Nga Gazeta 'Si'- Për shkak të kushteve jo të mira të motit, në Vlorë do të pezullohet lundrimi për mjetet lundruese dhe për ato të peshkimit.
Po ashtu, është bërë thirrje që subjektet që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, të marrin masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe të rrisin gadishmerinë e ekuipazhit në mjetet lundruese.
Lundrimi do të ndalohet duke nisur nga ora 10.00. Kurse, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.
Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit pritet të jetë në mbrëmje, pas orës 22:00.
Edhe gjiri i Durrësit është përfshirë nga reshjet e shiut, ndërsa kushtet atmosferike në det të hapur kanë ndikuar në pezullimin e lundrimit për mjetet e tonazhit të vogël, përfshirë dhe peshkarexhat të cilat mëngjesin e sotëm janë kthyer në port.
Kapiteneria e portit të Durrësit bën me dije se forca e detit është 5-6 ballë, ndërsa era fryn nga juglindja. Pasdite era parashikohet të ndryshojë drejtim e të fryjë nga veriu duke sjellë dhe rënie të temperaturave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.