Art dhe Kulture

“Kush lakmon e ka rrugën e shkurtër”, komedia e vitit 1932 në Teatrin Metropol

Teatri Metropol ka shpluhurosur nga arkiva një vepër të shkruar në vitin 1932, e cila do të prekë shumë shpejt skenën.  

Komedia “Luloja”, e shkruar nga Dhori Kote, ngjarjet e së cilës zhvillohen në Korçë vjen premierë në Teatrin e kryeqytetit nën regjinë e Blendi Arifi.

Protagonisti kryesor, Luloja është një mashtrues nga fshati, i cili bën jetë të pasurish në qytet duke marrë para hua sa andej-këndej e mashtruar njerëz.

Njëkohësisht, ai ia ka vënë syrin për martesë shpëtimtare Guguçes, një vajze pasunare të qytetit të Korçës, e cila jeton me ëmën e saj.

Regjisori Blendi Arifi thotë për Gazetën “Si” se kjo vepër ka në fokus paranë dhe synon të sulmojë lakminë.

“Vepra flet për paratë dhe çfarë janë në gjendje të bëjnë njerëzit për paratë dhe se si ne kemi të bëjmë çdo ditë të jetës tonë me mashtrues që bëjnë marrëzira për para! Vepra sulmon lakminë pra: kush lakmon shumë e ka rrugën e shkurtër”, shprehet Arifi për Gazetën “Si”.

Vepra vjen e përpunuar, pasi varianti i parë ka qenë në variantin korçar. Regjisori thotë se është punuar që kjo vepër të pasqyrojë sa më shumë realitetin e ditëve të sotme.        

“Vepra është e përpunuar sigurisht sepse ishte e shkruar në dialekt korçar që shpeshherë në tekstin origjinal kishte fjalë që mezi kuptoheshin. Me tekstin kemi punuar: unë, Silvio Goskova dhe Jurgen Marku! Është përpunuar dhe e vendosur në Tiranën e kohës së sotme, pra është bashkëkohore si trajtim në mënyrë që të vijë sa më afër spektatorit të Tiranës sot!”.

Shfaqja vjen nën interpretimin e aktorëve të rinj: Silvio Goskova, Mirela Naska, Ketjona Pecnikaj, Jurgen Marku, Kriks Dumo, Sedmir Memia, Mario Bali, Stiv Osmanaj.

“Shfaqja ka shumë ritëm, energji, të qeshura, krijimtari sepse jemi një grup të rinjsh. Është komedi situate, batute dhe karakteresh”, vijon më tej regjisori.

Për të pestin vit me radhë, Teatri Metropol po organizon festivalin dedikuar veprës shqiptare të arkivit.

Puna për realizimin e “Metrofest” nisi që në muajin tetor, ndërsa nëntori është muaji në të cilin po shfaqen premierat shqiptare. Në këtë edicion janë përzgjedhur për t’u vendosur në skenë larmi tekstesh që i përkasin viteve 1900.            

Nga datat 18-21 nëntor 2021 do të jetë shfaqje përshëndetëse komedia “Sot tetë ditë” me autor Josip Relën në 1932 dhe regji nga Elona Hyseni; Në datat 25-28 nëntor 2021 do të prezantohet ajo që njihet si drama e parë e absurdit në shqip “Gof” me autor Anton Pashku dhe përpunim tekstor dhe regjia nga Shkëlzen Berisha; në datat 4-5 dhjetor 2021 do të jetë një ekspozitë e pikturës dhe shfaqja e monodramës me titull “Duan të fluturojnë” e autorit Lekë Tasi, në regjinë e Klesta Sheros. Ndërsa pikëtakimi final i këtij edicioni do të jetë në datën 9 dhjetor 2021 me prezantimin e krijuar në punë laboratorike të skicës dramatike “Roli i Lule-Borës” botuar në 1932, me regji nga Sonila Kapidani dhe koreograf Erdet Miraka.

“Metrofest 5” do të shoqërohet edhe me tryeza debatesh që do të zhvillohen mbi zërin, praninë dhe lëvizjen në punën e aktorit. Gjatë këtyre viteve me festivalin teatri bën me dije se janë lexuar rreth 70 vepra shqiptare të arkivit, që kanë qenë kryesisht të njohura si letërsi dramatike dhe janë vënë në skenë 20 prej tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë