Art dhe Kulture

Lamtumirë Omer Kaleshi!

“Nga vijnë këto koka, ç’kërkojnë… Të largëta, si të pjella nga një kujtesë tejhistorike, shtillen njëra pas tjetrës, me atë ndriçim që e kanë thithur përbrenda. Duket sikur duan të japin një kumt e nuk e japin dot…”, kështu do të shkruante shkrimtari Ismail Kadare teksa shihte pikturat e piktorit Omer Kaleshi, artisti me famë botërore që lindi në Maqedoninë e Veriut, por që shqiptarinë do ta merrte kudo me vete.

Mëngjesin e 17 prillit piktori i njohur shqiptar, Omer Kaleshi rrugëtoi drejt përjetësisë, duke u ndarë nga kjo jetë në moshën 90-vjeçare.

Bota intelektuale dhe artistike ndahet me njërin ndër artistët më të mëdhenj të hapësirës kombëtare dhe më gjerë.

Omer Kaleshi ishte një piktor me famë botërore, i lindur në 1932 në Kërçovë të Maqedonisë së Veriut. Pas shumë udhëtimesh, pikturimesh dhe ekspozimesh në Stamboll, Romë, Vjenë, Mynih, Londër, Selanik, Beograd, Hagë, në vitin 1956 vendoset përfundimisht në Paris ku vazhdon të krijojë, ekspozojë dhe të jetë vazhdimisht i kërkuar për tablotë e tij. Omer Kaleshi njihet kudo në botë si “piktori i kokave”. Dervishët, barinjtë dhe njerëzit e thjeshtë përbëjnë pjesën më të madhe e të rëndësishme të veprave të tij.

Ish-diplomati dhe shkrimtari Luan Rama në Paris shkruan se Kaleshi nuk arriti dot ta përfundonte autoportretin e tij.

“Omer Kaleshi nuk arriti ta mbarojë autoportretin e tij! Dy ditë më parë duke folur me video me Omer Kaleshin më pyeti se kur do të shkoja ta shikoja në shtëpinë e tij në Stamboll. Në fillim të majit, i premtova. Por sot mora vesh se dje miku im i mrekullueshëm nuk do t’i shihte më krijimet e tij, pikturën që aq shumë e deshi. Një piktor që nuk punon thua se ka vdekur, më thoshte shpesh në spital si ta ndjente këtë. Dhe kishte të drejtë. Njëzet vjet më parë kisha shkuar me të të shikonim varrin e prindërve të tij rrethuar nga selvitë jo larg Bririt të Artë. Më së fundi Omer Kaleshi shkoi dje të përshëndesë atin dhe nënën e tij pranë Bririt të Artë, buzë Bosforit. Atelieri i tij mbeti jetim përjetësisht. Ai nuk do të lutet më para tyre, pasi krijimi për të ishte një lloj lutje. Autoportretin e fundit që la mbi kavalet, mbeti i pambaruar!”, shkruan Rama.

Kaleshi ishte anëtar nderi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, teksa i jep lamtumirën artistit, shkruan se Omer Kaleshi ishte një nga artistët e rrallë shqiptarë.

“Komisioni i Përhershëm i Artit dhe Trashëgimisë pranë Akademisë së Shkencave dhe mbarë komuniteti akademik i jep me dhimbje lamtumirën artistit të shquar piktorit Omer Kaleshi (1932-17 prill 2022), i cili është një nga artistët e rrallë shqiptar, që me pikturën e tij të veçantë u bë i njohur në shumë vende të botës dhe u nderua nga mjedisi i elitës franceze të arteve pamore”, njofton Akademia e Shkencave.

Omer Kaleshi do ta vizitonte për herë të parë Shqipërinë në vitin 1989, por vetëm në vitin 2004, piktura e tij do të bëhej e njohur për publikun shqiptar.

“Ekspozitat dhe mendimet e rrëfyera prej tij u pritën me shumë entuziazëm dhe u vlerësuan me shumë respekt, prej sistemit të artit në Shqipëri dhe mediave të saj. Ata e veçuan si artist me kontribut të shquar artistik, profesional e me gjuhë krejt specifike, pasi piktura e tij trajtonte subjekte epike me formë ekspresive, abstrakte dhe figurative, ku e kuqja në kafe me dritë konturohet nga një linjë e zezë e fortë, e spikatur mbi sfondin e bardhë. Kontrasti i fuqishëm i së bardhës dhe të zezës, ku brendashkruhet njeriu do të jetë simboli i pikturës së tij”, thuhet në reagimin e Akademisë së Shkencave.

Ciklet e tij më të njohura janë: “Kokat”, “Kokat mbi fill”, “Drama ballkanike”, që do ta vendosnin emrin e Omer Kaleshit në faqet e historisë së artit shqiptar, në trojet e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, në mjediset e artit turk dhe europiano-francez.

Në nëntor të vitit 2019, Omer Kaleshi do të çelte një ekspozitë edhe në Tiranë dhe më pas pikturat e tij ia dhuroi Kryegjyshatës. Pikturat e tij qëndrojnë në galerinë e përhershme që mban emrin e tij pranë muzeut të Kryegjyshatës Botërore të Bektashizmit.

Ekspozitën e parë personale në galerinë “Robert College” në Stamboll, Kaleshi e kishte hapur në vitin 1963, ndërsa në vitin 1965 ka mbaruar studimet dhe ka hapur disa ekspozita, në qytetet si: Ankara, Beograd, Shkup. Duke filluar nga viti 1965 Omer Kaleshi është vendosur në Paris, Francë, ku ka jetuar deri në fund.

Kaleshi në vitet 1966-1967 ka ekspozuar punimet e tij, ndër tjera edhe në: Hagë – “Salloni i piktorëve të pavarur”, “Salloni internacional i pikturës”, në Paris – “Salloni i realiteteve të reja”, “Qendra kulturore 17”, në Leçe të Italisë – “Salloni i majit”, etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë