Nga Zija Çela – Sot u shua në paqe Ismail Kadare, ai që në të gjallë kurrë nuk gjeti paqe. S’do të ketë kryevepra të tjera, as trille të tjera plot shkreptima sipas zakonit që kanë gjenitë. Por dha aq shumë, sa duke mbyllur sytë, i la shqiptarët dhe lexuesit e huaj përgjithmonë syhapur ndaj trashëgimisë së tij letrare. Është e pashtershme kjo trashëgimi që në çdo kohë do të shfaqet si e re, është i tillë ky thesar që do të na detyrojë të ndryshojmë edhe sjelljen.
Ah, ç’beteja letrare u zhvilluan! Ah, ç’kanë hequr në kurriz ata që, edhe kur shtrëngohej laku, vazhdonin të mbronin Veprën tënde! Ah, sa thellësisht të kam dashur e sa thellësisht të dua, edhe pse ballazi nganjëherë mungoi mirëkuptimi.
Kur u nis Sabato për matanë, pata shkruar që ta linte derën hapur. S’e dija për cilin nga Princat e letërsisë botërore. Tani të përfytyroj ty duke e kaluar atë derë. Si çdo njeri do të paraqitesh para Zotit. Por thuhet se ka raste kur Zoti mban në të djathtë një shkrimtar që nuk iu dha Nobeli, pikërisht Drejtorin e bibliotekës universale, Horge Luis Borges-in. I dashtuni Ismail, u gjeta në pamundësi shëndetësore, por në Lamtumirën e fundit po them se me Veprën tënde të përjetshme, siç je i mirëpritur gjithandej, ti je i pranuar edhe atje.
Pa zjarrmin krijues tani, në paqe, në paqe shpirti yt, titani rebel!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.