Arsim

Kushi: Financim shtesë për universitetet publike për ndërkombëtarizimin dhe programet prioritare

Këshilli i Ministrave miratoi sot disa ndryshime në modelin e financimit të buxhetit për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor.
Në daljen e saj publike Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi tha se këto ndryshime kanë për qëllim të financojnë politikat e reja në fushën e Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor. Ajo përmendi ndërkombëtarizimin e universiteteve për programe studimi të përbashkëta dhe shpalljen e programeve prioritare për zhvillimin e vendit.

Kushi tha se formula e ndryshuar e financimit do të ketë disa elemente shtesë.
“Për shembull, të gjitha universitetet që kanë programe prioritare, programe të përbashkëta, apo të dyfishta me universitetet e huaja, do të përfitojnë financim shtesë bazuar në numrin e studentëve që janë të regjistruar në këto programe.Ky model financimi është konsultuar edhe me modelet më të mira të Bashkimit Evropian dhe është përshtatur me kushtet e Shqipërisë, me ligjin në fuqi të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor”, shpjegoi Kushi.

Më tej ministrja tha se ky është një model që nxit konkurrencën e lirë midis universiteteve që kanë të njëjtin status. Gjithashtu ofron mundësi të barabarta në varësi të statusit që kanë universitetet dhe nxit performancën e universiteteve, për sa i takon mësimdhënies, kërkimit shkencor, veprimtarive krijuese, bazuar në treguesit e cilësisë.
Ajo shtoi se të gjitha ato universitete që janë të përfshira në procesin e ndërkombëtarizimit dhe që kanë nevojë për infrastrukturë shtesë, mund të aplikojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë