Nga Sorgena Leka-Ushqimi është një ndër dashuritë e mëdha të njerëzve por ka dhe njerëz që përveç se të shijojnë, pëlqejnë edhe të gatuajnë, të provojnë receta të reja dhe të jenë në kërkim të asaj më të veçantës. Një trend, gjithmonë e në rritje në rrjetin social Instagram më së shumti, është edhe “kuzhinier\e në Instagram”.
Tashmë është krijuar një lidhje e fortë midis personave që kuzhinën e kanë profesion dhe ndjekësve që mezi presin recetën e radhës, jo nga një libër gatimi por në një ‘reel’, bërë nga kuzhinierët në kohë moderne.
Helga Beja Sejko është financiere në profesion, me kohë të plotë, por “gatimi është një ndër kënaqësitë më të mëdha”.
Ajo tregon për Gazetasi.al se fakti që ndan gatimet me ndjekësit i jep shumë kënaqësi dhe feedback-u që merr është fantastik.
Duke qenë se ky trend gjënë më kryesore ka ‘syrin’, Sejko thotë se është më e vështirë të të gatuash për ta ndarë me të tjerët sepse duhet kuruar pamja deri në detaje pasi ajo është e vetmja gjë që ka rëndësi në fund të fundit.
“Në të njëjtën kohë origjinaliteti është tipari kryesor që i shtyn ndjekësit të jenë besnikë dhe të të pëlqejnë”, thotë Sejko.
Gatimi vetëm për pasion, ku vjen në shtëpi pas pune, gatuan dhe elementi shtesë është filmimi i asaj që bën, sjell edhe fitime ku 33-vjeçarja financiere thotë se tashmë ka filluar edhe të marrë oferta nga kompanitë e produkteve nga faqja e saj Helgabeja.
Beja ka edhe ndihmësit e saj të vegjël, binjakët të cilët janë gjithmonë të gatshëm ta ndihmojnë në kuzhinë, edhe pse kontribuojnë edhe në rrëmujë...
Ato që tani po i zënë vendin mamit të tyre duke u bërë personazhe mjaft të dashur për ndjekësit ndërkohë që shpalosin aftësitë e tyre me bërjen e një keku.
Amvisa 37-vjeçare, Keora e cila dëshiron të njihet vetëm si Keora’sKitchen (si adresa e saj në Instagram) tregon për Gazetasi.al se “komentet dhe lëvdatat e ndjekësve më bëjnë të ndihem superiore dhe më japin akoma më shumë vullnet për pasionin tim, gatimin” pasi për të është një ndjenjë e jashtëzakonisht e bukur kur gatimet e saj i prezanton tek ndjekësit.
“Atë që e gatuaj për vete dhe familjarët e mi ,mundohem t‘a prezantoj edhe tek ndjekësit e mi. I kushtoj shumë rëndësi cilësisë së produkteve dhe mundohem të ushqehem sa më shëndetshëm”, thotë ajo.
Më herët, Gazetasi.al ka biseduar me Adisa Gashi, inxhinierën kimiste e cila tregoi se edhe pse blogere ushqimi mendonte të bëhej të paktën prej 4 vitesh “që ku hapa llogarinë në Instagram, por nguroja dhe justifikohesha derisa një ditë bashkëshorti më mori telefonin, ndryshoi emrin e Instagramit në “Adisa’sKitchen”, e ktheu nga privat në publik dhe filloi të më shtynte çdo ditë të postoja”.
Si është të postosh gatimet e familjes edhe në Instagram?
“Epo do kesh të gjithë familjen që pret të bësh foton... sidomos kur janë gatime që nuk i bën dot para, të tipit pasta, sepse duhen ngrënë të ngrohta”, thotë Gashi duke shtuar se gatimet gjithmonë i bën gati me njerëz mbi kokë që përsërisin gjithmonë të njëjtat gjëra : A do hamë? I ke bërë foto apo jo?
“Kur ke familje që të mbështet, rregulli i artë është që keku nuk pritet pa u ftohur dhe pa foto, ndërsa pyetja 100 milionëshe e çdo dite është: Po sot ca do na bësh, kjo me frekuence të përsëritur të paktën në 3 vakte”, thotë Gashi duke qeshur.
Ajo ka edhe një vajzë 3 vjecare, mjaft e njohur edhe ajo në Instagram pasi shpeshherë bëhet pjesë e videove dhe story-ve të saj. Për të shmangur një “rrëmujë” në recetat dhe videot, Gashi ka zgjedhur dy mënyra për të “shpëtuar”.
“Kur ke edhe 1 fëmijë të vogël që është e ngjitur pas teje duhet të planifikosh të gatuash ndërsa ajo fle. Ose e marr në kuzhinë dhe e angazhoj në ndonjë gjë të vogël”.
Tani Gashi po mendon të sjellë edhe projekte që lidhen me ushqimin dhe gatimin duke qenë se ndjekësit e saj e kanë “konfirmuar” me komente dhe like si një kuzhiniere shumë të mirë.
Gjithashtu edhe Gledis Gegaj është një tjetër i ri i cili punon kuzhinier në një restorant në Itali por tek ne njihet si “ai kuzhinieri i TikTok”.
Kur Gazetasi.al komunikoi me të para disa kohësh për dy receta, ai ishte pak i njohur nga komuniteti i Instagramit ndërsa sot numëron më shumë se 18 mijë ndjekës në Instagram dhe 100 mijë ndjekës në TikTok. Gegaj ishte kuzhinier para se të bëhej pjesë e rrjeteve sociale por suksesin e arriti pikërisht duke filmuar gatimet që bënte për veten, në shtëpinë e tij.
Nila Iljazi është një tjetër kuzhiniere që tashmë renditet në të preferuarat e ndjekësve të rrjeteve sociale. Videot e saj kanë arritur të grumbullojnë deri në gati 20 mijë
Uarda Shahinaj ndiqet nga gati 65 mijë njerëz në Instagram ndërkohë që një nga recetat e saj “Fiorentina me oriz” ka 151 mijë shikime.
Të gjithë kanë një të përbashkët, gatuajnë për njerëz që nuk do t'i provojnë pjatat e tyre dhe ky është trendi më i ri i kuzhinierëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.