Suadela Balliu - Fundi i sezonit artistik thuajse nuk erdhi fare për trupën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor. Edhe pse skena është në rikonstruksion, të gjithë profesionistët e këtij institucioni, balerinë e këngëtarë lirikë, instrumentistë e valltarë nisën turin veror nëpër Shqipëri. Ansambli u ndal në Llogora , Sarandë dhe Himarë me premierën e ‘Sokaku i të marrëve’, Orkestra dhe vokalet me “Opera in Jeans” dhanë shfaqje në Shkodër, Durrës dhe Vlorë, ndërsa sektori i baletit ka qenë në Butrint të Sarandës dhe në Vlorë, me baletin tashmë të mirënjohur “Monger”.
“Do të veçoja Butrintin” –zbulon primabalerina e TKOB, Ledia Sulaj, ndërsa rrëfen rreth përvojës së kësaj vere, ndërsa ngjitej për të interpretuar në skena jo të zakonta, si ajo e amfiteatrit të lashtë, që duket se të transporton mijëravjeçarë më herët. “Vetë skena antike të jepte një tjetër ngrohtësi.” –vijon Ledia, ndërsa thotë se audienca për baletin “Monger të koreografit izraelit, Barak Marshall, ishte i ndarë përgjysmë, në shqiptarë dhe turistë të huaj. “Kjo e bën akoma më të bukur, sepse arti kuptohet dhe vlerësohet nga të gjithë njësoj. Mesazhi ynë shkon për individin dhe nuk ka rëndësi kombësia. Më vjen mirë që arti bashkon.”
“Opera Tour” nisi vitin e kaluar, duke dhënë shfaqje fillimisht për publikun kryeqytetas, ndërsa këtë vit lëvizi në disa qytete të vendit. “Ndoshta vitin që vjen do zgjerohet edhe më.” – shpreson balerina, e cila sapo është kthyer në Tiranë, pas pushimeve të shkurtra në bregdetin e jugut, në përmbyllje të turit me baletin “Monger” në Lungomaren e Vlorës.
Ka qenë një sezon i ngjeshur, i mbushur me sfida dhe arritje profesionale. Si primabalerina, Ledia Sulaj është e pranishme në thuajse të gjitha shfaqjet e baletit që vihen mbi skenën e TKOB-it. “Kemi pasur premiera, rivënie dhe ture jashtë shtetit dhe brenda. Kjo larmi e ka bërë dhe më të bukur këtë sezon.”Ndalet mes momenteve kulmuese që kanë përkufizuar sezonin 2017-2018 për të, siç ishte të kërcente në krah të Eno Peçit, balerinit dhe koreografit shqiptar që e ka vendosur karrierën në Vjenë, si solist i parë.
“Më dha mundësinë të kërceja krah tij në veprat ‘Exil’ dhe ‘Déjà vu’. Ka qenë ndër eksperiencat e paharruara për mua, këtë sezon.”,vijon balerina, ndërsa ndalet edhe tek opera “Carmen”, e cila erdhi për publikun shqiptar nën regjinë e baritonit Gëzim Myshkëta, edhe ai me një karrierë ndërkombëtare. “ Bëri që edhe ne, balerinët, të ishim pjesë e këtij produksioni gjigant dhe që, ka rezultuar më i suksesshmi i këtij viti.”
Në këtë opera do të ngjitej në skenë së bashku me idhullin e saj të fëmijërisë, balerinën e njohur Anbeta Toromani, e cila prej vitesh e ka zhvendosur karrierën profesionale përtej detit, në Italinë fqinje. “ Dhe dy net e kam kërcyer unë pjesën e saj. Një lumturi, nder dhe kënaqësi e pafundme kjo eksperiencë.”
Koreografi italian Renato Zanella do ta përfshinte në shfaqjen e tij, operetën ‘Lakuriqi i natës’ , ku Ledia Sulaj kërceu sëbashku me balerinin dhe koreografin Gerd Vaso. “Nuk mund të rri pa përmendur baletin ‘Liqeni i mjellmave’.” –shton balerina, shfaqje që këtë vit ka ardhur si rivënie në skenë.“Të jem soliste në këto vepra dhe të punoj me shumë emra kombëtarë dhe ndërkombëtare, më bën të ndihem me fat.”Sulaj rrëfen se trupa shqiptare e baletit pati një pritje të ngrohtë nga publiku italian, ku gjatë sezonit të shkuar dhanë pesë shfaqje të koreografit shqiptar me famë botërore, Angjelin Prelocaj.
Si pjesë e baletit “Monger”, Ledia Sulaj u ngjit në një prej skenave alternative të “ArTurbina”, qysh në mbrëmjen e përurimit të kësaj godine. Ky balet çeli edhe sezonin e shfaqjeve, aty, skenat e së cilës do të përdoren nga trupa e TKOB në vijim, edhe për sezonin e ri artistik, derisa do të përmbyllen punimet për rikonstruksionin e godinës aktuale.
“‘Monger’ jep lirshmëri të kërcehet kudo. Përveç lëvizjeve të veçanta dhe karakteristike izraelite, ka një muzikë elektrizuese dhe një libret shumë aktual në çdo kohë dhe në çdo komb.Stili i baletit është dance-teatër; ka gjuhën e trupit, të folurën, ka nota humori, dhimbje, revoltë dhe paqe. Është balet që e përfshin publikun në bashkëveprim.”, përshkruan ajo, ndërsa skenat e reja të “ArTurbina” i sheh si dritare e re.“Me dy skena shumë cilësore, ku edhe ne , artistët e TKOB-it, deri sa të rikonstruktohet shtëpia jonë, do i kemi shtëpi të dytë. Përveç kësaj është një dritare e edhe për të rinjtë, për koncepte të reja dhe çfarëdolloj arti novator.”
Pas verës, stinë që i duket gjithnjë e shkurtër për shkak të angazhimeve dhe pushimeve me ditë të numëruara, zbulon se sezoni i ri do të nisë vrullshëm, jo vetëm me rivënie por edhe premiera. “Periudha shtator-dhjetor është shumë e ngjeshur.” – thotë Sulaj, ndërsa zbulon se roli i saj i ri do të jetë ai i Zhizelës, në baletin “Zhizel”.
Përtej shfaqjeve në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe bashkëpunimeve televizive, në spektakle kërcimi, Ledia Sulaj ka themeluar një qendër baleti me kurse për fëmijë dhe të rritur. “Sigurisht që afër zemrës kam engjëjt e vegjël. Ata të japin motivin, gëzim, buzëqeshje dhe dashuri pa kushte”. Në fund të çdo sezoni organizon shfaqje për të vegjlit, që marrin mësimet e para të komunikimit dhe të të bërit art me gjuhën e trupit. “Aty i gjithë mundi ynë shndërrohet në një përrallë magjike. Mendoj sado pak të jap dijet e mia për brezin e ardhshëm, sepse kërcimi është kulturë, edukatë dhe art i shëndetshëm.”
Mes atyre që vijnë për t’u ushtruar dhe mësuar me disiplinën e rreptë që të jep baleti, primabalerina thotë se ka edhe talente me premisa për të ardhmen. “Unë them gjithmonë: “Nuk mjafton talenti, por duhet parë i gjithë rrugëtimi, këmbëngulja, pasioni dhe durimi për të gdhendur talentin deri në fund.” E megjithatë, shton se baleti – parë nga sytë e një balerine, nuk ka kurrë fund.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.