Nga Gazeta Si- Edhe pse është miratuar që prej vitit 2018 nga Lindita Nikolli që asokohe ishte Ministre e Arsimit, udhëzimi “Për ndalimin e telefonit celular në institucionet arsimore parauniversitare” është rikthyer përsëri në vëmendjen e Ministres së Arsimit Evis Kushi dhe Ministres së financave Delina Irahimaj të cilat kanë firmosur udhëzimin e ri “Për vitin shkollor 2023-2024 në sistemin arsimor parauniversitar” ku ndër të tjera përmendet edhe udhëzimi i miratuar në vitin 2018.
“Neni 3
Ndalimi i përdorimit të telefonit celular
1. Institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar dhe institucionet arsimore parauniversitare të marrin masa për zbatimin e urdhrit nr. 493, datë 30.7.2018, “Për mospërdorimin e telefonit celular gjatë procesit mësimor në shkolla” dhe të udhëzimit nr. 34, datë 16.11.2018, “Për ndalimin e telefonit celular në institucionet arsimore parauniversitare”.
2. Masat për ndalimin e përdorimit të telefonit celular gjatë procesit mësimor të pasqyrohen në rregulloren e brendshme të institucionit arsimor parauniversitar”, shkruhet në udhëzimin e publikuar në fletoren zyrtare.
Por të dyja këto pika janë përmendur edhe në udhëzimin e publikuar në vitin 2018 dhe udhëzimi i ri është një rikujtim për institucionet që të zbatojnë ligjin e para 6 viteve.
Çfarë parashikonte ligji në vitin 2018
Në mjediset e institucioneve arsimore parauniversitare është e ndaluar të disponohet telefon nga nxënësit dhe mësuesit. Në rast konstatimi të përdorimit të telefonit celular nga nxënësit në mjediset e institucioneve arsimore parauniversitare, drejtoria e institucionit do të sekuestrojë telefonin celular, si dhe do të zbatojë masa disiplinore.
Telefonat e sekuestruar depozitohen pranë institucioneve arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar. Për masat e marra ndaj nxënësit, njoftohen me shkrim prindit ose kujdestari ligjor i nxënësit.
Drejtoritë e institucioneve arsimore, nga ana tjetër, duhet të rishikojnë rregulloren e brendshme të shkollës, duke përcaktuar masat për ndalimin e telefonit celular nga nxënësit dhe mësuesit, në mjediset e institucioneve arsimore parauniversitare.
Ato duhet të marrin masa për të organizuar takime me prindërit për njohjen me rregulloren e re, të vendosin në çdo klasë poster për ndalimin e telefonit celular, të sigurojnë nënshkrimin e deklaratës së përbashkët të mësuesit të klasës me prindin ose kujdestarin ligjor, për ndalimin e marrjes së telefonit celular në mjediset e shkollës nga nxënësit, të marrin masa për të vënë në dispozicion numër telefoni të veçantë për komunikim me prindërit e nxënësve dhe t’ia bëjnë me dije prindit deklaratën e përbashkët.
“Ato duhet të raportojnë me shkrim pranë institucionit arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, për masat e marra ndaj mësuesit, në rast të përdorimit të telefonit celular gjatë procesit mësimor. Institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar duhet të monitorojnë masat e marra nga institucionet arsimore për ndalimin e telefonit celular nga nxënësit dhe mësuesit, në mjediset shkollore, si dhe të depozitojnë pranë Policisë së Shtetit telefonat celular të sekuestruar nga shkollat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



