Nga Gazeta 'Si' - Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, nuk kanë zhvilluar takim trepalësh me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të martën në Bruksel.
Bislimi u takua dy herë me Lajçakun dhe tha se takimi trepalësh me Petkoviçin dështoi pasi Serbia e “kushtëzoi agjendën e takimit me kërkesa të papranueshme për Kosovën”.
Për herë të fundit, ata janë takuar në fillim të korrikut, por pa ndonjë rezultat.
Bislimi e ka akuzuar atëkohë palën serbe se dëshiron vetëm zbatim të pjesshëm të Marrëveshjes Bazë për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa Petkoviç ka thënë se pala kosovare nuk dëshiron ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Marrëveshja Bazë, e cila përfshin edhe obligimin për themelimin e këtij asociacioni, është arritur në shkurt të vitit të kaluar, por nuk ka gjetur zbatim.
Sipas burimeve në BE, në takimet e sotme pritet të diskutohen hapat për zbatimin e saj.
Këtyre takimeve u kanë paraprirë udhëtimet e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në Prishtinë dhe në Beograd.
Paqartësitë lidhur me mbajtjen e takimit të përbashkët nisën qysh të premten që shkoi, kur kryenegociatori kosovar Besnik Bislimi, nëpërmjet rrjeteve sociale, konfirmoi gatishmërinë e palës kosovare për mbajtjen e takimit trepalësh, por se Serbia e ka refuzuar agjendën e ndërmjetësit.
Se kishte keqkuptime rreth agjendës e kanë konfirmuar disa burime në Bashkimin Evropian. Por këta zyrtarë shpjeguan se të dyja palët janë përgjegjëse për dështimin eventual të mbajtjes së takimit trepalësh. Gjithnjë sipas këtyre burimeve, të dyja palët u përpoqën të diktojnë agjendën e takimit trepalësh dhe nuk u dakorduan me kërkesat e ndërsjella, teksa kanë injoruar propozimin origjinal të palës evropiane.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.