Njerez

Kush ishte në të vërtetë Maria Magdalena dhe çfarë roli luajti në jetën e Jezusit?

Kush ishte Maria Magdalena? Një prostitutë, që në një moment u pendua dhe ndërroi mënyrën e  jetesës apo bashkëshortja e Jezusit? E vërteta është se ne ende nuk kemi asnjë siguri historike mbi këtë figurë të diskutueshme dhe as mbi familjen e supozuar të Jezusit, por vetëm hipoteza dhe shumë mite që duhen konfirmuar apo hedhur poshtë...

Maria Magdalena: Një prostitutë dhe kurorëshkelëse?

Në përpjekje për të zbuluar disa detaje të tjera rreth Magdalenës, të krishterët e parë u përballën me një varg keqkuptimesh. Magdalena, me origjinë nga Migdal Nunaya (një fshat peshkatarësh në Galile), quhej në fakt Maria. Sipas ungjijve, ishte një Maria tjetër nga Betania, ajo që i lau këmbët Jezusit dhe ia leu me vaj.

I njëjti gjest, në një episod tjetër biblik, i atribuohet një mëkatareje të penduar, ndoshta një prostitute, e cila shumë shpejt u identifikua me Magdalenën. Dhe në fund, kjo u ngatërrua edhe me shkelësen e kurorës, të cilën Krishti e shpëtoi nga ekzekutimi publik përmes gjuajtjes me gurë. Kështu, gruaja e pushtuar dikur nga demonët, u shndërrua në një prostitutë dhe si e tillë ajo u përshkrua për shekuj me radhë në historinë e artit.

Identifikimi

Mbivendosja e këtyre personazheve u nxit nga Papa Gregori i Madh (shek VI), si dhe nga libri “Legenda Aurea” e Jacopo da Varazze (shekulli XIII). Vetëm në vitin 1969, Kisha Katolike vuri në dyshim barazinë e personazhit të Magdalenës me atë të prostitutës.

Në themelin e idesë se Maria Magdalena ishte bashkëshortja e Jezusit, qëndron një keqkuptim i Ungjijve Gnostikë, që janë tekste të shekujve I-IV të Erës Sonë të gjetura në vitin 1945 në Nag Hammadi, Egjipt.

Ato janë të ndikuara nga një rrymë filozofiko-fetare që ka dominuar në shekujt e parë të Krishterimit. Në shkrime të tilla si Ungjilli i Filipit, Ungjilli i Thomait, Ungjilli i Marisë (i atribuohet Magdalenës) dhe Pistis Sophia, Magdalena është “shoqëruesja” e Jezusit. Ndërkohë Ungjilli i Filipit, tregon se Jezusi e puth atë.

Misticizëm

Megjithatë gnosticizmi mohoi çdo lloj mishërimi, dhe këto tekste, siç sqarohet edhe nga historiani i krishterimit Mauro Pesce i Universitetit të Bolonjës, u referohen figurave simbolike: bashkimi midis Jezusit dhe Magdalenës nuk është një martesë, por një marrëdhënie mistike midis manifestimeve hyjnore.

Maria përfaqëson mençurinë dhe diturinë dhe puthja është një gjest mistiko-liturgjik.

Zbulimi i një fragmenti të vogël papirusi, ku përmendet hapur termi “gruaja e Jezusit” ka shkaktuar bujë të madhe në të kaluarën. Në ato 8 rreshta, thuhet: “Jezusi u tha atyre: Gruaja ime... do të jetë në gjendje të jetë dishepulli im”. Në atë fragment shfaqet emri i Marias, duke sugjeruar prova të asaj që u hipotezua nga disa interpretues të ungjijve gnostikë.

Dyshimet

Por autorja e këtij zbulimi, Karen King e Universitetit të Harvardit në SHBA, thekson se ky tekst nuk vërteton se Jezusi ishte i martuar, por vetëm se kjo çështje është diskutuar në kohët e lashta. Megjithëse analizat kanë zbuluar se  papirusi dhe boja e përdorur në të i përkasin shekullit VIII-të (kur Egjipti ishte islamizuar), studiuesit janë të bindur se dokumenti është një falsifikim.

Një fragment tjetër, cilësohet po i tillë. Burimet më të vjetra që flasin për Maria Magdalenën janë katër Ungjijtë “kanonikë” të shekujve I-II. Por ato na zbulojnë më pak nga sa mund të mendohet mbi këtë çështje. Sipas Lukës, Maria ishte një nga gratë që “e ndihmuan Jezusin me pasuritë e tyre”, dhe u bashkua me ta pasi u çlirua nga 7 demonë.

Sigurisht, ajo ishte një figurë e rëndësishme e kohës. Sepse ishte e pranishme në kryqëzimin e Jezusit, në varrimin e tij, dhe ishte e para që Krishti iu shfaq pas ringjalljes. Por nuk thuhet asgjë më shumë se kaq. Dhe kjo paqartësi e burimeve të vetme të njohura nga Kisha, ka krijuar hapësirë për interpretime imagjinare, të bazuara kryesisht tek ungjijtë apokrifë (të lashtë, por jo kanonikë).

Një traditë mesjetare flet për shkuarjen e Maria Magdalenës në Provansë të Francës. Nga aty, disa autorë kanë ndërtuar një teori të pajisur me shumë imagjinatë, sipas së cilës Magdalena duhet të identifikohet si Grali i Shenjtë, një term të cilin ata e përkthejnë si “Gjaku Mbretëror”.

Kjo sepse bashkëshortja e supozuar e Jezusit do të rriste aty fëmijët e tij (“gjakun e tij mbretëror”). Dhe nga këta fëmijë do të lindte prejardhja mbretërore e dinastisë franceze të Merovingëve. Kjo hipotezë (absolutisht e nxitur nga imagjinata), rrjedh nga famëkeqja “Dosjet sekrete të Pleqve të Sionit” të depozituara nga Pierre Plantard në Bibliotekën Kombëtare të Parisit në vitet 1960, që pas një analize të imtësishme rezultoi të ishte e falsifikuar.

Gjithsesi, kjo tezë u zhvillua më vonë në librin e vitit 1982, Grali i Shenjtë, nga shkrimtarët Michael Baigent, Richard Leigh dhe Henry Lincoln, mbi bazën e të cilit Dan Broën botoi në vitin 2023 librin që e bëri të famshëm në mbarë botën “Kodi i Da Vinçit”.

Burimi: Focus.it. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë