Sociale

“Lasgushi” ngarkohet me mall mjekësor në Turqi, Rama falenderon Erdogan

“Lasgushi” është ngarkuar mbrëmjen e së martës me materiale mjekësore në Stamboll, që Shqipëria i ka blerë nga Turqia për të përforcuar masat mbrojtëse ndaj mjekëve dhe personelit tjetër shëndetësor që është në vijën e parë të betejës me koronavirusin.

Kryeministri Edi Rama postoi në rrjetet sociale një seri fotosh nga momenti i ngarkimit të mallit në aeroportin e Stambollit me shënimin: “Lasgushi në këtë çast duke u ngarkuar në Stamboll me armë për mbrojtjen e jetës së pacientëve dhe mjekëve tanë”.

Ndërkohë, përmes përgjigjeve që u kthen komentuesve në këtë postim, Kryeministri Rama zbulon se nuk bëhet fjalë për një dhuratë të Turqisë, por për blerje nga ana e shtetit shqiptar. Merita që i jep Turqisë në këtë kohë është vetëm fakti që ka pranuar t’ja shesë Shqipërisë.

“Të jemi të qartë, këto janë blerjet tona dhe ndihma e madhe në këtë moment është që lejon (Turqia) shitjen për Shqipërinë, sepse sot halli i madh është që nuk shet askush se nuk i mjaftojnë për vete! Nuk janë donacione, por falë Presidentit të Turqisë na është lejuar t’i importojmë, sepse halli i madh sot është se eksporti i këtyre materialeve kaq jetike është i pamundur, pasi të gjitha vendet kanë mungesë e nuk i nxjerrin jashtë!”, thotë Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë