Mendim

Kush janë të zhgënjyerit? BE edhe kur do të bëjë mirë të bën keq

Kur dha lajmin që Shqipërisë nuk do t’i hapeshin negociatat, kancelaria gjermane Angela Merkel bëri një gabim. Ajo tha se e dinte se kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai maqedonas Zoran Zaev do të mbeteshin të zhgënjyer. Por ata që u lanë baltë ishin qytetarët shqiptarë.

Edhe pas 27 vite pritjeje, ankthi për integrimin do të vazhdojë, pasi BE-ja ka dështuar për të tretën herë radhazi të vendosin për hapjen e negociatave. Ndërkohë që shqiptarët presin “buzë detit”, unioni do të vazhdojë të mbajë të mbyllur “portin europian”, për t’u marrë me stuhitë e brendshme. Franca thotë se problemi është vetë BE-ja, pasi duhet reformohet, ndërsa Holanda, Danimarka dhe Spanja thonë se problemi është Shqipëria, për shkak të krimit të organizuar. Sigurisht nuk është e lehtë të vësh vijën e kuqe aty ku përfundojnë përgjegjësitë e BE-së dhe aty ku fillojnë dështimet e qeverisë shqiptare, por nuk është e vështirë të thuhet se dështimet e dyja palëve do t’i mbajnë në kurriz shqiptarët.

Ata janë jo vetëm viktima të këtij riorganizimi politik europian, por edhe të elitave politike të Shqipërisë, që nuk kanë mbajtur kurrë përgjegjësi politike për asnjë nga dështimet e tyre në këto 3 dekata me rrugëtimin europian dhe në vend të kësaj manipulojnë ngjarjet ndërkombëtare në dobi të tyre.

Ajo që nuk duhet të harrojë çdo shqiptar sot është se viktimat janë ata. Kriza politike që pushtuar vendin për më shumë se një vit, rënia e kastës së vjetër politike në Kosovë dhe dorëheqja e mundshme e Zoran Zaev janë kambana që tregojnë se rendi i bazuar në rregullat e BE-së për Ballkanin Perëndimor ka rënë. Të vetëdijshëm për fuqinë dhe ndikimin e tyre, elitat politike rajonale janë gjithnjë e më të furishme në konfrontimet e tyre me BE-në dhe SHBA-në, por gjithnjë e më të dobët për të zgjidhur problemet aktuale të qytetarëve të vendeve të tyre.

Pamje nga protestat e opozitës me flamurin europian, Gazeta Si, 19 tetor 2019

Liderët e rajonit janë përfshirë në skandale nga më të rëndat për korrupsion, bashkëpunimin me krimin e organizuar apo edhe manipulime zgjedhore, por deri më tani ia kanë hedhur pa u lagur dhe pa u dënuar për abuzimet e rënda.

Megjithatë, BE-ja është shumë larg nga të qenit e pafajshme në këtë çështje. Pavarësisht nga fushatat e shumta mediatike, ajo ka injoruar edhe kërkesat më legjitime që vijnë nga rajoni. Në realitet, disa udhëheqës të Ballkanit ishin të gatshëm të ndërmerrnin reformat serioze, të vështira dhe aspak popullore për anëtarësimin në BE. Por me kalimin e shumica e tyre u lodhën. Ka nga ata ekspertë të politikave të Ballkanit që janë të bindur se thellë thellë as udhëheqësit e BE-së as ata të rajonit nuk duan që vendet e Ballkanit të hyjnë në union dhe preferojnë të ruajnë status quo-në.

Por vitin e kaluar BE-ja e zhvendosi të gjithë fushën e lojës. Emmanuel Macron e ka bërë të qartë që unioni e kishte hequr në mënyrë efektive zgjerimin nga përparësitë e tij. Por sërish pyetja e shumë prej shqiptarëve sot është se “kush na ka fajin?”

Shtyrja për të tretën here radhazi e hapjes së negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut jo vetëm që ka zhytur shqiptarët në pesimizëm, por kjo ka filluar të ketë ndikim edhe te reformat e marra në vend, por edhe vendet e tjetra rajonit. Kjo mbivalencë e vazhdueshme në qëndrimin e BE-së ndaj Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor po u shërben vetëm interesave të politikanëve që po përpiqen të pengojnë reformat për sundimin e ligjit. Sa më shumë paqëndrueshmëri dhe përçarje të ketë BE ndaj Ballkanit, aq më shumë do të keqpërdoret nga elitat politike, për të mos përmendur rrjetet kriminale që përfitojnë nga sundimi i dobët i ligjit.

Analistët vlerësojnë se nëse unioni nuk ofron një perspektivë të qartë për anëtarësim, asnjë prej qeverive të Ballkanit Perëndimor nuk ka të ngjarë t’i rezistojë presionit të krimit të organizuar për të ndalur këto reforma. Ekspertët madje kanë kërkuar prej kohësh që BE-ja të flasë hapur dhe me emra të përveçëm për kapjen e shtetit në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas Bankës Botërore, “kapja e shtetit ndodh kur elita qeverisëse ose biznesmenët e fuqishëm “kapin” ose përcaktojnë politika për të ndryshuar ligjet dhe rregullat në avantazhin e tyre. Kapja e shtetit është forma më e lartë e korrupsionit e karakterizuar nga aleanca sekrete. Ai mund të shfaqet në dy forma: kapjen e korporatave shtetërore për përfitime private dhe kapjen e partive politike po për përfitime private.

Kancelarja Merkel dhe liderët e Ballkanit

“Në vend që t’i mbrojë liderët e Ballkanit Perëndimor që përpiqen të vonojnë reformat apo edhe ato që janë nën hetime për sjellje kriminale, BE-ja duhet që të flasë dhe t’i kërkojë llogari. Ndërkohë, vendet e Ballkanit Perëndimor do të duhet të bëjnë detyrat e shtëpisë, nëse duan të ndalojnë ikjen e brezit të ri që vazhdon të kërkojë fatin e tyre diku tjetër. Sundimi i ligjit duhet të mbetet prioriteti përfundimtar kur është fjala tek zgjerimi. Nuk duhet të ketë stabilitokraci dhe asnjë mbështetje për të fuqishmit. BE duhet të emërojë në mënyrë eksplicite ata që shkaktojnë kapjen e shtetit” thotë Vladimir Međak, nënkryetar i Lëvizjes Evropiane të Serbisë.

“Sjellja jodemokratike po tolerohet nga BE-ja për hir të stabilitetit, por kjo gjë duhet të ndryshojë nëse vendet e Ballkanit Perëndimor duan të transformohen, stabilizohen dhe integrohen siç duhet në BE”, deklaroi ai.
Shumë ekspertë rajonalë thonë se Ballkani ka nevojë për një BE që nxjerr në pah publikisht dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë problemet e rajonit. Humbja e opsionit të vetëm të sigurt që mund të strehojë dhe gradualisht të qetësojë të gjithë aktorët e ndryshëm të Ballkanit ka nxitur idetë dhe iniciativat nacionaliste, separatiste dhe populiste midis politikanëve të rajonit.

Rusia, Turqia, Kina dhe aktorët e tjerë të huaj kanë përdorur gjithashtu vakuumin e krijuar nga prania e BE-së dhe SHBA-së për të forcuar qëndrimet e tyre në rajon. Në këtë proces, Rusia është mbështetur në lidhjet e saj historike me Serbinë, ndërsa Turqia dhe shtetet e Gjirit kanë përdorur lidhjet e tyre me boshnjakët. Ndërkohë Kina ka shfrytëzuar burimet e saj të bollshme dhe mungesën e kushteve politike. Në muajt e fundit, rajoni ka përjetuar një rilindje të rrezikshme të tensioneve etnike, politike, ekonomike dhe sociale. Shenjat e këtyre tensioneve përfshijnë iniciativave të reja separatiste të serbëve të Bosnjës, rritjes së armiqësive mes Serbisë dhe Kosovës, skandalit të spiunazhit që përfshinin Kroacinë, Bosnjën dhe Slloveninë dhe protestat në Serbi, Shqipëri dhe Mal të Zi.

Diplomatët europianë mund të vazhdojnë të flasin me kompetenca nga karriget e tyre, por janë të vetëdijshëm se përgjatë viteve të fundit asnjë ndihmë kuptimplote nuk është në horizont. Dhe sado të dëshirojë Macron apo edhe liderët e korruptuar të rajonit, BE-ja nuk mund të qëndrojnë gjithnjë larg trazirave të Ballkanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë