Njerez

Lamtumira e Kryepeshkopit Nikon, pasuesit të Nolit në kishën ortodokse shqiptare në SHBA

Në Boston u zhvillua të mërkurën një ceremoni lutjesh për kryepeshkopin e ndjerë të Kishës Ortodokse Shqiptare, At Nikon Liolini, pasuesi i devotshëm i Fan Nolit në Kishën Ortodokse Shqiptare të SHBA-së dhe njeriu që nuk e harroi atdheun. Kryepeshkopi Nikon i Bostonit u nda nga jeta të dielën në moshën 74-vjeçare.
Në ceremoninë e zhvilluar në Kishën e Shën Gjergjit, morën pjesë shqiptaro-amerikanë nga Bostoni, Nju Jorku dhe qytete të tjera, ku bënë homazhe përpara trupit të të ndjerit.
Kryepeshkopi i Bostonit, Anglisë së Re dhe kryedioqezës shqiptare, Nikolas Liolin, i njohur mes besimtarëve me emrin Nikon, respektohej si një klerik i thjeshtë, mjaft i ditur dhe me vizion të gjerë për aftësitë udhëheqëse në hierarkinë kishtare.
Ai gëzonte respekt të veçantë sidomos mes shqiptarëve të Amerikës. Hirësia e tij Nikon i përkiste familjes Liolin dhe ishte shqiptaro-amerikani me shkallën më të lartë hierarkike në kishën ortodokse.
Në tetor 2003, Sinodi i Shenjtë e zgjodhi Nikonin peshkop të Bostonit. Dy vjet më vonë, ai mori titullin Peshkop i Bostonit, Anglisë së Re dhe Kryedioqezës shqiptare. Në vitin 2012, Peshkopi Nikon u ngrit në rangun e Kryepeshkopit.
Vëllai i tij më i madh, Arthur Liolin është famulltar i Katedrales së Shën Gjergjit në Boston dhe gjatë ceremonisë së zhvilluar të mërkurën vuri në pah vlerat e virtytet e tij.

Vëllai i tij, Arthur Liolin


“Ai kishte një mendje mjaft të gjerë por ishte njeri me këmbë në tokë. E them këtë sepse jam vëllai i tij i madh. Ai ishte tipi i njeriut që jo vetëm i përkiste njerëzve të tij, por edhe që dinte si të udhëhiqte dhe që të tjerët e donin shumë. Edhe kur ndodhej përballë vendimeve të vështira, ai orientohej mirë. Ky është një aspekt shumë i rëndësishëm si virtyt i aftësisë udhëheqëse, me sa di unë. Jam shumë mirënjohës për njerëzit që kanë ardhur këtu, nga të gjitha shtresat. Ai ruante shpirtin ekumenik, i donte njerëzit për karakterin e tyre dhe jo për pozitën në shoqëri,” tha At Arthur Liolin.

Biznesmeni dhe veprimtari i komunitetit, Harry Bajraktari shkoi nga Nju Jorku për të bërë homazhe.

“Familja Liolin ka punuar shumë në komunitetin tonë. Kanë vepruar si në Kishën Ortodokse ashtu edhe për çështjen kombëtare, në Boston dhe në të gjitha kishat ortodokse në Amerikë. Kam patur rastin ta takoj shpeh herë Kryepeshkopin Nikon në disa ngjarje në Nju Jork, në Boston dhe në vende të tjera. Ishte fenomenal përsa i përket rolit si prijës i fesë, ka bërë një punë shumë të mirë. E kam njohur personalisht, ashtu si gjithë familjen Liolin. Njihem tash gati 40 vite. Për ne sot është një ditë ngushëllimi, një ditë zije humbja e kryepeshkopit Nikon, por është një pjesë e jetës, një proces i jetës,” tha zoti Bajraktari.

Nga Virxhinia kishte ardhur Dr. Gjon Buçaj, ish-kryetar i organizatës panshqiptare Vatra.

“Kam ardhur për të shprehur dhimbjen dhe ngushëllimet At Arthur Liolinit, vëllait të tyre Xhimit, familjarëve e dashamirëve si dhe komunitetit shqiptar të Bostonit. Shpreh mirënjohjen që ka treguar për dashurinë ndaj kommunitetit shqiptar. Në mënyrë të posaçme dua të shpreh mirënjohjen për ardhjen e tij së bashku me At Arthurin në vitin 2012 në 100-vjetorin e Vatrës, ku udhëhoqi lutjen ekumenike të hapjes së konferencës shkencore për 100-vjetorin” tha Dr Buçaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë