“Në këtë natë dua të këndoj,
Në këtë natë dua të vallëzoj,
Diku aty, me ty, aty pranë…”
Ishte refreni i një kënge që u ka rezistuar brezave e u këndua po njëzëri në një klub nate nga të rinjtë, pasi ora mbrëmjen e së enjtes kaloi 23:00-shin, atë që deri një ditë më parë shënonte kufirin e orarit policor, mbylljen e bizneseve e ndalimin e konsumit.
Këto minuta që përgjatë dy viteve pandemi ishin shoqëruar gjithmonë më fjalinë e përsëritur “Edhe një, edhe një”, drejtuar këngëtarëve që ndalonin së kënduari pranë këtij pragu kohor, tashmë dukeshin se thyen kufirin e asaj që kishte mbetur pezull prej kohësh, jetën e natës.
Të enjten e 3 marsit rutina e të dalave nuk ishte më njësoj në Tiranë. Ndihej zëshëm mes të rinjsh euforia e netëve që më në fund do të përfundonin gjer në ag, si dikur, nën ritmet e muzikës që zbehej me orët e para të mëngjesit.
Muzika që prej kohësh nëpër club-et e natës ndizej rreth orës 20:00, tashmë nisi rreth dy orë më vonë por megjithatë të rinjtë ishin takuar e rrinin mbledhur në tavolina, me gotat e alkoolit përpara duke biseduar të lehtësuar që më në fund e “arritën këtë ditë” pas dy vitesh.
Karaoket e së enjtes tek “Nostalgia Bar” në Pedonalen e Tiranës kishin mbledhur më shumë të rinj se zakonisht. Muzika ishte pak më e lartë dhe njerëzit mund ta zgjeronin repertorin e këngëve që do të këndonin sepse tashmë mbrëmjen ashtu siç thonin ata, do e mbyllnin kur të donin vetë.

“Tani do të jetojmë ‘la vida loca’. E kemi pritur prej kohësh këtë moment sepse pikërisht kur ndizej atmosfera dhe vinim në qejf nga alkooli, lokalet mbylleshin dhe duhej të drejtoheshim drejt shtëpisë.
Fundjavat do të jenë sërish si dikur dhe ne do t’i zbardhim sa në një lokal në tjetrin, me after party që vijojnë deri në mëngjes”, tha për Gazetasi.al një i ri që po priste rradhën për të kënduar në karaoke.
Simbolikisht, kalimi i këtij orari ngjau jo pak me orën e ndërrimit të viteve ku të rinjtë që kishin kënduar këngë të qeta deri në atë momente, vërshuan me valle shqiptare, kapur dorë për dore si për të treguar që të gjithë bashkë, ia dolën deri këtu.
Kalonin me ngut nga njëra këngë të tjetra a thua se do të kompesonin të gjithë qejfin e munguar që orari policor ua kishte marrë nga duart kaq kohë.
Të pakët ishin njerëzit që lëvizën edhe kur ora shënoi një e mëngjesit. As në dy.
Grupet dukej se nuk i kishin shteruar ende fuqitë e tyre dhe shotsat me alkool ndiqnin njëri-tjetrin.
“Dikur fundjavave të tjera, poshtë lokalit qëndronin gjithmonë dy oficerë policie, të gatshëm për të hyrë brenda sapo ora afronte dhe për të na thënë që duhej ta mbyllnim.
Ata e dinin që ne nuk do të vazhdonim pas këtij orari por gjithsesi vinin brenda më shumë që edhe ata të rinj që kërkonin të vazhdonte mbrëmja, t’i shihnin dhe të kuptonin se karaokja ishte mbyllur.
Por sonte nuk kishte asnjë polic”, thotë për Gazetasi.al Eldi, një nga kamarierët që punon aty.
Në një vëzhgim me sy të lirë që bëri Gazetasi.al në rrugët e Tiranës gjatë orëve të para të mëngjesit, nuk pa shumë policë dhe makina policie vërdallë.
E njëjta situatë ishte edhe në club-et e tjera ku ndonëse ishte e enjte dhe fundjava donte dhe ca të vinte, të rinjtë kishin dalë masivisht dhe ishin drejtuar në vende të ndryshme sipas këngëtarëve të tyre të preferuar që do të performonin.
Në “Magic Club”, një nga club-et në rrugicat e Bllokut, mbrëmjen e së enjtes kënduan më shumë këngëtarë se zakonisht.
Tavolinat ishin plot edhe pse ora po kalonte treshin.

“Nuk na kanë shteruar energjitë. Nuk më intereson fare që nesër jam në punë. Mund të kisha dalë edhe të shtunën por e dija që nuk do më shijonte si sonte”, u shpreh për Gazetasi.al Anisa Doda, një 20-vjeçare që po dilte nga aty dhe po drejtohej drejt Charlsit, klubit përballë.
“Sonte do të ikim në shtëpi në 5 të mëngjesit. Më në fund si dikur. Vetëm sonte e kuptova se sa më paska munguar të rri kaq vonë. Jeta normale tani është kthyer”, tha ajo teksa nxitonte të futej brenda pasi temperaturat në atë moment ishin disi të ftohta për fustanin e saj të hapur.
Fast-food-et e hapura deri në orët e mëngjesit, bizneset po buzëqeshin
Kush ka dalë fundjavave këto dy vite, e di rradhën që bëhej për pica të “Laguna” rreth orës 23:30 kur njerëzit dilnin nga club-et.
Krejt ndryshe, asaj ore kishte ndaluar aty tek-tuk vetëm ndonjë kalimtar ndërsa “turma e qejfit” do të vërshonte në radhë aty rreth treshit.
Edhe tek “Gjiro Kamara”, që qëndronte hapur vetëm për të marrë ndonjë ushqim të shpejtë me vete, tavolinat ishin plot dhe kamarierët nxitonin të merrnin porositë për të mbushur urinë tipike të festave pas konsumit të alkoolit.
“Bizneset kanë vuajtur këto dy vite pandemi dhe orari policor ka qenë një faktor shtesë që ua shtonte këtë vuajtje. Më në fund tashmë do të fillojmë të kemi më shumë fitime pasi moti po ngrohet dhe ka shumë lëvizje deri vonë pas festave”, tha njëra nga shitëset tek “Laguna” për Gazetasi.al.
Por…kishte dhe nga ata që iu pëlqente ora policore
Në mesin e njerëzve që e kishin pritur pa nge heqjen e orarit, kishte dhe nga ata që iu pëlqente standardi i festave që ishte krijuar këto dy vite.
“Unë isha mësuar me atë rutinë të re dhe aq shumë më pëlqente. Madje, nëse do kisha mundësi do loboja që stili i ri i festave të ishte po ky.
Dilje në 7, kërceje dhe këndoje deri në 11 dhe pastaj ktheheshe në shtëpi herët pa e vrarë mendjen edhe për punën e së nesërmes sepse orët e gjumit do mund t’i bëje të plota”, tha Areda Visha për Gazetasi.al.
Ishte 23 vjeç dhe nuk kishte të njëjtën eufori si të moshatarëve të saj për heqjen e orës policore.
“Festat e gjata të shterojnë. Më parë nuk e dinim sepse nuk e kishim provuar këtë normalitet të ri.
Tani do fillojmë sërish me hangover-in e lodhshëm të nesërmen pasi ke dalë sepse nuk do të kthehemi më në orën 23. Në atë orë do të fillojmë të bëhemi gati për të dalë “, thotë Areda e mbështjellë nga hareja e zhurmshme e Tiranës që nuk do fle më aq herët….
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


