Menaxhim

Kuvendi i kërkon INSTAT-it të përfundojë në kohë Censin e popullsisë, të shtojë statistikat dhe të ulë numrin e punonjësve

Nga Gazeta ‘SI’ – Kuvendi i ka kërkuar INSTAT-it të fokusohet më së shumti në Censin e Popullsisë dhe Banesave, si detyra kryesore e institucionit për këtë vit.

Në projektrezolutën për Institutin e Statistikave, Kuvendi kërkon zbatim me cilësi dhe në kohë të Censit, duke e konsideruar atë instrument kryesor për procesin e negociatave.

“T’i kushtojë vëmendje të veçantë zbatimit dhe monitorimit të strategjisë së komunikimit për promovimin e Censit të Popullsisë dhe Banesave, i cili është thelbësor për të siguruar ndërgjegjësimin statistikor, rritjen e besueshmërisë dhe pjesëmarrjen e popullatës në këtë proces”, thuhet në projektrezolutë.

Lista vazhdon me kërkesën për të finalizuar sa më shpejt dokumentet për nisjen e Censit të Bujqësisë, që parashikohet të nisë në vitin 2024. Të paraqitet sa më parë në Kuvend për miratim, projektligji për Censin e Bujqësisë.

INSTAT i kërkohet të vazhdojë modernizimin e metodave të mbledhjes së të dhënave dhe prodhimit statistikor të Sistemit Kombëtar Statistikor, si mekanizimi kryesor për prodhimin e statistikave në përputhje me standardet e kërkuara nga Eurostat dhe në përputhje me teknikat me moderne ndërkombëtare.

Po kështu të vijojë përpjekjet për zgjerimin e Sistemit Kombëtar Statistikor me shtimin e institucioneve prodhuese dhe furnizuese me të dhëna, rritjen e gamës së produkteve statistikore zyrtare të prodhuara dhe rritjen e cilësisë statistikore.

Kuvendi i kërkon Institutit të Statistikave të bëjë përpjekje për uljen e qarkullimit të punonjësve dhe të sigurojë që niveli i plotësimit me punonjës, është i mjaftueshëm për përmbushjen e nevojave të prodhimit statistikor. Gjithashtu punonjësit të jenë të mirë trajnuar lidhur me zhvillimet e fundit në fushën e statistikave.

Në pikën shtatë të projektrezolutës INSTAT-it i rekomandohet të rrisë prodhimin dhe transmetimin e të dhënave makroekonomike në kohë dhe me cilësi të lartë në Eurostat për të arritur përputhje të plotë me standardet e ESA 2010 dhe të punojë për shtimin e treguesve të rëndësishëm të cilët ende nuk i transmetohen Eurostat-it.

Gjithashtu të intensifikojë bashkëpunimin statistikor kombëtar dhe ndërkombëtar për të përshtatur metodologjitë dhe praktikat më të mira në rritjen e rolit të tij në qeverisjen e të dhënave publike si pjesë e ekosistemit të të dhënave, që shërbejnë për prodhimin e statistikave zyrtare, pa cenuar besimin në statistika dhe konfidencialitetin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë