Muzike

Lamtumira e Black Sabbath/Fundi i një epoke

Nga Gazeta “SI”-Villa Park, stadiumi i Aston Villa-s në Birmingham, u shndërrua në një skenë legjendare ku Black Sabbath, grupi që shpiku heavy metal-in, dha koncertin e fundit të karrierës së tyre. Përpara një audience prej 40 mijë fansash dhe mbi 5.8 milionë ndjekës në livestream, katërshja ikonike , Ozzy Osbourne, Tony Iommi, Geezer Butler dhe Bill Ward u ngjit në skenë për të mbyllur një histori që ka ndikuar muzikën botërore për më shumë se 50 vjet.

Kjo mbrëmje u quajt nga shumë si “Live Aid-i i metalit”, jo vetëm për përmasat, por edhe për listën e yjeve që performuan në nder të Sabbath: Metallica, Guns N’ Roses, Pantera, Tool, Gojira, Anthrax, Halestorm, e të tjerë. Të gjithë ofruan versione të këngëve klasike të grupit, duke i dhënë nderimin e fundit krijuesve të zhanrit.

Ozzy Osbourne

Ndërkohë, Ozzy Osbourne, i ulur në një fron të zi për shkak të problemeve shëndetësore, emocionoi publikun me performanca si Crazy Train, Mr Crowley dhe Suicide Solution. Edhe pse zëri i tij herë pas here dridhej, publiku e mbështeti me këngë dhe lot, duke e kthyer momentin në një përjetim të paharrueshëm. Grupi Black Sabbath qëndroi te rrënjët, duke luajtur këngë vetëm nga dy albumet e para , një kthim te origjina që preku zemrat e të pranishmëve.

Kjo lamtumirë nuk ishte thjesht një koncert, por një ngjarje e madhe dedikuar grupit legjendar. Gjatë gjithë verës, Birmingham e ka nderuar grupin me aktivitete kulturore, përfshirë emërtimin e një ure me emrin e tyre, një stol përkujtimor, ekspozita, dhe rikthimin e baletit “Black Sabbath”. Katërshja e famshme është shpallur zyrtarisht “Nderi i qytetit”.

Sado i lidhur me mitin global, Black Sabbath mbetet rrënjësisht banda e Birminghamit. Dhe siç ndodhi edhe në koncertin e fundit, i cili ishte më shumë se gjithçka tjetër një përqafim mes një qyteti dhe bijve të tij rebelë, që e kthyen zhurmën në poezi dhe frustrimin në art.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë