Menaxhim

Kuvendi kërkesa për Bankën e Shqipërisë: Forconi mbrojtjen konsumatore. Kujdes kredinë për banesa!

Nga Gazeta 'SI' - Kuvendi i ka rekomanduar Bankës së Shqipërisë të forcojë rregulloret për mbrojtjen e konsumatorit, lidhur me subjektet financiare jobanka.

Në projektrezolutën e 2023-shit, Kuvendi sugjeron përfshirjen në aktet ligjore të ndryshimeve rregullative të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, në lidhje me vendosjen e tavaneve të normave të interesit të kredisë apo dhe me penalitetet e akumuluara në rast të vonesave për të mbajtur kostot e ndërmjetësit financiar në nivele të pranueshme për klientët kredimarrës.

Bankës i kërkohet të të analizojë kuadrin rregullator të licencimit të Institucioneve Financiare Jobanka, me synim forcimin e mëtejshëm të kritereve për licencimin e këtyre subjekteve si dhe të hartohet një dokument i politikës së licencimit për bankat dhe jo-bankat, ku të mbahen parasysh elemente të tillë si mbrojtja e konsumatorit, vendi i origjinës së pronarëve fundor, eksperienca në sistemet financiare europiane e subjekteve që aplikojnë për licencim.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë duhet të sigurojë përmirësimin e treguesve të transparencës të të gjitha institucioneve që licencohen nga Banka e Shqipërisë, veçanërisht të Institucioneve Financiare Jobanka, në mënyrë që informacioni i pasqyruar prej tyre të jetë i plotë, me një gjuhë të thjeshtë dhe lehtësisht i aksesueshëm për konsumatorët, nëpërmjet të gjitha kanaleve të komunikimit, qofshin ato fizike apo digjitale.

Në lidhje me statibilitetin financiar, një rekomandim i posaçëm është ai që i kërkon Bankës së Shqipërisë të monitorojë me kujdes përqendrimin në rritje të kreditimit të lidhur me sektorin e pasurive të paluajtshme, si dhe të nxisë zbatimin e plotë nga bankat të rregullores “Për raportimin e të dhënave, identifikimin dhe monitorimin e treguesve mbi kredi dhënien dhe investimet për prona të paluajtshme”.

Projektrezoluta, mes të tjerash, kërkon gjithashtu nga Banka e Shqipërisë të sigurojë implementimin brenda vitit 2024 të Open Banking (bankingut të hapur), si dhe mundësimin për shtimin e opsioneve për transferim parash dhe pagesat bankare me qëllim uljen e kostove në çdo transaksion.

Në fushën e pagesave, detyrë tjetër është që Banka e Shqipërisë të kujdeset për zbatimin e plotë të ligjit nr.100/2023 “Për llogarinë e pagesave në shërbimet bazike”, nëpërmjet miratimit të gjitha akteve nënligjore brenda afateve të përcaktuara si dhe sensibilizimit të publikut të gjerë, për përfitimin shërbimeve bankare me kosto të ulëta, dhe të intensifikojë përpjekjet për kryerjen e transaksioneve të pagesave elektronike përmes kartave të kreditit, veçanërisht në sektorin e turizmit.

Kuvendi kërkon që Banka e Shqipërisë të rrisë më tej bashkëpunimin me Ministrinë e Drejtësisë, Shoqatën Shqiptare të Bankave, Shoqatën e Mikrofinancës dhe me aktorë të tjerë të sektorit financiar jobankar, për të propozuar përmirësimet e nevojshme ligjore në kuadër të zgjidhjes së problematikave të evidentuara në fushën e mikrofinancës.

Rekomandim tjetër i rëndësishëm është ai që i kërkon bankës qendrore të prioritizojë veprimet për anëtarësimin sa më parë të vendit në Tregun Unik të Pagesave në Euro, si pjesë e rëndësishme e angazhimit në drejtim të procesit të integrimit evropian, që do të sjellë përfitime për ekonominë si dhe të nxisë zhvillimin e projektit Instant Payment.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë