Media Galeri

Le të lutemi për Pelen

Legjenda e futbollit brazilian Pele është transferuar në kujdesin paliativ në spital dhe ‘nuk po i përgjigjet më kimioterapisë’ në luftën e tij kundër kancerit të zorrëve. Mediat në Brazil thonë se 82-vjeçari, i cili shkoi në spital javën e kaluar, po merr masa për të lehtësuar dhimbjen në një repart të ‘kujdesit paliativ në fund të jetës’. Tifozët e futbollit në rrjetet sociale kërkuan që të bëhen lutje për Pelen me të dëgjuar lajmin. Ai u shtrua në spitalin Albert Einstein në Sao Paulo, Brazil, të martën duke vuajtur nga ‘ënjtja e përgjithshme’ dhe ‘dështimi i funksionimit të zemrës’.

Të enjten u tha se fituesi i trefishtë i Kupës së Botës ishte në një gjendje ‘stabile’ në spital me vajzën e tij Kely, ndërsa u nënvizua se nuk kishte ‘asnjë arsye për alarm’. Megjithatë, një raport nga “Folha de Sao Paulo” të shtunën, tha se Pele nuk po i përgjigjet më trajtimit me kimioterapi, të cilit i është nënshtruar që nga shtatori i kaluar për të trajtuar kancerin e zorrëve. Mjekët shprehen se ai tani është në kujdesin paliativ dhe nuk do t’i nënshtrohet testeve ose trajtimit invaziv.

Kujdesi paliativ është për pacientët me sëmundje ose kushte potencialisht kërcënuese për jetën dhe kujdes në fund të jetës. Pele – emri i plotë i të cilit është Edson Arantes do Nascimento – konsiderohet nga shumë njerëz si futbollisti më i madh i të gjitha kohërave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë