Art dhe Kulture

Kush ka frikë nga Ornela Vorpsi ?

Foto nga ekspozita "Providence" e Ornela Vorpsit, në COD.

Suadela Balliu -  Ngjan se saherë që Ornela Vorpsi vjen në Tiranë i duhet të udhëtojë në kohë.

Pak rëndësi nëse është shkrimtare që shkruan dhe boton në dy gjuhë të huaja, pak rëndësi nëse çel ekspozita si piktore, ka guxuar me ciklet e fotografisë nudo apo sa ka botuar romanin më të ri. Jo, për bashkombasit dhe vendlindjen do të jetë ajo studentja para viteve ’90 , emri i së cilës shkruhej në muret e Akademisë së Arteve, e lakmuar dhe e dëshiruar për bukurinë e saj.

Pas 28 viteve, Tirana kthehet të jetë ajo që la pas kur u largua me valën e parë të emigrantëve; një provincë ku njerëzit hyjnë deri në intimitetet më të thella, kur në xhirot e pasditeve në bulevard edhe sytë më indiferentë të kishin qëmtuar me hollësitë më të imta, ndërsa një përshëndetje kortezie fshihte pas buzëqeshjes krejt biografinë tënde, edhe sekretet që i dije më të ruajturit mirë, por edhe të paqenat, të shkruara në mendjet e gojët llomotitëse.

Por edhe ajo duket se e ka gati të pashmganshëm shndërrimin në atë vajzën e re, studenten ëndërrimtare, sa herë që vjen në Tiranë.

Këtë vit, një nga vizitat e rralla të Vorpsit, e solli ekspozita “Providence” e çelur në fund të muajit prill në hapësirën “COD”, brenda godinës së Kryeminstirisë. Nuk ishte i panjohur fakti i miqësisë së saj me kryeministrin Edi Rama, apo thënë më drejt me piktorin Edi Rama, njëherë e njëkohë pedagogu i saj në fakultetin e Arteve Figurative. Tre vite më herët, kur ajo ishte në Tiranë, e ftuar në Festivalin e Letërsisë “Det i Bardhë”, deklaroi për mediet se libri i saj i parë në gjuhën shqipe (gjuhë në të cilën ajo nuk ka shkruar asnjë prej veprave letrare) do të vinte me përkthimin e kryeministrit Rama.

Ornela Vorpsi gjaë çeljes së ekspozitë "Providence". 

Kanë kaluar tre vite dhe duket se angazhimet si kreu i qeverisë “Rama 2” nuk i lënë frymëmarrje të lirë përkthyesit për të sjellë nga italishtja romanin e parë të Vorpsit “Vendi ku askush nuk vdes kurrë”.

Nuk harroi ta përmendë sërish kryeministrin në intervistat e saj Ornela Vorpsi, jo vetëm se ai ishte mikpritësi i ekspozitës së saj multimediale – piktura, fotografi, video-instalacione –por si pedagogu për të cilin dikur kishte ushqyer ndjenja dashurie, edhe pse thjesht platonike, siç ka rrëfyer ajo dhe jo vetëm në një rast.

Kjo yshtje për të rrëfyer një pjesë intime të jetës së saj, mund të vinte  nga fakti se Tirana ia kish bërë aq të afërta ato kohë të para viteve ’90 –sikur të mos kish kaluar as edhe një ditë –apo nga shpengimi e moskokëçarja e  një artisteje me shpirt të lirë, në një çast të natyrshëm sinqeriteti.

Nuk vonuan komentet, ndërsa, në intervista të tjera, në medie të tjera,  përsëriste të njëjtin rrëfim të asaj dashurie të studentes, së cilës pedagogu Rama nuk iu përgjigj kurrë, se Ornela Vorpsi ishte përdorur nga Edi Rama si një instrument PR-i për qëllimet e këtij të fundit.

A u përdor  apo një akt i vetëdijshëm nga artistja, e cila mbushi shkallët e godinës së kryeministrisë me posterat e ekspozitës së saj, si të qe një galeri arti? A u përdor me  rrëfimin e ngulmët mbi ndjenjat e dashurisë –që edhe pas pothuaj tri dekadash kujtohen me nostlagji besnike –aspak të shmangshme, pasi siç rrëfeu ajo, karizma e njëherë piktorit shndërruar në politikan karriere dhe qeverisës i vendit magjepste këdo, madje edhe francezët parisianë në kohën kur ai jetonte si artist bohem në rrugët e qytetit të dritave. E jo rrethin e ngushtë të kolegëve piktorë, por të atij Parisit të madh, i larë i gjithi në ajkën e artit botëror, të të gjitha epokave.

Kjo deklaratë, bashkë me rrëfimin romantik do të ironizohej jo pak nga analistë apo opinionbërës vendas. Ajo, gruaja e bukur e lakmuar dikur aq shumë nga burrat– ende i ruan hiret, siluetën elegante dhe tiparet thelpërore në fytyrë –pas vizitës së fundit në Tiranë e gjeti veten të sulmuar pikërisht nga këta të fundit. Një Malenë, që e gjen fshatin e saj në po të njëjtën gjendje, por në fakt nuk ishin gratë ato që e përfolën, në fakt ishin disa gra të medias apo nga shoqëria civile që u rreshtuan në krah të saj.

Pamje nga godina e kryeministrisë  gjatë ekspozitë së Ornela Vorpsit. 

A u ndje keq Ornela Vorpsi që bashkombasit e saj i hodhën aq shumë shigjeta kritikash dhe turpërimi se ishte përdorur nga politika? Përgjigjet e saj pas ekspozitës se nuk flet më për mediet shqiptare, “sepse bënë hata për hiçgjë dhe kam nevojë për një jetë të qetë e pa pisllëqe që ia ngjitin kot kujtdo. E lashë këtë vend, pikërisht për këto gjëra. Nuk e dija që vendi është ende aty, në po të njëjtën pikë. Sa gjynah!” Këto janë fjalët e Ornela Vorpsit ndërsa refuzon një intervistë për të cilën kishte rënë paraprakisht dakord, duke u druajtur  se përgjigja e saj do të sillte sërish një dyndje tjetër komentesh e gjykimesh, preferon qetësinë shpirtërore ndaj vetes.

Ajo erdhi, solli punimet e saj në një ekspozitë, rrëfeu dhe iku. Ajo që u akuzua si instrument PR-i nga kritikët u bë thjesht një fill në furkën e tyre që vijonin të tirrnin atë çka për sytë e tyre kish qenë metodë e pastër për marrëdhëniet publike të kryeministrit, duke e vazhduar edhe një hap më tutje pikërisht atë PR-izim të cilin e kishin kritikuar aq fort. Nëse ky kishte qenë qëllimi i kryeministrit, ai ia kish dalë mbanë. Jo më me Ornela Vorpsin dhe rrëfimin e saj të dashurisë, por pikërisht me kritikët që po merreshin gjatë dhe dendur me këtë deklaratë. Pati edhe nga ata që shkuan edhe më thellë, pas në kohë, duke u marrë me burgosjen e të atit të Vorpsit gjatë regjimit komunist, divorcin e prindërve të saj dhe pse ajo nuk e vuajti persekutimin si fëmijët e tjerë të “armiqve të popullit” , por mundi edhe të përmbushë ambicien e studimeve të larta – gjë e rrallë për të mos thënë e pagjasë –për sfondit prej nga vinte ajo, si një e deklasuar.

A e dinte Vorpsi që në momentin kur pranoi ftesën për këtë ekspozitë në “COD” se do të sulmohej në opinionin publik? A do të kish pranuar ajo të çelte një ekspozitë, fjala vjen, në Galerinë Kombëtare të Arteve? Këtë nuk e dimë. Ajo që dihet është se Vorpsi e la sërish e zhgënjyer këtë vend, nga i cili iku, e mbushur me kujtime të këqija, të cilat i shndërroi më vonë në prozë letrare, por duke mos dashur të shkruajë në shqip,  pasi ngarkesa e kujtimeve të hidhura që mbart është e rëndë.

Në fund, Vorpsi ndihet e zhgënjyer me bashkombasit e saj, të cilët ende – megjithë karrierën përtej detit, së pari në Itali e më pas në Francë –nuk e njohin si shkrimtare dhe fare pak si piktore apo fotografe.

Ajo ka vonuar, ose nuk ka parapëlqyer, t’i vijë publikut shqiptar me krijimtarinë, qoftë si shkrimtare (libri ende nuk është përkthyer dhe duket se Vorpsi ende është në kërkim të dikujt që i kënaq pritshmëritë e saj në përkthimtari) apo si artiste figurative.

Mbase janë arsyet shpirtërore, kujtimet e hidhura të Shqipërisë nën diktaturë të vuajtura prej familjes së saj, apo janë arsye më pragmatiste, të një vendi të vogël e me një treg edhe më të vogël lexuesish.

Pashmangshmërisht e lidhur me të shkuarën letërsia e saj, por që për t’ia dalë të shkruajë i është dashur largësia; largësia në kohë, distancë por edhe në gjuhë. Një gjuhë tjetër duket se ia tëhuajëson pak ato kujtmet më “kokëforte” që të shndëruara në grupe gërmash me tingëllim tjetër, dhembin më pak.

Ka deklaruar se ndihet thellësisht shqiptare, por si artiste është kozmopolite, shkruan dhe krijon në dy gjuhë të huaja. Në këtë pikë të jetës, kur e ka kaluar më shumë se gjysmën e jetës jashtë Shqipërisë cila nga gjuhët është më e huaja për të?

Vorpsi gjatë një bisede në aktivitetin "Letërsia dhe qyteti".

Për të shkruar gjuhën duhet ta jetosh, mendon Vorpsi. Dhe kur u largua nga Italia për t’u vendosur  me bashkëshortin e saj italian në Paris, vendosi të shkruajë në gjuhën frënge letërsinë e saj. Duket se në rastin e saj gjuha duhet të jetë organizëm i gjallë për të shkruar.

Sa e vështirë ishte jeta si fëmijë e një të burgosuri politik, rritja nga nëna e vetme, largimi i njerëzve për shkak të “biografisë me njollë”, betejat e brendshme për të mbajtur nën fre shpirtin artistik , rebelimet kur i mohohej ndjekja e ëndrrave, zemërata që i ndizej për regjimin dhe diktatorin, janë detaje që ende nuk i dimë të plota, pasi letërsia e saj mbetet ende në gjuhë të huaj, në tranzit, mbase si vetë artistja që tre vite të shkuar në festivalin e letërsisë e konsideroi veten si në tranzit. Mbase ende në kërkim të stacionit të fundëm.

Tranzit që nisi nga Shqipëria në pluralizmin foshnjë pas rrëzimit të diktaturës, drejt Italisë ku emigroi me të ëmën dhe ndoqi Akademinë e Arteve Të Bukura “Brera” në Milano – përvojë nga e cila siç thotë nuk mori shumë dhe të gjithë formimin ia njeh Akademisë së Arteve në Tiranë. E habitshme të mendosh që një akademi prestigjioze me histori të gjatë në formimin e artistëve me emër, nuk ka ç’të të ofrojë asgjë më shumë sesa një e tillë nën pushtetin komunist, me liri të kufizuara edhe për të lexuar apo parë punët e artistëve të mëdhenj, “modernizmi” i të cilëve dënohej si dekadent. Në një rast të tillë të vjen ndërmend fjala e urtë e popullit fqinj “L’abitto non fa il monaco” .

Vorpsi gjatë një interviste televizive. 

 Periudha e formimit në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ndoshta ka për artisten, edhe vlera shpirtërore, pasi ishte pikërisht aty dhe në atë kohë kur ajo u dashurua me pedagogun e saj, Edi Ramën. A ka pasur brenda saj konflikte  si vajza e një të dënuari politik, ndërkohë që pedagogu ishte djali i një njeriu me pozitë në regjimin komunist?

Kur e gjeti guximin t’i kapërcente të gjitha këto për t’i rrëfyer ndjenjat Edi Ramës, tashmë mikut të saj.

Një grua e lirë që ka luftuar për të drejtat e saj dhe shembjen e paragjykimeve dhe patriarkalizimit –duke mos pëlqyer të etiketohet si feministe, por si humaniste – e dashuruarar pas letërsisë ruse, Vorpsi duket në thelb romantike.

Në Tiranë u paraqitet me artin pamor, me teknika që nisnin nga piktura te instalacioni e deri te videoja. Ashtu siç e cilësoi edhe kuratori i ekspozitës “Providencë” vepra  pamore e Vorpsit ka në themel botën sensuale, por duket se sensualja tek vepra e saj shoqërohet me një tis melankolie, vetmie. Ngjashëm edhe në librin me portrete femërore “Nothing obvious” gruaja në lakuriqësinë e saj, më shumë se epsh, përçon vetmi.

Kur u botua libri i saj me fotografi “Nothing obvious” , ku veç portreteve ka edhe autoportrete, u pasqyrua dhe komentua edhe në vendin tonë. Shumë e panë guxim artistik, duke pasur parasysh se bëhej fjalë për një grua që kisht dalë nga një regjim komunist.

Mbase ka qenë përvoja e jetuar gjatë diktaturës, ajo çka Vorpsi kishte për të shkruar e thënë që mbase e ka bërë interesante për publikun e huaj – një artiste e ardhur nga një mjedis ku

ku mungonte liria e të shprehurit edhe si komunikim njerëzor. Mund ndoshta (po hamendësojmë) që ky tipar ta ketë bërë edhe Edi Ramën të të magjepste Parisin, siç u shpreh Vorpsi në intervistat e saj të fundit në Tiranë.

Romani "Vendi ku askush nuk vdes kurrë, i cili ende nuk është përkthyer në gjuhën shqipe.

Me t’u larguar nga Tirana, u botua romani i saj më i ri  “Vera e Oltës”, një liber në gjuhën frënge, në kopertinën e të cilit shfaqej një pikturë e Vorpsit, të cilën e paraqiti në ekspozitë.

Dikur pat thënë, e pyetur nga medie të huaja, se bukuria në një vend si Shqipëria ishte një handikap, si diçka që duhej shtypur , një vend ku gruaja e bukur barazohej me kurvë. A e ka penguar kjo bukuri edhe jashtë Ornelën apo thjesht ka qenë një element i hijshëm për sytë e kundruesve, por jo përkufizues i botës së saj të brendshme artistike?

Shqipërinë e la më 1991-shin për herë të parë. Por si do të kish qenë jeta e Ornela Vorpsit, nëse nuk do të qe larguar kurrë nga vendi “ku askush nuk vdes kurrë”? A do i duhej të udhëtonte më në kohë, për t’u kthyer edhe njëherë ajo studentja e bukur, e dashuruar me pedagogun e saj, që aktualisht ndodh të jetë kryeminsitri i vendit? Këtë mbetet vetëm ta imagjinojmë...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë