Menaxhim

Lagarde do të heqë dorë nga drejtimi i Bankës Europiane para se të mbarojë mandati… shkak Macron!

Presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, pritet të largohet nga posti para përfundimit të mandatit të saj tetëvjeçar në tetor 2027, raportoi Financial Times.

Lagarde dëshiron të largohet përpara zgjedhjeve presidenciale në Francë në prill të vitit të ardhshëm, gjë që do t’i lejonte presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Friedrich Merz të gjenin së bashku pasuesin e saj, sipas raportit që citon një burim të njohur me mendimet e saj. Nuk është ende e qartë se kur mund të largohet, thuhet më tej.

“Presidentja Lagarde është plotësisht e përqendruar në misionin e saj dhe nuk ka marrë asnjë vendim lidhur me përfundimin e mandatit,” tha një zëdhënës i Bankës Qendrore Europiane në një deklaratë me email.

Lagarde është lidhur edhe më parë me një largim të parakohshëm nga BQE, por qershorin e kaluar ajo mohoi zërat se planifikon të drejtojë World Economic Forum, duke deklaruar se është “plotësisht e vendosur të përmbushë misionin dhe të përfundojë mandatin”.

Ajo i tha më vonë Bloomberg Television se “nuk është nga ata që dorëzohen”, ndërsa shtoi se ishte surprizuar kur mësoi në vitin 2019 se posti i presidentit të BQE kishte mandat tetëvjeçar dhe jo pesëvjeçar.

Spekulimet u shtuan pas njoftimit se guvernatori i Bankës së Francës, Villeroy de Galhau, do të largohet para kohe, duke i dhënë Macron mundësinë ta zëvendësojë para zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, të cilat mund të fitohen nga e djathta ekstreme.

Zakonisht, vendimi për postin e Lagarde merret në verën para përfundimit të mandatit. Por qeveritë europiane mund të përshpejtojnë procesin e gjetjes së pasuesit për të shmangur një situatë ku vendimi do të duhej të merrej nëse zgjedhjet fitohen nga Marine Le Pen ose protezheu i saj, Jordan Bardella.

Spanja është e përgatitur nëse Europa përshpejton afatet, tha këtë javë ministri i Ekonomisë Carlos Cuerpo, duke theksuar dëshirën e vendit të tij “për të luajtur një rol udhëheqës në Bordin e ri Ekzekutiv sapo të hapen vendet vakante”.

Spanjolli Pablo Hernandez de Cos, aktualisht në krye të Bank for International Settlements, është ndër favoritët për të pasuar Lagarde, së bashku me ish-kreun e bankës qendrore holandeze Klaas Knot, sipas një sondazhi të Bloomberg. Interes kanë shprehur edhe presidenti i Bundesbank, Joachim Nagel, dhe anëtarja e Bordit Ekzekutiv të BQE, Schnabel.

Megjithatë, nuk ka konsensus për kohën e procesit të pasardhjes në BQE. Ministri austriak i Financave Markus Marterbauer tha se mbështet ruajtjen e afatit standard për emërimin e pasuesit të Lagarde.

Homologu i tij gjerman, Lars Klingbeil, mbajti të njëjtën linjë: “BQE ka kalendarin e vet dhe ne do t’i përmbahemi atij, si gjithmonë , për të gjetur një zgjidhje të mirë,” tha ai.

Ministri francez i Financave Roland Lescure refuzoi të komentojë mbi këtë çështje, duke thënë vetëm se Lagarde është “natyrisht një presidente e shkëlqyer e BQE-së”./Bloomberg


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë