Njerez

Larg parajsës! Minorenët shqiptarë përballen me realitetin e ashpër në BE

Me shpresën se djali i saj adoleshent do të gjente një jetë më të mirë, Alma e nxiti që të largohej nga Shqipëria për në Gjermani. Por, pak ditë pas nisjes ai u zhduk pa gjurmë.

“Brenga po më gërryen shpirtin! Unë jam fajtorja! Unë jam ajo që e nxita që të largohej. Ku është? Çfarë po bën tani?”, thotë 38-vjeçarja e ve në një rrëfim për AFP.

Agjencia franceze e lajmeve thotë se e ka fshehur mbiemrin e Almës për të mbrojtur identitetin e saj. Ajo tregon se djali i saj 16-vjeçar u nis për në Gjermani së bashku me tre persona të tjerë në fillim të muajit dhjetor. Prej asaj dite nuk ka dëgjuar më për të.

Alma rrëfen se për ta nisur për në Gjermani shpenzoi kursimet e pakta nga puna si pastruese, me shpresën se djali do të gjente atje një jetë më të mirë.

“Ai ka talent. Këndon mirë dhe atje mund të ketë jetën që unë s’e pata kurrë këtu”, shton ajo.

Të përballur vazhdimisht me papunësinë dhe varfërinë në shtëpi, një numër i konsiderueshëm prindërish në Shqipëri nxisin dhe sponsorizojnë udhëtimet e fëmijëve të tyre minorenë për në vendet e Bashkimit Europian, edhe përmes rrugëve joligjore me shpresën se do të gjejnë në emigrim një të ardhme më të mirë.

Disa udhëtojnë me dokumente të falsifikuara, të rreme për moshën, të tjerë të shoqëruar nga të afërm, ose të njohur madhorë, që i lënë nëpër vende të ndryshme të Bashkimit Europian para se të rikthehen vetë në Shqipëri.

Nuk ka një numër zyrtar të numrit të fëmijëve të pashoqëruar që emigrojnë në BE nga Shqipëria çdo vit, por vetëm në 2020 zyrtarët kanë ndaluar me qindra prej tyre. Ata që kalojnë sapo mbërrijnë në BE jeta është larg ideales. Në pamundësi për të folur gjuhën e vendit ku shkojnë, minorenët përballen me izolimin në qendrat e strehimit të tejmbushura në shumë vende.

Zhgënjimi i madh

Pas katër dekadash izolim total që u përmbyll në vitet 1990, shqiptarët emigruan në masë. Në 30 vitet e fundit, rreth 1.7 milion vetë, ose 37 për qind e popullsisë së vendit kanë lënë Shqipërinë, ku rroga mesatare është rreth 420 euro në muaj dhe një në tre të rinj është i papunë, sipas të dhënave zyrtare.

“Për shumë shqiptarë, Perëndimi mbetet ende parajsa që do të zgjidhë problemet ekonomike dhe sociale të familjes së tyre”, thotë për AFP sociologia, Drita Teta. “Më pas përballen me zhgënjimin e madh”, shton ajo.

Për të luftuar fenomenin, policia shqiptare ka forcuar kontrollet në pikat kufitare, duke kthyer mbrapsht të rinjtë që nuk kanë dokumentacionin e nevojshëm për të udhëtuar. Mes janarit dhe nëntorit të vitit të kaluar, 309 minorenë u ndaluan për t’u larguar nga Shqipëria, nga 239 që u ndaluan në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ekspertët theksojnë se pandemia dhe kufizimet e lëvizjeve kanë ngadalësuar emigrimin e fëmijëve shqiptarë drejt Bashkimit Europian.

Larg parajsës

Pavarësisht shpresës së madhe, shumë minorenë përballen me një realitet të ashpër sapo mbërrijnë në BE. Në moshën 16-vjeçare, Florimi u zhvendos në Francë në mes të muajit tetor, pa u treguar prindërve të tij. Një muaj më vonë u rikthye në shtëpi.

“Çdo gjë ishte larg së qenit një parajsë, nga ato që shihen nëpër filma, video dhe fotot e rrjeteve sociale”, tha adoleshenti pasi u rikthye në Tiranë. Media franceze i referohet me pseudonim.

“Nuk e dija që ishte larguar nga Shqipëria. E mësova vetëm kur mbërriti në Francë”, shpjegon për AFP, Manjola, mamaja 36-vjeçare e Florimit.

Pasi mësoi se ai ishte në Francë, Manjola nisi përpjekjet për ta rikthyer në Shqipëri, duke nënshkruar një mori dokumentesh që kërkoheshin nga autoritetet franceze për t’i hapur rrugë riatdhesimit të tij.

“Mund të kishte rënë në duart e një shoqërie të keqe, të merrte një rrugë të keqe”, thotë Manjola.

Alain Bouchon, përfaqësuesi i një shoqate që kujdeset për minorenët në Francën Lindore thotë se shumë prej fëmijëve dërgohen nga prindërit në BE kundër vullnetit e dëshirës së tyre. Atyre u mungon mbështetja bazë, duke i bërë pre për krimin e organizuar dhe trafikantët, që i shfrytëzojnë më pas për qëllimet e tyre.

“Disa prej tyre përfshihen në krime të rëndomta dhe më pas bëhen pre e lehtë për organizatat mafioze”, deklaron ai.

Por, pavarësisht vështirësive me të cilën përballen, disa prindër mendojnë se sakrifica që bëjnë ja vlen për ta ndërmarrë këtë rrezik.

Haxhie Uruçi, nga veriu i Shqipërisë përshkruan se si u largua e përlotur nga Belgjika, duke lënë pas katër fëmijët e saj të mitur. Në 2015, ajo dhe bashkëshorti i saj larguan nga vendlindja pas kërcënimeve që morën pasi protestuan kundër hapjes së një guroreje pranë shtëpisë së tyre.

Pas gjashtë muajsh në një kamp në Belgjikë, prindërve iu refuzua azili dhe ata vendosën që të lënë pas fëmijët e tyre të moshave nga dy deri në 9 vjeç nën kujdesin e të afërmve.

“Një prind nuk duhet t’i kthejë kurrë shpinën fëmijës së vet. Është një sakrificë e madhe, por nuk kishim zgjidhje tjetër”, thotë Haxhija.

Ajo shton se që prej asaj kohe, fëmijët janë integruar mirë në komunitetin e ri dhe kanë shkëlqyer në shkollë. “Perëndimi nuk është parajsë, por sërish është një parajsë e vogël në krahasim me problemet që kemi në Shqipëri”, thotë Uruçi për AFP.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë