Banorët e Okinawa, një ishull në Japoni shihen si disa nga më të shëndetshmit dhe më jetëgjatit dhe kjo mund të jetë për shkak të lidhjes që ato kanë me njëri-tjetrin dhe ushqimit që hanë.
Në fshatin Ogimi që ndodhet në veri të ishullit Okinawa ka një gur të vogël me disa fjalë të shkruara në Japonisht. Të përkthyera, ato lexojnë: “Në moshën 80 vjeç, ti je thjesht një i ri. Në moshën 90 vjeç, nëse paraardhësit tuaj ju ftojnë në parajsë, kërkoni që të presin derisa të jeni 100 vjeç, atëherë, mund ta konsideroni.”

Kjo nuk është një proverbë. 15 nga 3000 banorët e Ogimit janë 100 vjeçarë dhe 171 janë në të 90-at e tyre. Edhe në Japoni, e cila aktualisht ka më shumë se 70,000 njerëz të moshës 100 ose më shumë, kjo është një statistikë e jashtëzakonshme.
Dan Buettner, autori dhe eksploruesi i “National Geographic” e quan këtë vend një “zonë blu” sepse sipas tij, është një nga pesë vendet në të gjithë botën që ka banorët që jetojnë më gjatë dhe më të lumtur.

“Çdo kulturë e jetëgjatësisë në botë vuajti periudha vështirësish. Ata kaluan nëpër luftëra, uri, të njëjtat lloje stresesh që po vuajmë tani dhe vazhdojnë të jenë të lumtur. Ky është një mësim për të gjithë ne.” tha Buettner.
Por pse banorët e këtij vendi janë më jetëgjatët dhe të lumturit?
Craig Willcox, profesor i geriontologjisë në Universitetin e Okinawas si dhe autor i një studimi që ka nisur që në vitin 1975 për jetëgjatësinë e banorëve të atij vendi thotë se ka disa faktorë që lidhen me këtë fakt.
“Rreth dy të tretat e jetëgjatësisë së banorëve lidhen me mënyrën e të ushqyerit dhe mënyrën e jetesës, pjesa tjetër është gjenetike.” tha ai.

Ushqimi si ilaç
Përveç gjenetikës, dieta identifikon më lehtë se si vendasit jetojnë më gjatë. Banorët e këtij vendi hanë shumë fruta, më shumë se pesë racione në ditë dhe konsumojnë më shumë peshk sesa mish.
“Aty ekziston një frazë “nuchi gusui”, e cila mund të përkthehet si “lëre ushqimin të jetë ilaçi juaj”. Banorët e besojnë këtë frazë dhe veprojnë kështu siç kjo thotë.” tregon ai.
“Patatet e ëmbla, pjepri, ushqimet e detit të pasura me karotenoid si algat e detit, perimet dhe frutat janë kundër plakjes pasi zvogëlojnë inflamacionin dhe stresin oksidativ.
Dieta tradicionale Okinawane është gjithashtu e pasur me vlera ushqimore po e varfër në kalori dhe kjo shihet si idealja.
Dashuria për njëri-tjetrin
Jeta në ishull është e ndryshme nga pjesa tjetër e Japonisë. Klima është sub-tropikale, me dimra të butë. Banorët e Okinawas jetojnë në mes të bukurisë piktoreske të ishullit dhe kanë janë njerëz të qetë.

Shoqëria është e strukturuar në mënyrë që banorët e moshuar të mbajnë qëllimin, ose ikigai-n, në jetën e tyre. Ikigai është një fjalë japoneze që nuk mund të përkthehet lehtë por është një kombinim i fjalës “ikiru” që do të thotë “të jetosh” dhe “kai” që do të thotë “të realizosh atë që shpreson”.
Bashkë këto fjalë krijojnë atë që quhet “ikigai” dhe nënkupton “një arsye për të jetuar”. Kjo fjalë kaq domethënëse e ka origjinën nga Okinawa dhe lidhet me qëllimet që ka një person dhe humbja e tyre mund të ketë efekte negative si ulja e motivimit për të jetuar.
Pastaj ekziston mënyra se si shoqëria thekson mbështetjen e ndërsjellë përmes moai. Ky mekanizëm shoqëror Okinawan mbledh grupe njerëzish me një interes të përbashkët së bashku, duke i lejuar ata të zhvillojnë lidhje emocionale. Buettner thotë se ky është një element thelbësor për të jetuar një jetë të gjatë, duke theksuar se “vetmia është aq e keqe për ty sa pirja e duhanit”. Moai nënkupton “të takohesh për një arsye të përbashkët” dhe banorët e Okinawas e praktikojnë shumë ku vazhdimisht mblidhen bashkë për të biseduar.

Takashi Inafuku, kreu i një prej rretheve të Ogimi, i përket dy moai-ve, njëri me një grup shokësh të shkollës dhe tjetri me ish-bashkëpunëtorët.
“Ato janë vende ku mund të shkëmbeni informacion dhe të komunikoni me të tjerët. Unë mendoj se pjesëmarrja në moai, të kesh një hobi të përbashkët dhe të lësh stresin, mund të ndihmojë në promovimin e jetëgjatësisë.” tha ai.
Willcox vëren se të marrësh pjesë në shumë moai është e zakonshme.
“Unë njoh një burrë në Ogimi që është në shtatë grupe dhe është shumë besnik ndaj moai-ve të tyre”. tha ai.
Ai tregon se një herë ka takuar një grup grash 80-vjeçare që kanë qenë në moai që kur ishin në shkollën fillore dh kjo është thjesht e mrekullueshme, përveç gjithë të mirat që vijnë nga kjo.
Kjo mbështetje dhe çlirimi i stresit është veçanërisht e rëndësishme gjatë kësaj kohe pandemie.
Tani ato takohen por duke respektuar distancën sociale, duke mbajtur maska dhe duke larë duart me dezinfektantë gjithë kohës.
E veçanta e moai-t është se tani po bëhet globale dhe po përhapet edhe jashtë Japonisë. Po bëhet online dhe njerëzit po japin kurse të ndryshme por gjithmonë në formën e një moai.
Burimi: National Geographic. Përktheu: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.