Libra

Ledia Xhoga pretendente për çmimin ‘Booker Prize 2025’

Shkrimtarja shqiptare Ledia Xhoga është bërë pjesë e listës së gjatë të pretendentëve për Çmimin e madh të letërsisë, Booker Prize 2025 me romanin e saj “Misinterpretation”.

Romani i Xhogës është vendosur në Nju Jorkun e sotëm dhe ndjek historinë e një përkthyeseje shqiptare, e cila pranon me ngurrim të përkthejë gjatë seancave terapeutike të Alfredit, një të mbijetuar torture nga Kosova. Pavarësisht paralajmërimeve të burrit të saj, ajo përfshihet emocionalisht në botën e ndërlikuar të klientit të saj. Ankthi i Alfredit ngjall tek ajo kujtime të thella dhe të shtypura, ndërsa një përpjekje impulsive për të ndihmuar një poet kurd e çon në një situatë të rrezikshme dhe në një plan të pamatur.

Ndërsa vendime të pafat fillojnë të grumbullohen, martesa dhe shëndeti i saj mendor lëkunden. Në përpjekje për t’u shkëputur nga gjithçka, ajo udhëton spontanisht në Shqipëri për t’u ribashkuar me nënën e saj, një përballje që e bën të rikthejë në vëmendje jetën që ka ndërtuar në Shtetet e Bashkuara. Kur kthehet në Nju Jork, ajo përballet me pasojat e veprimeve të saj dhe detyrohet të vërë në pikëpyetje kufirin midis realitetit dhe imagjinatës, si dhe të vërtetës dhe keqinterpretimit.

Ledia Xhoga është shkrimtarja shqiptare e dytë që nominohet për Booker Prize pas Ismail Kadaresë që e ka fituar çmimin, në 2005, dhe është nominuar po ashtu edhe dy herë të tjera në 2017-n dhe në 2024-n.

Fituesi i këtij viti për Booker Prize do të prezantohet më datë 10 nëntor 2025.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë