Njerez

Lagjja e të pasurve, që ka lënë pa punë gratë e fshatit

Punëtorët e një firme nuk e ndalin ritmin, përkarshi vilave luksoze të Rolling Hills. Aty punohet për të hapur vende të reja prej nga ku së shpejti rezidencave të të pasurve në Lundër do t’u bashkohen edhe vila të tjera. Rojet e sicurity private patrullojnë shpesh me automjete jashtë murit rrethues të Rolling Hills. Policia private, krahu i punës në ndërtim dhe ndonjë shofer që nuk e kanë dërguar në shtëpi të pasurit, janë të vetmit që nuk e kanë humbur përkohësisht vendin e punës në pellgun që ka mbledhur ajkën ekonomike të vendit.

Karantinimi nga Koronavirus iu dha goditje të pamatë disa profesioneve të tjera që lulëzonin në Lundër, shumica e të cilëve furnizonin me profesione të lira, restorantet, kafenetë, qendrën tregtare, por edhe rezidencat e të pasurve ku tashmë janë vetizoluar brenda vilave, biznesmenë, politikanë, drejtorë e gjyqtarë.

Pastrueset

Fshati Daias është kufiri nga ku ndahet luksi i vilave disamilionëshe dhe jeta e fshatarëve të zonës. Nga ky fshat kanë shkuar në shtëpi 20 gra, të cilat kanë përveshur mëngët dhe po bëjnë punët e shtëpisë së tyre. Përpara koronavirus gratë e Daiasit punonin si pastruese në shtëpitë e të pasurve. V. T. nuk pranon as të fotografohet as t’i publikohet emri. 43-vjecarja punon prej katër vitesh në vilën e një biznesmeni të njohur. “Pastroj, hekuros, ndonjëherë edhe gatuaj, këtë të fundit e kam mësuar nga halli. Sa nisi flama, më thanë që duhet të qëndroj në shtëpi. Më paguajnë mirë, po edhe unë u qëndroj pronto, ka raste që kthehem në darkë, pronarët më paguajnë edhe për orët shtesë. Tani zonja ka nisur t’i bëjë vetë punët se çfarë do bëjë gjithë ditën në shtëpi, më tha ik”, tregon për gazetën “Si” pastruesja, e cila jeton në Daias.

Po a e paguajnë tashmë që situata e Covidit ka sjellë vështirësi ngado dhe a i paguajnë sigurimet?

Gruaja tund kokën, se çfarë do të thotë e shpjegon më pas. “Më kanë lidhur rrogë 35 mijë lekë në muaj, jam e kënaqur, po ama lodhem shumë. Vetëm larja e pjatave më merr shumë kohë, lloj-lloj pjatash, çdo gjë e kaloj me një pecetë dhe duhet të shndrisë çdo gjë. Llogarit edhe rrobat, pastaj edhe hekurin. Jam e kënaqur. Nuk më kanë thënë asgjë nëse këto ditë që qëndroj në shtëpi do m’i paguajnë apo jo, po ma ha mendja që asnjë nuk nxjerr lekë nga xhepi kot, pa i bërë punën”.

43-vjecarja me të qeshur thotë se, së paku në krizën që ka sjellë koronavirusi “zonjat që po bëjnë punët vetë do ta kuptojnë se e vështirë është fshesa”. “E di që kur të mbarojë kjo gjëja që ka pllakosur më presin shumë punë, se zonja ështe zonjë, e mbase nuk i bën si i ziu punëtor, por e rëndësishme është mos të humbasë punën, kjo është frika ime”.

Në Daias ka edhe gra të tjera që punojnë pastruese në Rolling Hills. Asnjëra prej tyre nuk pranon të japë një përshtypje, siç kuptohet nga frika e identifikimit, por edhe nga besnikëria ndaj pronarëve. Të gjitha ato nuk paguhen për qëndrimin në shtëpi, dhe marrin rroga në të zezë.

Fshatrat përreth Tiranës janë goditur po ashtu nga Covidi.

Një i ri vjecar po nga fshati Daias punonte në një lokal shumë të njohur në Lundër, shërbente si kamarier. Tashmë shfrytëzon karantinimin dhe ndihmon të atin t’i japë dorën e fundit krasitjes së vreshtit. Po pse asnjëri prej tyre nuk pranon të identifikohet? “Nëse pronari im e lexon që flas, do mendojë që po ankohem kundër tij dhe humbas punën. Nuk e kuptoj kryeministrin kur thotë që të ankohemi nëse humbasim punën. Çështja është këtu, vetë nuk e humbas punën, por ama nuk paguhem asnjë centezë për këto ditë. Kam dy pleq me ilaçe, lutem të mbarojë sa më shpejt”.

Por ai nuk e shmang as mirënjohjen. “Ne në fshat kjo punë na mban gjallë, çfarë do na japë toka, duhen para. Vërtet punoj kamarier, kam hyrë që në shkollë të mesme, po sa herë më kanë dhënë mish e ushqime kur kthehesha në shtëpi. Do kalojë, por nuk e di nëse pronarët do e mbledhin xhepin e do na japin të njëjtën rrogë?'

Lundra ëshë zona me lokale e restorante. Banorët e zones, disa punonin bahçevanë, ndonjë edhe dado, janë mbyllur në shtëpitë e tyre.

Në fshatin Daias

Për momentin punojnë tokat dhe presin. Të moshuarit të cilët shohin me indiferentizëm pabarazinë e madhe sociale, mbahen fort pas bagëtive. Dikush kullot lopën përbri vilave, një tjetër delet. Osmani, 85 vjeç qesh kur e pyet për të pasurit.

Osmani 85-vjeçar

“Për mua pasuria ime janë këto lopët. “Ja një rrugë më ndan, ata andej dhe unë këtej, kjo është toka e babës tim, vij këtu bashkë me bagëtinë. Zoti i ruajtë të gjithë, se të gjithë kanë fatin e tyre. Po qe se është luftë, të parët duhet të mësojnë ata në krahun e murit, se ndonjëherë lekët nuk kanë ç’të duhen para shëndetit”, thotë i moshuari.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë