor, por sipas avokatit është shumë larg, për sa i përket ecurisë së seancave.

“Ai është vërtetë i sëmurë, por është ende gjallë dhe do të mbajë qëndrimin e tij nëpërmjet mbrojtësve ligjorë në atë proces“, shtoi ai.

Me urdhër të SPAK, ish-ministri i Mjedisit u arrestua për dosjen e inceneratorit në Elbasan.

Ndaj tij janë 2 masa me ‘arrest me burg’, për inceneratorin e Elbasanit dhe atë të Fierit.

SPAK pretendon se Koka ka përfituar përmes ryshfetit 1.2 milionë euro për ndërtimin e inceneratorit të Fierit.

Ndërsa për inceneratorin e Elbasanit, Koka akuzohet se ka marrë ryshfet 3.7 milionë euro për ndërtimin e tij. Koka i mohuar akuzat, duke e cilësuar këtë çështje si sulm politik.

Për çështjen e inceneratorëve ishte në burg edhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, por ai u la në "arrest shtëpie" dhe do të ndjekë hetimet me masë më të butë sigurie.

Sakaq lidhur me këtë çështje, janë shpallur në kërkim Klodian Zoton dhe Stela Gugallja, dy drejtuesit e kompanisë fituese të inceneratorit të Elbasanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë