Për rreth dy ore, Kuvendi i Shqipërisë hapi dyert për zhvillimin e homazheve në nderim të ish-deputetit të PD-së, Gerti Bogdani, i cili u nda nga jeta papritur një ditë më parë.
Ai vdiq në moshën 44-vjeçare pas një arresti kardiak, ndërsa po zhvillonte një takim me disa miq në një prej hoteleve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Gjatë homazheve ne Kuvend morën pjesë të djathtë dhe të majtë.
Grupi i PD-së ishte i pranishëm në unison. Më vonë vetëm ka mbërritur edhe ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Gjatë homazheve u panë të ngushëllonin familjarët e të ndjerit edhe Liri Berisha bashke me te bijën Argita. Edhe Linda Rama ishte gjithashtu e pranishme në homazhe ku shprehu ngushëllimet për familjarët.
Në homazhe mori pjesë edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dhe kryeparlamentarja Elisa Spiropali.
Nga ana tjetër në nderim të figurës së ish-deputetit Gerti Bogdani, Partia Demokratike ka shpallur ditë zie këtë të enjte.
“Të gjitha aktivitetet e Partisë Demokratike në datat 18 dhe 19 shtator në të gjithë territorin do të anulohen”, njofton PD.
Në të gjitha selitë e Partisë Demokratike flamuri kombëtar dhe flamuri i PD do të ulen në gjysmështizë dhe në orën 12.00 do të mbahet një minutë heshtje në të gjitha selitë e Partisë Demokratike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.