Partia Demokratike thotë se hetimet për akuzat e Agron Xhafajt nuk janë kryer nga Prokuroria, por drejtpërdrejt nga vartësit e ministrit të Brendshëm Agron Xhafaj dhe me regji të Kryeministrit Edi Rama.
“Prokuroria sot duhet të ishte duke hetuar trafikun e drogës, por në vend të kësaj heton kallëzimin e rremë. Nuk ka asnjë hetim për trafikun e drogës. Çfarë u bë me drogën në Tragjas dhe me personat që shfaqen në materialin investigues të gazetarit?”, deklaroi deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj.
Alibeaj doli para mediave me Gazment Bardhin në krah. Ky i fundit u përqendrua më fort tek dokumentat e prokurorisë, që thotë se provojnë fund e krye se provat janë fabrikuar. Bardhi krahason dëshminë e Alfred Alizotit me të dhënat e dosjes së hetimore të prokurorisë dhe në të paktën 3 momente konfirmohet, sipas tij, fabrikimi i provave.
“Së pari, dokumentat e dosjes konfirmojnë disa nga faktet që përmend aktori i Edi Ramës. Alfred Alizoti në procesverbal pohon se është dërguar natën tek një prokuror rreth të 40-tave me origjinë nga Kruja. Kjo konfirmohet dhe prokurori është Gentian Osmani. Së dyti, aktori konfirmon se është shoqëruar me makinë më 1 qershor 2018, procesverbali e konfirmon këtë fakt. Është shoqëruar nga Ardi Veliu rreth orës 8 në darkë. Procesverbali e konfirmon. Ora e deklarimit sipas aktit të prokurorisë është 20:05 minuta. Marrja e mostrave të zërit të Agron Xhafajt natën, i ka marrë vetë Fatmir Xhafaj, dokument i 15 majit 2018, që provon se janë marrë nga eksperti vartës i Fatmir Xhafajt me pajisjet e vëna në dispozicion nga Xhafaj. Ndaj laboratori britanik ka përcaktuar se cilësia është e dobët. Megjithatë, ekspertët thonë se zëri i Agron Xhafajt është i ngjashëm me zërin në audio-përgjim”, tha Bardhi.
Sipas demokratëve, Edi rama dhe Fatmir Xhafaj kanë fabrikuar një aktor dhe çdo provë duke dalë hapur si hetues të drejtpërdrejtë të kësaj çështjeje, duke përdorur edhe prokurorinë si vegël të tyre.
Gazment Bardhi ngre disa pyetje. Ai thotë se përse nuk është bërë hetimi i tabulateve dhe qelizave telefonike të Albert Veliut, njohur si Babalja dhe të Agron Xhafajt dhe Alfred Alizotit, nga ana e prokurorivë, por ua kanë kërkuar këtë Policisë së Shtetit.
“Hetimi është bërë nga vartësit e xhafës në policinë e shtetit, prokurorët vetëm kanë noterizzuar, verifikimi dhe analizimi i qelizave telefonike, për të përcaktuar nëse në orën dhe datën e përgjimit kanë qenë në një vend së bashku. Kjo u është dërguar për hetim nga prokurori, Fatmir Xhafajt, prokurorët i kanë kërkuar Fatmir Xhafajt që të hetojë Agron Xhafajn”, thotë ai.
Një tjetër pyetje që ngre Bardhi është se përse nuk është verifikuar nga ana e prokurorisë përëgjimi i 27 majit i Alfred Alizotit.
“Ku deklaron se ka marrë një ofertë nga pala tjetër. Kush është pala tjetër? Çfarë oferte ka marrë ai? Kush e ka bërë ofertën? Të gjitha këto duhet të ishin hetuar nga prokuroria, por kjo nuk ka ndodhur”, vijoi ai.
PD akuzon drejtpërdrejtë Donika Prelën për shkelje të ligjit, ndërsa caktimin pa short të prokurorëve që po hetojnë këtë dosje e konsideron si një tjetër provë që përforcon bindjen e opozitës se ky institucion po vepron nën urdhrat e Edi Ramës.
“Donika Prela, shërbëtorja e Xhafajt u emërua pikërisht për të mbrojtur Agron Xhafajn ditën që PD nisi denoncimin e skandalit të Agron Xhafajt. Në shkelje të ligjit ka ngritur një grup hetimor dhe përbërjen e ka caktuar pa short. Këto provojnë se Agron Xhafaj ka hetuar Agron Xhafajn, Fatmir Xhafaj ka hetuar vetveten, Edi Rama ka qenë regjisori i gjithë kësaj çështjeje”, thotë PD.
Ndërkohë, Alibeaj përsëriti pyetjen e hershme të opozitës, se përse Prokuroria nuk zbaton ligjin antimafia dhe të hetojë pasurinë e Agron Xhafajt dhe të familjarëve të tij, duke përfshirë këtu edhe ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Për këtë rast, por edhe për të tjerë brenda mazhorancës, të cilët opozita i ka denoncuar, shërbëjnë për të kuptuar, sipas Enkelejd Alibeajt nxitimin e Edi Ramës për të kapur institucionin e Prokurorisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




