Gazeta Si- Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka folur gjatë një takimi për pilotimin e provimit të automatizuar për maturantët që do të vijojnë studimet në Programin Mjekësi e Përgjithshme. Të gjithë ata maturantë që duan të zgjedhin programin Mjekësi e Përgjithshme e duan të vazhdojnë studimet për Mjekësi e Përgjithshme, përveç detyrimeve që ka aktualisht sistemi për provimet e maturës, do të japin edhe një provim tjetër. Provimi që do të zhvillohet në mjediset e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, është provim i automatizuar siç behet provimi i portalit.
“Siç bëhen provimet e licensave, në mënyrë që të shmanget edhe gabimi, të shmanget edhe fiktiviteti, të shkurtohet koha dhe në fund të fundit ai sistemi meritë-preferencë që synon i gjithë sistemi i maturës shtetërore të realizohet 100%”, ka thënë Kushi.


Të drejtën e provimit do ta kenë të gjithë ata maturantë që kanë mesatare mbi 8 apo 8.5, siç e ka përcaktuar kriterin Universiteti i Mjekësisë.
Ndërsa Balliu ka shpjeguar vetëm pjesën teknike duke treguar se provimi do të behet i njëjtë me provimin e licencave apo me portalet e mësuesve, që do të thotë për çdo njërën nga lëndët maturantët do të testohen për të gjithë informacionin që kanë marrë në tre vite në biologji, kimi dhe fizikë.
Pyetjet do të publikohen paraprakisht por jo përgjigjet.
Do të testohen në të njëjtën kohë 100 aplikantë të cilët kanë të njëjtin test, sepse testin e gjeneron në mënyrë automatike sistemi. Do të jetë një test i ndarë në tre nivele ashtu sikurse është edhe testi i maturës.
“Mendojmë që do të kemi 50 pyetje me 100 pikë njësoj si sistemin e licencave dhe do të jenë pyetje të hartuara sipas niveleve, do të jenë pyetje që sistemi i merr gjithashtu sipas niveleve”, ka thënë Balliu. Përgjigjja do të merret në kohë reale, sapo përfundohet provimi.
Së bashku me drejtoreshën e Qendrës së Shërbimeve Arsimore të QSHA-së, Aurora Balliu, Kushi ka treguar se vitin e kaluar është ngritur një grup pune që analizoi shumë elemente të procesit të Maturës Shtetërore dhe grupi i punës në komunikim edhe me mësues, me maturantë dhe me ekspertë të arsimit arriti në përfundimin që 3 janë ndryshimet që duhet të bëhen:
I pari është pikërisht ky provimi i automatizuar që këtë vit do të jetë pilot vetëm për programin Mjekësi e Përgjithshme dhe më pas Kushi ka thënë se ka për qëllim që ta shtrijë edhe për provimet e tjera.
E dyta është shfuqizimi i pikës që parashikon se nuk lejohet rivlerësimi i testit.
Kushi thotë se për këtë provim do të ketë rivlerësim në rast të ndonjë gabimi, si teknik ashtu edhe njerëzor.
Dhe e treta është rankimi i gjimnazeve. Kushi thotë se ka filluar tashmë puna në ASCAP për të bërë renditjen e gjimnazeve sipas një formule, sipas disa treguesve dhe që në fund do u bëhet me dije çdo shkolle që ta dijë ku ndodhet në raport me shkollat e tjera.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



