E ka cilësuar si pjesë të trekëndëshit të Bermudës, por kryetari i PD-së, Lulzim Basha, nuk kishte asnjë koment lidhur me vendimin e Kushtetueses për presidentin.
“Nuk kam asnjë koment për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse nuk është vendim i cili komentohet.
Mund t’ju them se për ne për opozitën, për PD theksi edhe sot edhe nesër e deri në zbardhjen e plotë dhe vënien para drejtësisë të autorëve të skandalit më të madh korruptiv të këtyre 30 viteve skandalit të inceneratorëve është dhe mbetet prioriteti kryesor” tha Basha.
Gjykata Kushtetuese njoftoi të mërkurën vonë se ka rrëzuar raportin e Kuvendit për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, pasi në gjykimin e saj nuk ka patur “shkelje të rënda të Kushtetutës”.
Në njoftimin e saj Gjykata Kushtetuese shpjegon se “pasi verifikoi procedurën e ndjekur nga Kuvendi për ngritjen e komisionit hetimor, garantimin e së drejtës së Presidentit për tu dëgjuar dhe për tu mbrojtur dhe duke mbajtur në konsideratë pavarësinë organizative të Kuvendit, në tërësi konstatoi se nuk ka pasur shkelje kushtetuese gjatë kësaj procedure”. Por jo vetëm.
“Faktet që lidhen me të drejtat në procesin zgjedhor’ as ato “që lidhen me prishjen e marrëdhënieve me partnerët strategjikë”, as pretendimet e paraqitura si “shkelje të rendit dhe sigurisë publike”, nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës”.
Po ashtu, sipas Gjykatës, faktet e paraqitura nga socialistët si “shkelje të nenit 94 të Kushtetutës”, që thekson se ‘Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre që i njihen shprehimisht me Kushtetutë’ nuk përbëjnë shkelje të rënda”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




