Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike i mbledhur në situatë ndryshe, solli një risi për të demokratët, pasi kryetari i saj, Lulzim Basha lançoi projektin e ri për afrimin e një brezi të ri të politikanëve. Ai shpalli në krye të herës synimin për krijimin e një elite të re politike, duke i hapuar dyert e PD-së. Gjithashtu kryedemokrati nuk ngurroi që të ftojë të gjithë ata që kanë mendimin ndryshe në PD të bëhen pjesë e kësaj lëvizjeje, që për ta ka një rrugë, atë të rrëzimit nga pushtetit të Edi Ramës.
“Sot, ne kemi nevojë për një politikë Perëndimore, një politikë në shërbim të njerëzve dhe të kombit,për veprime të vërteta jo për parulla dhe predikime sipërfaqësore dhe për fjalë në erë. Kjo nuk është e lehte, por as e pamundur. Duhet një brez i ri politik. Duhet një elitë e re e vendit, e aftë për këtë aspiratë ndryshimi të shqiptarëve. Ndaj detyra morale dhe fitorja më e madhe për brezin e sotëm politik, është ndalja e së keqes që ka pllakosur vendin dhe përgatitja e kalimit të politikës në duart e një elite të re. Ne duhet të krijojmë kushtet. Duhet të ndërtojmë rrugën për këtë kalim të madh të përgjegjësisë së drejtimit të vendit tek një brez i ri në politikë, ekonomi dhe shoqëri. Hapja e rrugës për këtë kalim të madh, për këtë ndryshim të madh mund të arrihet vetëm përmes ndërtimit të një sistemi politik, ekonomik dhe shoqëror, të lirë, të hapur dhe meritokratik. Ky është dhe do të jetë deri në fund qëllimi im kryesor dhe, mbi të gjitha, si drejtues i Partisë Demokratike”, tha Basha në fjalën e tij.
Por kjo hapja e Partisë Demokratike të ngjan me atë të periudhës së krijimit të KOP-it të famshëm në vitin 2005, e krijuar nga lideri Sali Berisha, strukturë që i mundësoi Bashës të futet në politikë dhe të marrë më pas drejtimin e partisë. Ndërsa ende nuk është përcaktuar se do të veprohej me këtë hapje të re të PD-së, ku Basha shprehet i vendosur se do të arrihet një gjë e tillë. Por ky hap i kryedemokratit shihet edhe një kartë për t’u kundërvënë atyre që e akuzojnë për përjashtime nga PD-ja. Tashmë jashtë listës janë Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Majlinda Bregu, Arben Imami, Ridvan Bode
Ndërkohë që si emra të rinj në këtë Kuvend ishin pedagogu i Fakultetit Ekonomik, Rezart Prifti, apo dhe pedagogia Taulanta Jaupi. Që të dy folën në Kuvendin e PD-së, duke pranuar sfidën për të qenë pjesë e kësaj parti, duke kandiduar në Këshillin Kombëtar të kësaj force politike.
Primariet në zgjedhjet e PD-së
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Basha bëri të ditur se partia e tij e përherë të parë do të organizojë primariet për zgjedhjet e kandidatë për deputetë dhe kryetarë bashkie. “Në muajt e ardhshëm, Partia Demokratike do të vendosë një tjetër standard të ri për politikën shqiptare:Ne do të prezantojmë zgjedhjet primare brenda partisë. Demokratë do të votojnë për zgjedhjen e kandidatëve për postet publike, përfshi deputetët dhe kryetarët e bashkive. Me përmbushjen e këtij standardi, Partia Demokratike do të funksionojë mbi themele dhe parime tërësisht demokratike. Partia Demokratike do të jetë partia e parë në Shqipëri që rrëzon modelin e kryetarokracisë,që zbon servilizmin dhe bindjen e verbër ndaj kryetarit si e vetmja rrugë karriere në parti. Në organizim dhe vendim-marrje, PD do të ketë standard lirinë, hapjen, mundësitë për të gjithë dhe konkurrencën e lirë. Karriera në PD do të varet nga vota e njerëzve, nga shërbimi ndaj njerëzve. Çdokush do ketë mundësi të bëhet pjesë e PD-së,të kontribuojë për përmbushjen e misionit të saj. Çdokush do të ketë rrugën e hapur drejt majave të politikës. Puna, aftësia dhe vizioni vetjak do të jenë e vetmja gjë që do të përcaktojë suksesin brenda PD,në konkurrencë të ndershme me ata që synojnë të njëjtën gjë. Dua të shfrytëzoj rastin dhe nga kjo Konventë dua t’u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që besojnë tek liria, tek kufizimi i pushtetit, tek konkurrenca e lirë, iu bëj thirrje sidomos rinisë që aspiron vlerat europiane që të bëhet pjesë e Partisë Demokratike. Të bëhet pjesë e forcës së vetme vërtet demokratike dhe europiane në Shqipëri. Në të do të keni rrugën e hapur jo vetëm për një karrierë të ndershme dhe të lirë politike, por mbi të gjitha për t’u bërë pjesë e përpjekjeve për një Shqipëri evropiane”, deklaroi Basha.

Më tej ai theksoi se PD do të garantojë që kandidatët e e saj për poste publike të kenë integritetin dhe aftësinë për t’i shërbyer njerëzve dhe vendit. “Reforma tjetër që ne kemi ndërmarrë është pikërisht ajo e filtrimit të kandidatëve që duan të konkurrojnë për poste publike. Ne po ndërtojmë mekanizmin e vlerësimit paraprak për të gjithë ata që duan të konkurrojnë për kandidatë për poste publike. Ky vlerësim paraprak do të garantojë që në zgjedhjet primare në partitë marrin pjesë vetëm ata që kanë formimin e duhur demokratik,kanë integritet moral dhe aftësi për t’i shërbyer interesit publik”, theksoi Basha në fjalën e tij, duke bërë të qartë se për këtë do të ketë ndihmën e ekspertëve të partive simotra si të Konservatorëve britanikë, apo dhe të kristiandemokratët gjermanë dhe së shpejti edhe Instituti Republikan Amerikan.
Ftesa për kritikët në PD
Në të njëjtën kohë Basha duke pranuar gabimet që mund të kenë ndodhur në PD, nuk ngurroi që të ftojë kritikët apo njerëzit e mendimit ndryshe në këtë parti. “Natyrshëm, në këtë proces janë bërë gabime. Natyrshëm ne kemi bëra hapa në drejtim të gabuar,por me kontributin e të gjithëve juve,me mendimet, kritikat dhe sugjerimet e mijëra demokratëve,ne kemi korrigjuar dhe përmirësuar këtë proces dhe po vazhdojmë të bëjmë kështu. Por pavarësisht këtyre Partia Demokratike nuk ka qenë asnjëherë më shumë nën sulm sesa sot. Partia Demokratike, drejtuesit e saj, deputetët e saj dhe vetë demokratët e thjeshtë janë nën shënjestrën e sulmeve të makinerisë së propagandës qeveritare nga të gjitha anët. Shkurajimi i demokratëve, përçarja e tyre është një objektiv i përditshëm i propagandës së Ramës. Edi Rama dhe grupi i plaçkitësve të tij kanë nevojë që PD të jetë e përçarë, që PD të mos jetë e besueshme”, theksoi më tej kryedemokrati. Sipas tij, për të arritur këto qëllime të ndikimit të opinionit publik, për të manipuluar opinionin publik, Edi Rama ka financuar një operacion gjigant propagande, me kosto dhjetëra miliona euro, me para të ardhura nga korrupsioni e nga krimi kundër Partisë Demokratike dhe çdo zëri kritik. Më pas ka ardhur edhe ftesa për zërat kundër brenda partisë së tij, të cilët janë larguar nga PD-ja.
“Të gjithë demokratët e ndershëm që kanë shërbyer në qeveritë demokrate, mund të kontribuojnë shumë sot në opozitë, duke ofruar dijet dhe përvojën e tyre, duke shpjeguar dukuritë që kalon vendi dhe duke ofruar mendime për zgjidhjen e tyre. Ata mund të ndihmojnë PD duke u kthyer në misionarë, në ambasadorë të PD-së,duke propaganduar idetë dhe vlerat e PD-së. Ata mund të ndihmojnë PD-në duke u kthyer në mentorë për demokratët e rinj. Në të vërtetë ka shumë demokratë që kanë shërbyer në qeveritë tona që po e bëjnë këtë gjë, çdo ditë. Ata e kanë vënë përvojën, maturinë, dijen që kanë grumbulluar në shërbim pa kushte ndaj PD dhe Shqipërisë. Pa asnjë dyshim, PD ka vend edhe për të gjithë ata që e kritikojnë atë nisur nga parimet dhe vullneti dashamirës për forcimin e saj. Pa asnjë dyshim, PD ka nevojë për kritika, ka nevojë për mendimin ndryshe, ka nevojë për debat. Pa mendim ndryshe, nuk mund të ketë parti demokratike. Të gjithë ata që sot duan të kontribuojnë në PD, nuk kanë nevojë të jenë dakord me çdo gjë që bën PD, dhe janë të mirëpritur njësoj që të jenë pjesë e saj. Për të gjithë ata unë kam vetëm një ftesë: ejani bëhuni pjesë nga afër, të gjitha dyert dhe të gjitha mendjet janë të hapura për ju”, theksoi Basha.
“Rama përpara drejtësisë, nuk e marr pushtetin mbi kufoma e qelbësira”
Pjesën tjetër të fjalimit prej 50 minutash, kryedemokrati e fokusoi te nevoja për rrëzimin e Edi Ramës nga qeveria, e kjo e shoqëruar me një paralajmërim të fortë ndaj rivalit të tij politik se nuk do t’i shpëtojë drejtësisë së bashku me ministrat e tjerë. Por vetë Basha duket se ka një kusht ndaj demokratëve për të ardhur në pushtet dhe se ai nuk është ai rrëzimit me dhunë të pushtetit.
“Unë e di se ka prej jush që kërkojnë që Partia Demokratike të organizojë protesta për rrëzimin e qeverisë, qoftë edhe me dhunë. Ka edhe në media dhe në publik zëra të fuqishëm që e propagandojnë këtë ide. Është absolutisht e drejtë kushtetuese dhe liria e çdo kujtqë të protestojë kundër qeverisë. Partia Demokratike mbështet dhe nxit çdo lloj proteste për mbrojtjen e të drejtave, lirive të njerëzve dhe për mbajtjen e qeverisë përgjegjëse. Është absolutisht detyrimi ynë t’i përkrahim, mbështesim dhe madje t’i prijmë këto protesta atëherë kur është e mundur. Këtë ne e kemi bërë dhe do ta bëjmë kundër keqqeverisjes, krimin dhe korrupsionin. Por PD nuk do të vijë kurrë në pushtet mbi kufoma. PD nuk do të vijë kurrë në pushtet me mjet tjetër përveçse me zgjedhje. Jeta dhe mirëqenia e çdo shqiptari është më e shtrenjtë se çdo karrige e tepsi. Ne nuk jemi burravecë që t’i përdorin shqiptarët e ndershëm e të pafajshëm si mish për top për të ardhur në pushtet… Mos prisni nga unë që të bëj thirrje të bashkohen të gjithë qelbësirat për të hedhur poshtë Edi Ramën, Largimi i Edi Ramës nuk duhet të jetë akt qelbësirash, kriminelësh, të korruptuarish, interesaxhinjsh, shushunjash të çdo pushteti, Ai do të jetë akti i qytetarëve të lirë, që çmojnë dhe duan liri, demokraci, dinjitet; i shqiptarëve që kërkojnë një qeverisje të ndershme, shtet të së drejtës, konkurrencë të ndershme Këtyre shqiptarëve unë u bëj thirrje të bëhemi bashkë! Të ngremë zërin!”, theksoi Basha.
Por në të njëjtën kohe kreu i PD-së dha dhe formulën e tij se si mund të rrëzohet Edi Rama nga pushteti. “Unë jam i bindur se për të rrëzuar Edi Ramën nuk ka nevojë për dhunë. Edi Rama nuk rrëzohet nga pushteti duke e goditur një herë me top. Edi Rama rrëzohet: Duke i rezistuar atij përditë; Duke kundërshtuar përditë keqqeverisjen e tij; Duke protestuar për ditë; Duke ju bashkuar protestës së qytetarëve të Shkozës; Duke ju bashkuar protestës së qytetarëve të Unazës; Duke iu bashkuar protestës së qytetarëve për Teatrin; Duke iu bashkuar protestës së qytetarëve të Kukësit; Duke iu bashkuar protestës së qytetarëve të Himarës; Duke iu bashkuar protestës së studentëve; Duke iu bashkuar protestave të qytetarëve, biznesit të vogël, fermerëve, që po shpërthejnë çdo ditë nën shembullin e kurajos së studentëve; Duke iu bashkuar çdo proteste, çdo ditë, kundër çdo padrejtësie Rama rrëzohet: Duke denoncuar krimet e tij përditë; Duke diskredituar ministrat e tij injorantë dhe hajdutë përditë; Duke demaskuar dhe braktisur klientët e tij hajdutë përditë; Rama rrëzohet: Kur mediat i kërkojnë llogari dhe nuk e lënë të qetë; Kur gazetarët ngrenë zërin dhe revoltohen kundër propagandës dhe manipulimit të tij; Rama rrëzohet kur shoqëria civile denoncon keqqeverisjen; Rrëzimi i regjimit të Edi Ramës është përgjegjësi dhe detyrim i opozitës, por edhe i çdo shqiptari të ndershëm, i çdo gazetari të ndershëm, i çdo intelektuali të ndershëm, i çdo biznesmeni të ndershëm”, theksoi Basha.
Ndërsa ka dhënë edhe një premtim ndaj demokratëve se me ardhjen e PD-së në pushtet do të marrë fund edhe kultura e pandëshkueshmërisë, duke paralajmëruar dhe çuarjen përpara drejtësisë kryeministrin Edi Ramën.
“Dua të jem i qartë pa asnjë mëdyshje. Edi Rama e ka shtyrë Shqipërinë në buzë të greminës. Pas Enver Hoxhës ai është njeriu më i dëmshëm që ka patur ndonjëherë Shqipëria. Largimi i tij nga pushteti është i domosdoshëm për të ndalur fundosjen e Shqipërisë. Largimi i tij nga pushteti është hapi i parë drejt ndryshimit të drejtimit të vendit. Madje Edi Rama nuk duhet thjesht larguar:ai dhe gjithë banda kriminale me të cilën ai po shkatërron Shqipërinë duhet të dalin para drejtësisë. Asnjë qeveri që do të vijë në pushet nuk do të jetë serioze dhe e ndershme, nëse nuk nxjerr Edi Ramën para drejtësisë. Ne shpesh nuk kemi mbajtur qendrim ndaj të shkuarës dhe sidomos ndaj krimeve dhe korruptimit të politikës. Kjo pandëshkueshmëri duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë. Pa nxjerrë Edi Ramën, Saimir Tahirin, Vangjush Dakon, Taulant Ballën, Elvis Roshin, Qazim Sejdinin, Ervis Çyrbjen, Rrahman Rrajen, Damian Gjiknurin, Arben Ahmetajn e të gjithë bandën e inkriminuar të Rilindjes para drejtësisë,në Shqipëri nuk do të ketë as drejtësi dhe as shpresë për drejtësi. Por vetëm largimi i Edi Ramës nuk mjafton që të garantojë mirëqeverisjen e vendit,nuk garanton mospërsëritjen e gabimeve dhe keqqeverisjes të së shkuarës. Që të ndodhë kjo gjë duhet të ndryshojë struktura politike dhe ekonomike e vendit. Këto 3 dekada na kanë mësuar se ndryshimi i njerëzve nuk përbën zgjidhje, nëse nuk ndryshojmë institucionet, nëse nuk ndryshojmë rregullat, nëse nuk ndryshojmë mentalitetin dhe qasjen. Shqipëria nuk ka nevojë të ndërrojë Edi Ramën me Lulzim Bashën. Shqipëria ka nevojë në radhë të parë të ndryshojë mentalitetin e qeverisjes: shërbim ndaj interesit publik ne vend te grabitjes për pasurim vetjak”, theksoi Basha. Kryedemokrati e mbylli fjalimin me nevojën që ka opozita për të krijuar një alternativë të besueshme për qeverisjen e vendit.
Më pas kanë nisur diskutimet delegatëve ku fjalimi i Grida Dumës u pritet më me shumë ovacione në sallë, ndërsa kryedemokrati u largua nga salla për të votuar. Ai dhe ish-kryeministri Berisha votuan në të njëjtën kohë. Ndërsa ky mund të jetë Kuvendi i dytë që lideri historik i PD-së, Sali Berisha nuk e mori fjalën. Për shkak të kohës së kufizuar ku folën shumë delegatë, pasi kjo iu kërkuar nga vetë drejtuesit e këtij Kuvendit. Kryetari i komisionit të votimit, Jemin Gjana bëri të ditur se nga 352 kandidatë do të votohet një listë prej 220 anëtarësh. Secili delegat ka të drejtë të përzgjedhë 220 kandidatë, ose më pak. Ndërsa kush voton më shumë fleta e tij e votimit konsiderohet e pavlefshme. Për procesin e votimit në hollin e Pallatit të Kongresit janë ngritur 13 komisione, të cilët do të presim të paktën 4 mijë delegatë për të votuar. Rezultati i votimit për anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar pritet të dalë vetëm pas disa ditësh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.












