Nga Gazeta ‘SI’ – Kuvendi i ka lënë disa detyra me rëndësi Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, ndër të cilat edhe miratimin e dokumentit për të drejtat e përdorimit të frekuencave 3400–3800 MHz, që i hap rrugë teknologjisë 5G.
Sipas arsyetimit që jep Kuvendi, implementimi i rrjetit 5G do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor të vendit, si dhe në ofrimin e shërbimeve me shpejtësi të lartë interneti.
Ndër të tjera, Kuvendi i kërkon AKEP që të imponojë kompanitë celulare të shtojnë masat kundër sulmeve kibernetike, për të bërë të mundur garantimin e integritetit dhe pacenueshmërinë e rrjeteve dhe infrastrukturave kritike të tyre, si dhe ruajtjen e të dhënave personale të përdoruesve të tyre.
AKEP-i gjatë inspektimeve që do të zhvillojë pranë ofruesit të shërbimit universal “Posta Shqiptare” të vijojë të kërkojë përmbushjen e detyrimit për shpërndarjen e objekteve postare në adresën e marrësit krahas implementimit të projektit për vendosjen e kutive postare pranë degëve të postës me kod unik. Atje qytetarët mund të tërheqin pakot në çdo orë nëpërmjet një kodi specifik, duke evituar edhe qëndrimet në radhë të qytetarëve për tërheqjen e pakove, problem i cili është bërë shqetësues veçanërisht në Tiranë, rekomandon Kuvendi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.