Lajme

Ngjarjet kryesore në botë

Trupat e 39 personave janë sot gjetur në një kamion në Esiks të Britanisë.
Drejtuesi i kamionit, një 25-vjeçar nga Irlanda Veriore është arrestuar me dyshimet për vrasje.
Sipas shenjave, 38 të rritur dhe një adoleshent kanë humbur jetën si pasojë e asfiksimit.
Policia britanike thotë se kamioni ka ardhur nga Bullgaria dhe ka hyrë në këtë zonë ditën e shtunë.



Komisioni Evropian konfirmoi sot se Kroacia i ka përmbushur të gjitha kushtet teknike për t'u bërë anëtare e zonës së lëvizjes së lirë Schengen.
"Sot e përgëzojmë Kroacinë. Ajo ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar përmbushjen e të gjitha kushteve të Marrëveshjes së Schengenit", tha komisioneri për Punët e Brendshme, Dimmitris Avramopulous.
Ai u zotua se do të vazhdojë të mbikëqyrë përparimin e Kroacisë në këtë drejtim dhe tha se duhet t’i kushtohet vëmendje e posaçme kontrollit të kufijve të jashtëm europianë, veçanërisht kufirit me Bosnje e Hercegovinën.
Avramopulous tha se ka disa shqetësime në lidhje me kufirin me Bosnjën dhe porositi Zagrebin zyrtar se hyrja në zonën Schengen përfshin shumë përfitime, por edhe detyrime.
"Një nga detyrimet është kontrolli i kufirit të përbashkët europian", theksoi Avramopulous.
Kroacia ka aplikuar për hyrje në zonën Schengen në vitin 2015.

Parlamenti britanik ka votuar në parim pro marrëveshjes për t’u larguar nga Bashkimi Europian, por ka refuzuar kufizimet kohore të kryeministrit Boris Johnson, me arsyetimin se duhet më shumë kohë për të analizuar paktin që ai ka arritur BE-në.
Kjo ka qenë hera e parë që ligjvënësit kanë miratuar marrëveshjen për Brexit, që kur britanikët kanë votuar në referendumin e vitit 2016 për t’u larguar nga blloku europian.
Megjithatë, veprimet e parlamentit nënkuptojnë se Johnson nuk do të arrijë ta largojë Britaninë nga BE-ja më 31 tetor, ashtu sic kishte premtuar kur kishte fituar pozitën e kryeministrit në muajin korrik.
Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk ka thënë se ai rekomandon që 27 vendet tjera të BE-së të miratojnë shtyrjen e datës së Brexit.


Ambasadori amerikan në Ukrainë, Bill Taylor, ka akuzuar sot presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, se ka kërcënuar Ukrainën se nuk do t’i ofronte ndihmë ushtarake nëse nuk hetonte rivalin e tij politik.
Taylor dëshmoi para një paneli të Kongresit Amerikan, pas nisjes së procedurave për shkarkimin e Trumpit.
Trump akuzohet se i ka kërkuar nga presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, të hetojë për korrupsion ish-zëvëndëspresidentin amerikan, Joe Biden, dhe djalin e tij.
Taylor tha se është njderë i shokuar kur ka mësuar se Trump ka vendosur të shtyjë ndihmën ushtarake për Ukrainën, e cila lufton me separatistët pro-rusë prej pesë vjetësh.
"Unë dhe diplomatët e tjerë jemi shtangur", tha ai.


Qeveria e Hong Kongut e tërhoqi zyrtarisht projekt-ligjin që ka shkaktuar protestat e ashpra prej muajsh.
Vendimi, që do të lejonte të dyshuarit të ekstradoheshin në Kinë, ka nxitur demostrata që kur është paraqitur për herë të parë në prill.
Qindra-mijëra njerëz kanë dalë në rrugë, duke bërë që projekt-ligji të pezullohet.
Por, protestat kanë vazhduar dhe janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë pro demokracisë dhe kundër ndikimit në rritje të Kinës.
Tërheqja zyrtare e projekt-ligjit është vetëm një nga pesë kërkesat e protestuesve.
Të tjerat përfshijnë: moskarakterizimin e protestave si trazira, lirimin e protestuesve të arrestuar, hetime të pavarura të brutalitetit të policisë dhe zbatimin e plotë të së drejtës për të votuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë