Menaxhim

Lame: Regjistër publik për pronat në e-albania. VKM-ja kalon gjatë javës

Nga Gazeta ‘SI’ – Kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame ka njoftuar se shumë shpejt do të krijohet një regjistër për pronat publike me qëllim shmangien e abuzimeve, duke e cilësuar si prioritet për Kadastrën regjistrimin e pronës shtetërore.

Në një konferencë për media, ku tregoi hapat e regjistrimit të pronës në e-albania, Lame tha se të mërkurën e 25 janarit do të kalojë një VKM për përditësimin e pronave publike, që do të saktësojë procedurën se si do të identifikohen këto prona

“Tani jemi fokusuar tek regjistrimi i pronës shtetërore. E dimë të gjithë se çfarë ka ndodhur. Nuk dua të vendos gishtin mbi të shkuarën. Rastet me abuzimin janë të pafundme dhe ka nisur për shkak të mos regjistrimit ndër vite të pronës shtetërore. 260 mijë prona shtetërore, prej këtyre 155 mijë prona u janë transferuar institucioneve qendrore dhe vendore. Vetëm rreth 20 mijë regjistrojnë të regjistruar në kadastër. Institucionet do regjistrojnë pronat e tyre. Futesh me kodin e institucionit, qendror ose vendor. Të aplikojnë në e-Albania për të regjistruar pronën. Nga momenti që janë të regjistruar, asnjë in tjetër nuk mund të veprojë mbi këto prona, gjykata dhe komisioni i kthimit të pronave”,-  u shpreh kreu i ASHK-së, Lame.

Lame shtoi se ndër vite në Shqipëri edhe shteti ka ndërtuar vetë pa leje, duke përmendur se Presidenca nuk ka të regjistruar asnjë pronë të veten, pasi presidenti i mëparshëm e ka refuzuar të dekretojë ligjin.

“Sjell Shembullin e Burgut të Shënkollit në Lezhë që i ka dalë pronari oborrit të Burgut. Godina ka mbetur në shtet dhe oborrit i ka dalë pronari. Të mërkurën do të kalojë në qeveri një VKM. Sot po lançojmë projektin e regjistrimit të pronës shtetërore. Presidenca nuk ka të regjistruar asnjë pronë të veten. Ligji 20/20 nuk u dekretua nga presidenti i republikës në atë kohë. Unë kam kërkuar të miratohet sepse do i hapë rrugë regjistrimit të pronës shtetërore. Presidenca rezulton edhe sot pa regjistruar”, ka përfunduar kreu i Kadastrës, Artan Lame.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë