Drejtësia

Lefter Koka bën sërish rekurs, kërkon zhbllokimin e katër pasurive të tjera

Gazeta Si - Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka i kërkon Gjykatës së Lartë lirimin e 4 pasurive të tjera, të bllokuara pas hetimeve për inceneratorin e Fierit.

Mes pasurive që Koka kërkon zhbllokimin, është edhe “Pista” te Vollga në Durrës, e cila kap vlerën e 146 milionë Lekëve.

Kjo pasuri, sipas SPAK është e ngjashme me të njëjtën vlerë të përfituar nga korrupsioni në koncesionin e inceneratorit të Fierit.

Më herët, 3 shkallët e gjyqësorit kanë refuzuar t’i lirojnë nga sekuestro fabrikën e kantinës së verës dhe prona të bllokuara për hetimet në rastin e inceneratorit të Elbasanit.

Ish-ministri Koka aktualisht është në qelitë e paraburgimit në Durrës me dy masa sigurimi “arrest në burg”.

Ish-ministrit i janë sekuestruar aksionet në kompaninë për prodhimin e pijeve alkoolike që nëse do të konvertohej në para, ka një vlerë prej 442.972 Lekë.

Lefter Koka ndodhet në burg, pasi u arrestua si i akuzuar për disa vepra penale lidhur me koncesionin e inceneratorëve.

Në 14 dhjetor, SPAK urdhëroi prangosjen ish-ministrit Koka për dosjen e  inceneratorit në Elbasan, ku u ngritën tre akuza: “shpërdorim detyre”, “pastrim të parave” dhe korrupsion”.

Hetimet disa mujore, zbuluan se Lefter Koka favorizoi pronarët dhe administratorët e kompanisë lidhur me koncesionin e inceneratorit të Elbasanit.

Sipas SPAK, ish-deputeti akuzohet se ka përfituar ryshfet në vlerën e 3.7 milionë eurove nëpërmjet kompanive fiktive të zotëruara nga familjarë dhe të njohur të tij.

Në kërkim për këtë dosje mbeten dy biznesmenët Stela Gugallja dhe Klodian Zoto që akuzohen se kanë lëshuar fatura fiktive me vlerë 3.7 milionë Euro për punime që nuk janë kryer asnjëherë në inceneratorin e Elbasanit.

Këto dy të fundit akuzohen për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë